Forum, intelektualët: Arsimi është fytyra e kombit!

Forum, intelektualët: Arsimi është fytyra e kombit!
FORUM/ Çfarë është për shqiptarët 7 marsi . Flasin për “Albanian Free Press” Zamira Çavo, Agim Hushi, Miho Gjini, Elmaz Sherifi, Enrieta Sina dhe Ago Nezha

***

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

***

Zamira Çavo, pedagoge

“Po shpërfytyrohet modeli i mësuesit”

“Dua të uroj me shpirt armatën e madhe të mësuesve dhe edukatorëve që çdo ditë me një stërmundim deri në vuajtje mundohen të bëjnë detyrën dikur më të bekuar në botë. Dua të uroj, por kam frikë se në këtë urim përfshihen edhe ata që “i kanë shërbyer" vetes me 44 mije diplomat false që kanë dhënë. Kam frikë se në këtë urim mund të përfshihen edhe ata pedagogë, që kanë arritur të quhen të tillë me diploma false. Kam frikë se në këtë urim do përpiqen të gjejnë veten edhe ata që pretendojnë se po drejtojnë arsimin duke e shpërfytyruar modelin e mësuesit dhe pedagogut. Dua të uroj, por kam frikë se shoqëria do tallet me ata mësues të ndershëm, që mezi presin të dalin në pension për të mos u bërë pjesë e kësaj maskarade, që quhet shpesh arsim. Megjithatë dua të vazhdoj të uroj: Gëzuar 7 Marsin, Shqipëri! Zoti na ndihmoftë të hapim sytë e të kuptojmë se pa dije dhe arsim jemi një komb në vdekje!”.

Agim Hushi, tenor

“T’i përulemi me respekt kësaj pjese të historisë”

“Kjo ditë ishte zgjedhur enkas nga historia si ditë e shenjtë e fillimit të rrugëtimit të arsimit shqiptar, në atë fillim pranvere të vitit 1887, kur do të niste marshimin historia e dijes shqiptare! Në Korçën ortodokse, pikërisht korçarët e famshëm Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami dhe Nuçi Naçi do hapnin shkollën e parë kombëtare laike në gjuhën shqipe. Ajo shkollë që do ishte në themelet e arsimit kombëtar shqiptar, që do të nxirrte breza shqiptarësh e dijetarësh të mëdhenj, luftëtare të kombit me armët e dijes, që do t’i dilnin zot kulturës dhe historisë tonë të lashtë jo vetëm me dyfekë, por dhe me penë e dije. Kjo Mësonjëtore do të ishte paraprijësja e universiteteve shqiptare, katedrave a laboratorëve të shkencës e dijes. Mësonjësit e asaj godine të thjeshtë në Korçën e 7 Marsit 1887 do ishin pishtarët e parë të asaj plejade të lavdishme pedagogësh e mësuesish të devotshëm të shkollës dhe edukimit shqip. Ne kulturën tonë kombëtare, 7 Marsi është një ditë e shenjtë ku të gjithë festojnë mirënjohjen për shkollën dhe mësuesit, këta heronj të civilizimit dhe përkushtimit ndaj formimit të brezit të ri të denjë për kombin dhe të ardhmen e tij. Që nga ideja e rilindasve frashërllinj, Naimit dhe Samiut, përpjekjet e tyre për të nxjerrë një leje për një shkollë shqipe nga Porta e Lartë në Stamboll u desh një përpjekje e madhe. Ishte Diamant Terpo, emigranti nga Bukureshti ai që dhuroi shtëpinë e tij, ku u hapën klasat e para të atij marsi të vitit 1887. Çdo 7 Mars është koha t’i përulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë kësaj pjese të historisë tonë që lulëzon përjetësisht çdo fillim marsi, si për të nderuar brezat e mësuesve dhe rrugën e diturisë shqipe”.

Miho Gjini, ish-pedagog

“Njësimi me nxënësit, kënaqësia më e madhe”

“Të kesh qenë mësues apo pedagog dhe kalojnë vite e dekada me nxënës e studentë, kënaqësinë më të madhe të komunikimit me ta e ke vetëm kur e ndjen veten të njësuar me shpirtin e tyre, me moshën, me dëshirat edhe aspiratat që ata kanë. Dhe më pas, kur ata rriten e nuk do t’i njohësh më, befas si burra, baballarë dhe gjyshër dhe ti i thinjuri a flokërënë nuk ke për t'i njohur me, po kujtesa, mirësia e fisnikëria e tyre do të të ndalë në rrugë për te ta rikthyer të shumëfishuar vlerën e dashurisë e të thjeshtësisë tende, ky është e mbetet ngazëllimi më i lartë përçaka ke investuar për ta. Ca me tepër akoma, kur vërteton ligjin e pashkruar se jo pak herë, nxënësi a studenti ia kalon edhe mësuesit të dikurshëm. Ndaje edhe 7 marsi është i mbushur edhe me befasi të tilla të këndshme, krahas urimeve, luleve e mirënjohjeve të pafundme që shpërndahen në këtë dite të shënuar e shumë të bukur”.

