Konfindustria: Kriza politike rrezikon të prodhojë pasoja negative në ekonomi

Konfindustria: Kriza politike rrezikon të prodhojë pasoja negative në ekonomi
Konfindustria shprehu dje shqetësimin për paraqitjen e dobët sipas saj, të ekonomisë shqiptare në fillimin e vitit financiar 2019.

“Rënia e fortë e të ardhurave buxhetore në janar 2019 shoqëruar me uljen e ndjeshme e rezervave energjitike të vendit për shkak të thatësirës së tejzgjatur dhe pasojat në ekonomi të krizës politike në vazhdim, mund të çojnë deri në dështim të parashikimeve të buxhetit 2019”, apeloi organizata e njohur e biznesit.

Duke shtuar se realizimi i buxhetit të vitit 2019 mund të jetë në vështirësi serioze edhe për shkak të vitit të vështirë energjitik në vazhdim, që do të detyrojë rritje të mëdha të importeve.

“Gjithashtu, kriza politike në vazhdim rrezikon të prodhojë pasoja negative në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si turizmi, konkurueshmërinë e vendit në tërheqjen e investimeve të huaja, duke prekur drejtpërdrejtë përmbushjen e treguesve kryesorë të pritshëm të buxhetit 2019”, cilëson ajo.