FOTOT/ Basha dhe zv/ambasadorja amerikane ndahen si "çift pëllumbash", po çfarë u bisedua për 60 minuta?

FOTOT/ Basha dhe zv/ambasadorja amerikane ndahen si "çift pëllumbash", po çfarë u bisedua për 60 minuta?
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Zëvendës ambasadorja amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones, janë fotografuar teksa dalin të buzëqeshur nga selia blu.

Madje edhe me një qeshje që shumëkush do të thoshte se po shkëmbejnë batuta.

Fotot tregojnë një takim që duket se stonon me situatën e rënduar politike në Shqipëri, motiv për të cilin shumë diplomatë të huaj kanë “mësyrë” në zyrat e drejtuesve kryesorë të politikës në vend.

Në mungesë të ambasadorit të ri, Leyla Moses-Ones është autoriteti më i lartë diplomatik amerikan në Tiranë.

Takimi me diplomaten zgjati rreth 60 minuta.

Asnjëra prej palëve nuk ka bërë ende të ditura detajet e bisedës, por gjasat janë që të jetë diskutuar pikërisht për situatën e rënduar pas djegies së mandateve të deputetëve të opozitës.

Takimet me diplomatë duket se sapo kanë nisur.

Sot pritet të mbërrijë në Tiranë Drejtori i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Christian Danielsson.

Zyrtari i lartë i Brukselit do të bëjë takime të veçanta me palët.

Ai do të bisedojë me Kryeministrin Edi Rama, me drejtuesit e opozitës së bashkuar dhe më pas një konferencë për shtyp.

Deri tani palët nuk kanë lëvizur asnjë centimetër nga pozicionet.

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme me një qeveri transitore, pa Edi Ramën si Kryeministër.

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se nuk do të ketë as zgjedhje politike të parakohshme dhe as qeveri transitore, duke lajmëruar “ndezjen e motorëve” për zgjedhjet vendore të dekretuara më 30 qershor.

Të dyja palët janë shprehur të vendosura për të mos bërë “asnjë hap mbrapa”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google