Elmaz Sherifi, pedagog

“Arsimi, melhemi i jetës”

“Dijet e fituara nëpërmjet arsimit dhe studimeve të thelluara, e përtërijnë njeriun dhe e bëjnë të vlefshëm për shoqërinë, ashtu si pranvera, me gjelbërimin dhe lulet shumëngjyrëshe u krijon mundësi bletëve të palodhura të përgatisin "melhemin e jetës". Më 7 mars 1887 ndodhi mrekullia për shqiptarët, pasi u themelua shkolla shqiptare me drejtor Pandeli Sotirin. Kjo ngjarje historike, kur shqiptarët ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane ka marrë përmasat e festës kombëtare. Urime për mësuesit dhe pedagoget shqiptarë, në Shqipëri dhe trevat shqiptare ku përmes gjuhës shqipe mësojnë historinë e shquar të genit ilir, arbër dhe shqiptar”.

Enrieta Sina, shkrimtare

“Të japësh mësim është art”

“Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vite. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si Pandeli Sotiri, Petroi Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj. Ishte kontributi i tyre i padiskutueshëm që si atdhetarë e veprimtarë të shquar bënë gjithçka për gjuhën shqipe. Ishin ata iniciatorë të krijimit të teksteve shkollore, të krijimit të bazës material për mësimdhënie, duke edukuar ndër nxënësit patriotizmin dhe atdhedashurinë. Ne e shqiptojmë me nderim emrin e mësuesit, i cili pas emrit të prindit është më fisniku, më i dashuri. Dhe ky zë krenarie kalon ndër breza si një gjerdan i artë diturie. E kush nga ne në këtë ditë nuk kujton me nostalgji mësuesen e klasës së parë? Fluturoja për të shkuar në shkollë, për t’u ulur në bankë, për t’u takuar me shokët e shoqet, por mbi të gjitha për të dëgjuar zërin e asaj mësueseje që s’kam për ta harruar kurrë. Dhe kujdesi për librin të tregohej në familje nuk ishte rastësi. Ai kujdes na ngjiti në shkallët e dijes. Çdokush nga ne, ka kujtime të bukura nga bankat e shkollës. Një nostalgji që të ndjek gjithë jetën. Sa bukur është të rritesh duke mësuar. Për njeriun nuk ka thesar më të madh se sa një mendje që di. Da Vinçi ka thënë: “Të fitosh njohuri është punë e dobishme për mendjen e njeriut, sepse vetvetiu largohen gjërat e padobishme dhe mbeten të mirat. Dihet që asgjë nuk mund ta dashurojmë ose ta urrejmë, po nuk ditëm më parë se ç’është”. Thënia se e ardhmja është në duart e mësuesit të shkollës është aktuale për çdo brez e në çdo kohë dhe se sikur të pushonte jeta arsimore, bota do të binte në barbarizëm. Mësuese! Sa bukur tingëllon kjo fjalë! Dhe ky zë krenarie kalon ndër breza si një gjerdan i artë diturie. I kam ende të freskëta kujtimet e mia si mësuese në fshatin Kuç të Vlorës, kur isha vetëm 19 vjeç. I mora dhe unë urimet nga fëmijët e fshatit, nxënësit e mi, me tufat e luleve që mbanin për të  m’i dhuruar dhe sot akoma nuk harrohem prej tyre. Sa krenari kur mëson rritjet cilësore të dijeve prej atyre që shumë vite më parë u ke mësuar abetare... Të japësh mësim është art. Me këtë art në gojë mësuesit të zgjojnë kureshtjen për të ditur më shumë nga klasa e parë deri në marrjen e doktoraturave pas Universiteteve. Është një ngjitje që kërkon shumë vullnet dhe hapat për këtë ngjitje mos harro asnjëherë t’i ka mësuar t’i hedhësh: Mësuesi!”.

 

Prof. dr. Ago Nezha, pedagog

“Duhet të investojmë dhe arsimojmë popullin”

“7 Marsi është dita e mësuesit, një ditë e shenjtë jo vetëm për komunitetin e mësuesve, por për gjithë popullin shqiptar. Aty nis emancipimi i shoqërisë shqiptare duke lënë pas injorancën, prapambetjen, errësirën shekullore të mungesës së dijes dhe kulturës kombëtare. Shkolla e parë shqipe “Mësonjëtorja” ishte një revolucion kulturor në mendjen dhe ndërgjegjien kombëtare. Të lexuarit të bën të ditur, të biseduarit të bën të shkathët dhe të shkruarit të bën të saktë. Ndaj duhet ta duam librin si gjënë më të shenjtë. “Një dhomë pa libra si një trup pa shpirt”, thoshte Ciceroni. Një popull vlerësohet sesa i qytetëruar është, nga sa është i arsimuar. Shteti dhe shoqëria në rast se duan ta çojnë përpara vendin, duhet të investojnë dhe arsimojnë popullin në shtrirje të gjerë. Arsimi është fytyra e kombit”.