KQZ/ Nis plotësimi edhe i vakancave të PD-së, Lefter Maliqi dorëzon formularin e vetëdeklarimit

KQZ/ Nis plotësimi edhe i vakancave të PD-së, Lefter Maliqi dorëzon formularin e vetëdeklarimit
Pas katër mandateve të LSI-së, edhe kandidatët në listat e Partisë Demokratike kanë nisur dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit.

Lefter Maliqi ka dorëzuar sot formularin, si hap i parë për të marrë një mandat deputeti për Qarkun e Beratit.

Maliqi është larguar nga PD që në vitin 2017, i pakënaqur me renditjen në listën e kandidatëve dhe, sikurse deklaroi atëherë, “i zhgënjyer nga premtimi i pambajtur nga Lulzim Basha”.

I rikthyer tashmë në radhët e mazhorancës, Maliqi mban postin e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Lefter Maliqi është i pesti kandidat që kërkon të marrë një mandat nga vakancat e opozitës.

Më herët, Ylli Shehu, Enver Roshi, Aurora Mara dhe Edmond Rrushi kanë dorëzuar formularët dhe presin sot vendimin e KQZ-së për të marrë katër mandate të LSI-së.

Monika Kryemadhi i ka etiketuar si “tradhtarë” ata që do të marrin mandatet e dorëzuara në grup nga LSI.

Po nga kjo parti, nuk e ka dorëzuar mandatin deputeti Lefter Koka.

Nga PD, mandatin e ka mbajtur Myslim Murrizi, i shkarkuar nga detyra e kryetarit të PD-së në Lushnjë dhe Rudina handari, e cila ende nuk është shprehur se çfarë do të bëjë me mandatin.

Sipas të dhënave të deritanishme, në Kuvend janë aktualisht tre deputetë të opozitës, ndërsa pesë të tjerë pritet të hyjnë.

Historia e marrjes së mandateve të lënë vakante ende nuk ka mbaruar, përderisa KQZ të mbyllë zyrtarisht afatin për dorëzimin e formularëve. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google