KOMBËTARJA/ Durmishaj “fyeu” Panucci-n , Rossi “tradhtoi” Bushin!

KOMBËTARJA/ Durmishaj “fyeu” Panucci-n , Rossi “tradhtoi” Bushin!
Ndryshime të detyruara edhe në listën e Kombëtares U-21 para ndeshjes me Turqinë. E papritura e madhe për trajnerin Bushi ishte refuzimi i mbrojtësit Rossi, që ashtu si Fiorin Durmushaj, ka preferuar të luajë me helenët por pa e njoftuar trajnerin që i kishte dërguar ftesë 

Nga Aranit Muraçi

Ashtu si ish-futbollisti i U-21 të Shqipërisë, Fiorin Durmishaj, i cili për shkak të ofertës së Greqisë refuzoi Kombëtaren e Panucci-t, zgjodhi në të njëjtën kohë të përfaqësonte Greqinë, edhe Leonidas Rossi ka bërë të njëjtë gjë, por më keq akoma nuk e ka njoftuar fare stafin kuqezi. Trajneri i shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi, e kishte deri dje futbollistin në listë dhe e priste në grumbullim, të cilit as emri dhe as mbiemri nuk i tingëllonte në shqip.

Leonidas, emër që ka kuptim grek (Luan) dhe mbiemri, që gramatikisht shkruhet italisht, Rossi, i lindur më  19 prill 1999 në Sarandë, ai është larguar që i vogël me familjen drejt shtetit helen, ashtu si edhe Durmishaj. Leonidas luan këtë zezon në Greqi me ekipin e parë Apollon Smyrnis, ndërkohë që ishte deri tani pjesë e Shqipërisë, por prej ofertës helene të ekipit U-21 ka refuzuar të vijojë karrierën me kuqezinjtë. Të dy lojtarët kanë pasur nënshtetësi greke, duke mos e pasur aspak të vështirë që të bëhen zyrtarisht lojtarë të Kombëtares greke.

Ndryshe nga Kombëtarja e parë, trajneri Panucci me rastin “Durmishaj” u njoh para se ai të merrte vendimin, duke mos i nisur ftesë. Bushi ka mbetur krejt i befasuar, kur Rossi as nuk e ka njoftuar dhe as i është përgjigjur për refuzimin. FSHF po dje zyrtarizoi largimin e tij. “Lista e ekipit kombëtar të 21 vjeçarëve ka pësuar disa ndryshime pas zhvillimeve të fundit, ku portieri Gentian Selmani është grumbulluar me ekipin kombëtar A dhe vendin e tij në skuadër e ka marrë portieri i Erzenit, Elton Vata. Një tjetër i grumbulluar nga trajneri Bushi, për këto dy ndeshje është Senad Hysenaj, që vjen nga Besa, duke marrë vendin e Leonidas Rossi, i cili refuzoi grumbullimin për të zgjedhur U-21 e Greqisë,’ – konfirmoi Federata Shqiptare e Futbollit. Shqipëria U-21 do të luajë kundër Turqisë më 23 Mars në “Elbasan Arena” dhe 26 Mars ndaj Andorras në transfertë.