Fluturimet e muajit shkurt, vonesa nga kompanitë ajrore dhe kompensime për pasagjerët

Fluturimet e muajit shkurt, vonesa nga kompanitë ajrore dhe kompensime për pasagjerët
Në raportin e performacës së Autoritetit të Aviacionit Civil shkruhet se në muajin Shkurt u regjistruan probleme me vonesat sidomos të disa kompanive ajrore që operojnë fluturime drejt Italisë.

“Nga të dhënat zyrtare që vijnë nga sektori për të drejtat e pasagjerit, rezulton se numrin më të lartë të vonesave për këtë muaj, vijon ta ketë kompania “Fly Ernest”, që zhvillon disa fluturime ditore me Italinë. Nga të dhënat rezulton se kjo kompani ka regjistruar 7 vonesa për muajin e kaluar, disa prej të cilave mbi 3 orë, dhe deri në mbi 7 orë.

Kompanitë e tjera nuk kanë regjistruar probleme, kjo e lidhur edhe me numrin e ulët të pasagjerëve që kërkojnë të udhëtojnë. Kompania e dytë me problematike është “Adria Aiways”, e cila ka anuluar një fluturim. Ndërkohë që kompania tjetër që operon me Italinë “Blue Panorama”, ka regjistruar vetëm një vonesë përgjatë muajit të kaluar” thuhet në buletinin mujor të AAC-së.

Po sipas buletinit, numri i kompensimeve për muajin Shkurt është rritur me 100 kompensime më shumë krahasuar me muajin Janar. Aktualisht kompanitë ajrore kanë kompensuar me rreth 250 euro ose me bileta, rreth 800 pasagjerë që kanë plotësuar formularët e ankimimit për shkak të vonesave apo anulimit të fluturimit të tyre.

Pritet që në total numri i kompensimeve të rritet edhe më shumë pasi rreth 1200 formularë të tjerë ankimimi janë pranuar nga kompanitë ajrore dhe janë në proces mbylljeje. Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar përsërit apelin ndaj gjithë pasagjerëve që kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar, në mënyrë që të përfitojnë 250 eu kompensim, të komunikojnë me kompanitë që kanë plotësuar formularët sepse është e nevojshme verifikimi ose dërgimi i dokumenteve të nevojshme.

“Në rastet se ata do të hasin probleme, të kontaktojnë sektorin e të drejtave të pasagjerit të AAC në numrat e telefonit ose e-mailin si më poshtë. Nga të dhënat zyrtare kompania që respekton të drejtën e pasagjerëve për kompensim mbetet Blue Panorama. Ndërsa më problematike mbetet kompania Fly Ernest me vetëm 96 të tilla, ndërkohë që renditet si kompania më problematike me numrin më të lartë të vonesave dhe anulimeve të fluturimeve. Kompania Wizz Air, gjithashtu ka kompensuar një numër të konsiderueshëm pasagjerësh të kompensuar duke shkuar në 74, pavarësisht se renditet ndër kompanitë më serioze në respektimin e orareve”, deklarohet në buletin. /l.k./