Infeksionet e veshit, 6 format më të shpeshta që hasen tek fëmijët

Infeksionet e veshit, 6 format më të shpeshta që hasen tek fëmijët
Fëmijët janë ata që manifestojnë shqetësimet më të mëdha sa i takon dhimbjeve të veshit, të cilat në rast se nuk marrin ndihmën e duhur mjekësore në kohë mund të mbartin pasoja të rënda që çojnë deri në humbjen e dëgjimit. Qarkullimi i virozave dhe gjendjeve gripale gjatë kësaj kohe, ka ndikuar në shtimin e problemeve dhe ndërlikimeve të shfaqura sa i takon infeksioneve të veshit.

Infeksionet e veshit janë mjaft të shpeshta si në stinën e ftohtë të dimrit ashtu edhe në stinën e verës. Fëmijët janë ata që manifestojnë shqetësimet më të mëdha sa i takon dhimbjeve të veshit, të cilat në rast se nuk marrin ndihmën e duhur mjekësore në kohë mund të mbartin pasoja të rënda që çojnë deri në humbjen e dëgjimit. Qarkullimi i virozave dhe gjendjeve gripale gjatë kësaj kohe, ka ndikuar në shtimin e problemeve dhe ndërlikimeve të shfaqura sa i takon infeksioneve të veshit. Njohja e saktë e llojit të infeksionit është edhe çelësi kryesor për përcaktimin e terapisë që duhet të ndiqet, në mënyrë që të mos vihemi përballë rrezikshmërisë që mund të dëmtojë dëgjimin tonë. Mjekët ORL tregojnë se cilat janë infeksionet më të shpeshta që prekin veshin, si dhe këshillat që nuk duhet t’i neglizhojmë për të shmangur në kohë ndërlikimet, kjo veçanërisht tek moshat e vogla.

Veshi

Veshi është i përbërë nga tre pjesë : veshi i jashtëm që përfshin kanalin e jashtëm të veshit që shohim me sy. Ky kanal të çon në daullen e veshit (membrana timpanike). Pas kësaj membrane fillon pjesa e tretë ose veshi i brendshëm. Tingujt që vijnë nga jashtë përplasen në daullen e veshit dhe nëpërmjet veshit të brendshëm këta tinguj përkthehen në impulse elektrike që përcillen më pas në tru (sistemi nervor qendror). Gjithsecila nga këto pjesë që përshkruam mund të infektohet nga viruset, bakteriet apo mykrat. Këto infeksione në më të shumtën e rasteve transmetohen nëpërmjet tubit të Eustakut (tubi që lidh fytin me veshin). Tubi i Eustakut rregullon, balancon presionin e ajrit në të dy anët e membranës timpanike (daulles së veshit) duke rritur kështu cilësinë e dëgjimit. Ai shërben gjithashtu edhe për parandalimin e mikrobeve dhe bakterieve të ndryshme që mund të hyjnë në vesh nga hunda dhe nga fyti. Sa herë që gëlltitemi aq herë hapet valvula e këtij tubi duke lejuar futjen e ajrit në veshin e brendshëm e për rrjedhojë duke lejuar kështu barazimin e presioneve në të dy anët e membranës. Në këtë mënyrë lejon gjithashtu edhe kullimin e sekrecioneve që vijnë nga hunda apo nga veshi. Në rast se tubi është i bllokuar, sekrecionet dhe mikrobet mund të pushtojnë veshin e mesit gjë që çon në infeksione të tij, në ulje të dëgjimit apo edhe në çarje të membranës timpanike. Prandaj pas çdo gjendjeje virale ose bakteriale, ka potencial për përfshirjen në to të strukturave të veshit. Në mënyrë të veçantë, fëmijët e vegjël janë të prirur për infeksione të veshit të mesëm (otitis media). Raportohet se të paktën 4 në 6 fëmijë do të përjetojnë një infeksion të veshit të mesëm të paktën një herë në jetë.

Simptomat e infeksioneve

Simptomatologjia e infeksioneve të veshit është e larmishme dhe varet nga lloji i infeksionit. Më të shpeshta janë dhimbjet e veshit, kruajtje, ulje e lehtë e dëgjimit, rrjedhje të sekrecioneve, ulje të oreksit, dhimbje koke, zhurma në vesh (gumëzhima), marrje mendsh (vertigo), etj. Këto infeksione vijnë zakonisht pas infeksioneve të traktit të sipërm respirator (bronkitet, sinusitet), në ndryshimet e papritura të presionit të ajrit (për shembull gjatë fluturimit me avion), noti në pishina jo të pastra, mykozate ndryshme, etj.

