Fiorin Durmishaj, lamtumira që “fshihet”! Shqipëria tradhtarët t'i gjejë diku tjetër!

Fiorin Durmishaj, lamtumira që “fshihet”! Shqipëria tradhtarët t'i gjejë diku tjetër!
Koment: Pas kontakteve me Federatën Greke, sulmuesi 22-vjeçar shqiptar pasi shkëlqeu me Panionios, ka pranuar helenët dhe më tej ka refuzuar kuqezinjtë. Lajmi pritet të zyrtarizohet në muajin mars !

Nga Aranit Muraçi

Fiorin Durmishaj nuk është “tradhtari” i radhës, siç po interpretohet sërish, ashtu si në raste të tjera kur disa futbollistë shqiptarë apo me origjinë shqiptare, kanë refuzuar ofertën kuqezi. Ky rast është një rast i zakonshëm, i një futbollisti në karrierë. Një futbollist i lindur dhe i rritur në një vend tjetër, ku edhe e ka zhvilluar talentin, merr normalisht vlerësime nga vendi që e mirëpriti, ndoshta edhe më të mëdha se çdo të merrte nëse do ta zhvillonte karrierën në vendin amë. Historinë e sportistëve elitarë të vendit tonë, në këto dy dekada, e njohin të gjithë. E vërteta është se në Shqipëri janë tradhtuar me mijëra talentë. Ata janë lënë rrugëve, janë braktisur. Fëmijët dhe e ardhmja e Shqipërisë, bashkë me prindërit e tyre, në këto 28 vite vazhdojnë të largohet jashtë për një jetë më të mirë. Dhe ky fenomen ka arsye, ka edhe përgjegjës. Por ku janë dhe kush janë? Përse e tëra kritika nuk është e fokusuar aty. Përse Shqipëria nuk nxjerr lojtarë të talentuar, që të mos jetë në varësi të lojtarëve, që janë të rritur e kanë spikatur nëpër vende të tjera, edhe pse ata janë shqiptarë?

Përse duhet të shpresojmë ende tek ata lojtarë, që rriten e përgatiten në vende të tjera dhe të mos mendojmë, të punojmë dita-ditës për të rritur nivelin e sportit në vendin tonë, për të zhvilluar infrastrukturën sportive, apo që të shtojmë masivitetin tek fëmijët dhe të rinjtë që rriten në këtë vend.

Përse nuk fokusohet vëmendja tek koha që vrasin të rinjtë nëpër kafene, tek eksodi i largimeve, te neglizhenca dhe vizioni i shtetit tonë, për të zhvilluar ardhmen e tyre këtu. E ardhmja e Durmishaj, dhe e të tjerëve që e kanë refuzuar apo do ta refuzojnë Shqipërinë, nuk është e garantuar, ashtu sikurse nëse ai do të pranonte ofertën kuqezi, asnjë garanci nuk do të kishte për suksesin dhe të ardhmen e Shqipërisë. E ardhmja jonë duhet ndërtuar dhe gjetur pikësëpari këtu, ashtu si edhe “tradhtia e vërtetë” duhet gjetur pikërisht këtu, ku të rinjtë dhe talenti prej dekadash nëpërkëmben çdo ditë.

Fiorin Durmishaj, lamtumira që “fshihet”! 

Dua të luaj me Greqinë!” Fiorin Durmishaj, sulmuesi 22 vjeçar shqiptar i Panionios, i lindur në Athinë, është cituar të ketë thënë kështu në mediat helene. Mësohet nga stafi kuqezi ,se pavarësisht ofertës që mori që në dhjetor nga Christian Panucci, për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare, në kualifikueset “Euro 2020” , sulmuesi pas ofertës greke i ka humbur kontaktet me trajnerin. Ai për shkak të ofertës së Kombëtares greke, kuptohet se ka zgjedhur përfundimisht të bëhet pjesë e saj.  Greqia është gati të ftojë Fiorin Durmishajn për ndeshjet kualifikuese të muajit mars. Lojtari që e ka zhvilluar karrierën në Greqi, pavarësisht se ka veshur me herët fanellën e Shqipërisë U-21, vendosi që t’i bashkohej kësaj përfaqësueseje, duke i dhënë lamtumirën e papritur Shqipërisë. Por miqtë e lojtarit si dhe familjarët e tij janë shprehur tw befasuar kur trajneri i Greqisë, Angelos Anastasiadis bëri të ditur se do të ftonte futbollistin me origjinë shqiptare në ekipin e tij.

