Forumi Global në Baku, Meta: Kërcënime të reja nga terrorizmi po përhapen me shpejtësi, të bashkëpunojmë

Forumi Global në Baku, Meta: Kërcënime të reja nga terrorizmi po përhapen me shpejtësi, të bashkëpunojmë
Gjatë Forumit të 7-të Global në Baku, i ftuar ishte edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Në diskutimin me temë “Një Politikë e Jashtme e Re”, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se kërcënimet terroriste, ndryshimet klimatike dhe faktorë të tjerë po cënojnë jo pak paqen në arenën ndërkombëtare.

Kërcënime të reja nga terrorizmi ndërkombëtar po përhapen me të njëjtën shpejtësi si revolucioni teknologjik dhe siguria kibernetike po bëhet një sfidë e madhe për shoqëritë dhe vlerat tona. Në rrethana të tilla, duhet të përpiqemi shumë për të ndërlidhur vendet dhe rajonet tona në mënyrë që të tejkalohen me sukses këto sfida si dhe të rriten aftësitë tona të sigurisë e të përmirësojmë lidhjen tonë energjetike dhe infrastrukturore”, u shpreh Presidenti.

Duke folur për sfidat e Ballkanit Perëndimor, Meta vuri theksin tek domosdoshmëria e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa evidentoi edhe përparimet e Shqipërisë drejt BE.

Inkurajojmë fort që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ecë përpara për të arritur një marrëveshje që do të normalizonte përfundimisht marrëdhëniet midis dy shteteve dhe do të çonte në njohjen e përbashkët”, përfundoi Presidenti.

/f.ç/Albanian Free Press Online/