Institucionet, sa fonde nga buxheti i shtetit do të shpenzojnë në tre vitet e ardhshme?

Institucionet, sa fonde nga buxheti i shtetit do të shpenzojnë në tre vitet e ardhshme?
Rreth 330 miliardë lekë. Ky është totali i fondeve që të gjitha institucionet shtetërore së bashku parashikohet të shpenzojnë nga arka e buxhetit të shtetit gjatë vitit të ardhshëm 2020. Një fond ky që do të vijë në rritje, sipas programit buxhetor afatmesëm 2020-2022.

Konkretisht, në vitin 2021, institucionet do të njohin në total 340 miliardë lekë shpenzime buxhetore dhe një vit më pas, plot 357 të tilla. Duke folur kështu për një rritje progresive të parave, që shteti në tërësinë e tij do t’i shpenzojë, po nga arka e tij. Të tilla shifra janë publikuar në kuadrin e parashikimeve të bëra prej qeverisë sesi do t’i “ushqejë” me fonde ministritë, por në tërësi edhe institucionet e tjera publike për vitet në vijim. Kohë kjo gjatë së cilës mbyllet edhe mandati i dytë i saj qeverisës, që prej zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-tës.

Sipas të dhënave, “kampionin” për shpenzime do ta mbajë ministria e Shëndetësisë, me plot 63.5 miliardë lekë mot, 65.4 në vitin 2021 dhe 69 në 2022-shin. E kjo, pasi ky dikaster përfshin në fakt brenda tij mjaft shërbime, si atë publik, atë të kujdesit parësor, dytësor, të përkujdesit etj. Që të gjitha këto zëra të cilat kërkojnë mjaft shpenzime gjatë një viti.

Pasuar më tej nga ministria e Financave, e cila gjatë vitit të ardhshëm do të shpenzojë 58 miliardë lekë nga fondet buxhetore dhe 61 e 63 miliardë në vitet pasardhëse. Edhe ky, një dikaster tjetër i ngarkuar me mjaft sektorë të rëndësishëm siç janë tatimet, doganat, etj, të cilat kërkojnë mjaft burime e kësisoj, edhe shpenzime.

Një logjikë e ngjashme kjo edhe për ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila me një fond shpenzimesh buxhetore prej 51.4 milionë lekësh për vitin e ardhshëm, renditet e treta pas tyre. Shifra këto që për të parashikohet të rriten deri në nivelin prej 55.5 miliardë lekësh në vitin 2022.

 

330

Miliardë lekë parashikohet të arrijnë fondet e shpenzimeve buxhetore për të gjitha institucionet publike, përfshirë edhe ministrië, gjatë vitit të ardhshëm 2020, në kuadrin e programit buxhetor afatmesëm 2020-2022

 

63

Miliardë lekë parashikohet të arrijnë fondet e shpenzimeve buxhetore vitin e ardhshëm 2020 vetëm për ministrinë e Shëndetësisë, ose gati sa një e pesta e të gjitha fondeve totale për institucionet publike dhe ministritë

 

 

Presidenca kryen shpenzime sa çereku i Kuvendit, Kryeministria sa 2-3/tat e tij

Nëse do të rendisnim tre institucionet kyçe të vendit, për nga niveli i shpenzimeve të tyre buxhetore, Kuvendi do t’ia kalonte Kryeministrisë dhe Presidencës. Këtë e faktojnë edhe të dhënat e fundit të programit buxhetor afatmesëm 2020-2022. Sipas tyre, rezulton se kjo e fundit për tre vitet e ardhshme do të realizojë vetëm çerekun e shpenzimeve të parashikuara për organin legjislativ. Në shifra, Presidenca mot do të shpenzojë 247 milionë lekë, nga 1.2 miliardë që janë parashikuar për Kuvendin. Ndërsa për Kryeministrinë, rezulton se ky tregues do të jetë në nivelin e 775 milionë lekëve, për t’u rritur më tej deri në 925 të tilla në vitin 2022. Ndërkaq, një tjetër dukuri që bie në sy ndërsa krahasojmë shifrat e shpenzimeve buxhetore për tre institucionet e lartpërmendura, është ajo vetëm Kryeministria do të njohë rritje të shifrave të shpenzimeve në tre vitet e ardhshme. Kurse për organin legjislativ dhe atë presidencial, shifrat do të jenë të palëvizshme. E duke treguar kështu se qeveria do të harxhojë më shumë pará, ndërsa Kuvendi dhe Presidenca do të kenë “të njëjtin racion” prej buxhetit të shtetit.