Otitis eksterna, ose infeksioni veshit të jashtëm

Këto infeksione shfaqen mjaft shpesh te notarët si rezultat i kontaktit të shpeshtë me ujëra, shpeshherë jo me higjienën e duhur, por mund të vijnë edhe si pasojë e dëmtimit mekanik gjatë pastrimit të veshëve me kunja. Është e këshillueshme që veshët të pastrohen me shumë kujdes, pa ushtruar forcë, thjesht duke u fshirë me një peshqir të butë pas larjes.

Otitis media ose infeksioni i veshit të mesëm

Kjo është patologjia më e shpeshtë e veshit, kryesisht e fëmijëve të vegjël. Shfaqet më shpesh pas infeksioneve të aparatit të frymëmarrjes. Në shumë raste çahet daullja e veshit duke pasur rrjedhje qelbi në kanalin e veshit. Infeksionet e veshit të mesit mund të kronicizohen kur ato përsëriten herë pas here. Gjithashtu mund të kemi edhe ndërlikime të strukturave të tjera të brendshme të veshit (labyrinthitis), dëmtim të nervit të dëgjimit që çon në ulje të dëgjimit deri në shurdhim të plotë, dëmtim të nervit facial (i faqes) që mund të çojë deri në paralizë të fytyrës. Prandaj këto infeksione duhen mjekuar sa më herët që shfaqen me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Është totalisht e gabuar të drejtohemi së pari në farmaci dhe të marrim atje vetë mjekim. Kompetenca e përzgjedhjes së mjekimit i takon vetëm mjekut. Mos hezitoni në asnjë rast të merrni këshillimin e mjekut të familjes dhe është ai që kërkon konsultimin dhe terapinë e mjekut specialist (ORL).

Infeksionet që sjellin çarjen e membranës së veshit

Në rastin e çarjes së membranës kemi rrjedhje të qelbit në kanalin e veshit. Kjo ndodh zakonisht në bebet e vogla deri në dy vjeç sepse membrana e tyre është shumë e brishtë (fragile). Kjo vjen zakonisht pas infeksionit të veshit të mesëm dhe karakterizohet nga grumbullimi i lëngjeve brenda veshit të mesëm. Kur presioni i lëngjeve rritet shumë, bombohet membrana dhe çahet. Përveç trajtimit lokal dhe të përgjithshëm në këto raste lind nevoja edhe për trajtime kirurgjikale.

Infeksioni i njohur si myringitis

Ndërsa infeksioni i vetë membranës quhet myringitis. Edhe në këtë rast shkaktarët mund të jenë të shumtë, viralë, bakterialë, mykotikë. Daullja e veshit i përgjigjet infeksionit me dhimbje, gjendje ethore, temperaturë. Infeksioni i veshit mund të përhapet edhe në kockat prapa veshit (mastoiditis). Kemi në këtë rast skuqje dhe ënjtje (edemë) të lëkurës mbi këto kocka, dhimbje të forta, ethe,temperaturë. Kjo është një gjendje e rëndë që mund të pasohet me meningit, gjendje septike, paralizë faciale, etj.

Infeksioni i njohur si zjarri i natës

Zosteri i veshit (zjarri i natës) një infeksion viral që shfaqet në zonën përreth veshit dhe brenda tij, në qafë e në ballë. Karakterizohet nga dhimbje shumë të forta, vertigo (marrje mendsh). Terapia në këto raste shkon gjatë, por ecuria është e mirë në përgjithësi.

 

 

 

Çrregullimi i ekuilibrit të veshit

Përmendim së fundi edhe një patologji tjetër të veshit që është çrregullimi i ekuilibrit. Veshi i brendshëm përmban sistemin e ekuilibrit. Një ndër shkaktarët e shumtë janë dhe infeksionet. Klinika përfshin marrje mendsh, që janë të papritura dhe dramatike që mund të jenë të shoqëruara me të përziera dhe të vjella. Ky sindrom ka edhe shkaqe të tjera, si për shembull hipertensioni, spondiloartroza, udhëtimet me avion (ndryshimi i presionit të ajrit).

 

 Këshilla të rëndësishme

Mos qëndroni në ambiente me duhan sepse tymi i duhanit çrregullon funksionimin si duhet të tubave të Eustakut, pra çrregullime të sistemit të ajrimit të veshit.

Kujdes nga gripi dhe virozat e tjera.

Vishuni përshtatshëm sipas stinëve, kujdes mos djersini.

Lani duart rregullisht, mos fërkoni sytë dhe hundën me duar të palara.

Përdorni tapa veshësh kur notoni dhe bëni dush.

Mos pastroni veshët me kunja, por i fshini pas larjes me peshqir.

Përdorni çamçakëz kur udhëtoni me avion.