Stafi i ekipit kombëtar grek ishte futur në bisedime prej javësh me Durmishaj. Zyrtarët e Federatës Greke pretenduan se Durmishaj kishte dhënë pëlqimin e tij, që të luante me përfaqësuesen e këtij vendi. Por asnjëherë nuk ishte diskutuar se kur do të bëhej njoftimi, për shkak të faktit se Durmishaj kishte një të kaluar me Shqipërinë kur veshi fanellën U-21, si dhe i ishte bërë oferta e Panucci-t për t’u bashkuar me Kombëtaren e parë. Sipas mediave greke, deklarata e bërë nga trajneri si dhe ajo e menaxherit të përfaqësueses helene, Angelos Basinas, e ka gjetur disi të papërgatitur lojtarin, i cili është përballur me kërkesa të shumta për të konfirmuar se me cilin ekip përfaqësues do të bashkohet. Megjithatë, pas heshtjes së tij dhe konfirmimit që i bënë zyrtarët e Kombëtares greke, fshihet thjesht debutimi i Durmishaj me fanellën e Greqisë, në kualifikueset e Europianit 2020. /A.  Muraçi/

Roma sot vendos për trajnerin, Panucci sjell “drithërima kuqezi”

Trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco, pas humbjes së fundit 3-0 me Lazio, duhet të sigurojë sot kualifikimin në çerekfinale të Champions League, ndryshe shkarkimi i tij është i sigurt. Roma e ka fituar 2-1 ndeshjen e parë, ndërkohë që si favorit kryesor për trajner të Romës mbetet ish-trajneri i Fiorentinës, Paulo Sousa. Por edhe ish-mbrojtësi i këtij ekipi Christian Panucci, trajneri i Kombëtares sonë, shihet si zgjidhje provizore e situatës. Mediat italiane raportojnë se pas këtij sezoni, Roma synon në stol ish-trajnerin e Napolit, aktualisht te Chelsea, Fabrizio Sarri, ndaj edhe e sheh Panucci-n pranë marrëveshjes. Në një rast të tillë, kjo do të ishte goditje e madhe për kuqezinjtë në vigjilje të kualifikuesve “Euro 2020”.

Rastet zhgënjyese/  Lojtarët që refuzuan Shqipërinë dhe “gënjyen” veten

Adnan Januzaj bëri bujë kur refuzoi ofertën e Shqipërisë. Ai zgjodhi Belgjikën, me ëndrrën se do të luante në Botëror, por është lënë në stol derisa nuk u grumbullua fare gjatë eliminatorëve të fundit në Botërorin “Rusi 2018”. Ndërkohë ka edhe raste të tjera edhe më zhgënjyese si ajo e Elvis Kabashit, që pas refuzimit të Shqipërisë, dështoi me klubet e tij për të zhvilluar karrierën, duke mos realizuar ëndrrën e përfaqësimit me Italinë. Por edhe në Greqi ka pasur raste të shumta zhgënjimi me lojtarë, që kanë refuzuar Shqipërinë, për të luajtur me përfaqësuesen helene. Sotir Nini nuk pranoi që të vinte me Shqipërinë, duke iu përgjigjur ofertës sw Kombëtaren greke, por pa mundur që të jetë pjesë e saj në karrierën e mëtejshme. Shkodran Mustafi, mbrojtësi që zgjodhi Gjermaninë me ëndrrën e përfaqësimit me këtë ekip në evente të mëdha, e refuzoi gjithashtu Shqipërinë. Ai u bë pjesë e Gjermanisë dhe e shijoi trofeun e Kupës së Botës në stol, gjatë finaleve të kaluara “Brazil 2014”. Ka pasur edhe raste të tjerë, që lojtarë me origjinë shqiptare kanë refuzuar ofertën kuqezi, por nuk kanë mundur të bëhen dot pjesë e ekipeve të tjera përfaqësuese në Europian apo Botëror.

Rastet premtuese/Zvicra rekord, ndau edhe vëllezërit më Shqipërinë

Rastet kur lojtarë me origjinë shqiptare, të cilët kanë refuzuar Shqipërinë për një ekip tjetër përfaqësues dhe pas kësaj zgjedhjeve kanë pasur sukses, janë më të shumta te ekipi përfaqësues zviceran. Granit Xhaka dhe Valon Behrami me Zvicrën, të cilët kanë luajtur në finalet e fundit të Botërorit dhe Europianin, jo vetëm si titullarë por edhe si protagonistë kryesorë, e refuzuan Shqipërinë për këtë arsye. Ata e shihnin Zvicrën si një mundësi të mirë për të qenë pjesë e eventeve të mëdha.  Xherdan Shaqiri, apo  Mehmedi apo Xhemajli e kanë zgjedhur Zvicrën, para se Shqipëria t’u bënte një ofertë. Ndërkohë që i fundit nga Zvicra, që refuzoi ofertën e Shqipërisë ishte sulmuesi Albion Ajeti. Talenti me origjinë shqiptare, edhe pse vëllai i tij përfaqëson kuqezinjtë, preferoi Zvicrën si mundësi më të mirë për të lënë gjurmë në Europian apo Botëror. Më herët ishin vëllezërit Xhaka, Graniti e Taulanti, njëri prej të cilëve zgjodhi Zvicrën dhe tjetri Shqipërinë. Në këtë këndvështrim, lojtarët që kanë zgjedhur Shqipërinë, rezulton se nuk është se kanë refuzuar ndonjë ekip tjetër përfaqësues për hir të patriotizmit, por sepse e kanë pasur si zgjedhjen e tyre më të mirë.