EURO 2020/ Mbrojtja e blinduar, Veseli: I kemi mundur Francën dhe Turqinë

EURO 2020/ Mbrojtja e blinduar, Veseli: I kemi mundur Francën dhe Turqinë
Të premten në “Loro Boriçi”, Shkodër, ora 20:45, ndeshja e parë kualifikuese për kuqezinjtë ndaj Turqisë, e vlefshme për Grupin H, në një atmosferë të jashtëzakonshme 

Nga Aranit Muraçi

Frederik Veseli, mbrojtësi i Empolit, fakti që luan në një ligë ndër më të fortat në Europë, Itali, i jep edhe më shumë siguri prapavijës, në përballjen me Turqinë. Porta pavarësisht mungesës së Strakoshës, ka një emër të njohur të Seria A, Etrit Berishën. Mbrojtja kuqezi ka emra të tjerë të spikatur, po aq të dalluar në Seria A si Elseid Hysaj, apo Berat Djimsiti, por edhe një tjetër lojtar që ka pasur të njëjtën eksperiencë, Arlind Ajeti. Egzon Binaku, mbrojtësi i ardhur nga Suedia, i vetmi lojtar i fituar nga testet e vitit të kaluar prej Panucci-t, është dëmtuar, çka i hap rrugë mundësisë së aktivizimit të Veselit, megjithatë mbrojtësi thotë se pranon çdo vendim të trajnerit. Mbrojtësit e rinj, Ardian Ismajlaj dhe Ivan Balliu, janë gjithashtu në dispozicion të trajnerit. E rëndësishme, sipas Veselit, pavarësisht se kush do të luajë, mbetet fitorja ndaj Turqisë.   - “Duhet të mundohemi të marrim tre pikët më parë ndaj Turqisë, do të përqendrohemi ndeshje pas ndeshje dhe qëllimi është fitorja,” - shprehet ai, duke sugjeruar të mos bëhen llogari para kohe për Andorrën. - “Nuk është se pres medoemos të jem nga minuta e parë, por jam në dispozicion të trajnerit. E ndjej veten mirë me Empolin. Do të kisha dëshirë të luaja, por këtë e vendos trajneri.”

Mbrojtësi 26-vjeçar e favorizon edhe fakti që luan në rolin e qendërmbrojtësit, por edhe në krah. “Jam i sigurt se mund të ndihmoj ekipin në pozicione të tjera. Nëse më vendos qendërmbrojtës e di që jap më të mirën aty”, shprehet Veseli. Kombëtarja ka pasur probleme mes trajnerit dhe disa lojtarëve pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, por ato duket se janë sheshuar falë edhe fitores kundër Uellsit, në miqësoren e fundit. Veseli pranon se harmonia është rikthyer, sikurse Shqipëria ka treguar se di të fitojë edhe me kundërshtarët që kemi në grup.  “Me sa mbaj mend edhe si lojtar, Shqipëria ka mundur edhe Francën e Turqinë, më parë. Islanda ka marrë pjesë vitet e fundit në Euro e Botëror, është shumë e fortë, por ne kemi cilësitë tona dhe me shpirtin e grupit, do të shfrytëzojmë shanset tona.”

Lidhur me sulmin e kundërshtarit, që përbëhet ngas emra si sulmuesi i Milan, Hakan Çalhanoglu, mbrojtësi Veseli, shprehet se kjo nuk i përbën aspak përshtypje. Nuk duhet ta kemi frikë, edhe ne kemi sulm të mirë e lojtarë të mirë. I respektoj, por nuk është se janë Mesi apo Ronaldo. Sigurisht, ka cilësi, duhet t’i studiojmë mirë.” Panucci ka bërë një mbledhje dhe analizë me lojtarët pasditen e djeshme, mbi pikat e forta dhe të dobëta, ndaj Turqisë.