Euro 2020: Kombëtarja, ëndrra e 6 pikëve për Marsin 

Euro 2020: Kombëtarja, ëndrra e 6 pikëve për Marsin 
Kuqezinjtë nisin aventurën e kualifikueseve Euro 2020, me ndeshjet ndaj Turqisë e Andorrës. Gjashtë pikë në dy ndeshjet e para shihet si shansi i artë për t’i hapur rrugë kualifikimit të dytë historik

Nga Aranit Muraçi

Dy fitore të mundshme, ndaj Turqisë në “Loro Boriçi” dhe ndaj Andorrës në transfertë, do të ishin nisja më e mirë e kualifikueseve “Euro 2020” për Kombëtaren e Shqipërisë.  Trajneri Christian Panucci tha se i ka idetë e qarta dhe ka muaj që punon për ta nisur mbarë aventurën e kualifikuesve Euro 2020. Një nisje e tillë do ta rikthente Tiranën në një festë të madhe në qershor. Më 11 qershor ndaj Moldavisë Shqipëria luan ndeshjen e tretë, ndeshje që do të inagurojë edhe stadiumin i ri “Arena Kombëtare” , çka e bën misionin kuqezi për të dalë me pikë të plota, më të rëndësishëm se asnjëherë tjetër. Stafi kuqezi para se të bëhej publike lista me të grumbulluarit për dy ndeshjet e para zyrtare të marsit pranoi se edhe katër pikë do të ishin një tregues pozitiv. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u vërtetuar në fushë. Gjatë vitit të kaluar në miqësore dhe në Ligën e Kombeve, Kombëtarja e Shqipëria nuk bindi as në lojë dhe as në rezultat. Pse duhet të besojnë tifozët se në kualifikueset Euro 2020 kemi një kombëtare ndryshe?

Kombëtarja e Shqipërisë ka portën dhe një nga mbrojtjet më të mira, krahasuar me ekipet e tjera të grupit, përveç Francës. Dy portierët, Berisha e Strakosha, jo vetëm luajnë në Seria A, por janë ndër më të dalluarit te Lazio e Atalanta. Mbrojtësit Hysaj, Djimsiti, janë gjithashtu titullarë të padiskutueshëm. Mavraj, Veseli, Ajeti, luajnë gjithashtu në Itali e Gjermani dhe kanë përvojë. Të rinjtë si Ivan Baliu me Metz, Ardian Ismajli me Hajduk Split në Kroaci, Egzon Binaku e Ylber Ramadani në skandinavi, po rezultojnë gjithnjë e më shumë bindës.  Pa llogaritur argjentinasin Thomas Guidara.

Në mesfushë, Eros Grezda, Odise Roshi, Taulant Xhaka, Migjen Basha, të rinjtë të fituar si Myrto Ozuni, Emanuele Ndoj, po rezultojnë gjithnjë e më bindës në ekipet  e tyre. Po ashtu edhe Amir Abrashi, i rikthyer pas dëmtimit.

Sulmit përveç emrave që ishin vitin e kaluar i rikthehet Armando Sadiku, pika më e fortë kuqezi. Panucci pritet t’i besojë sulmit ndaj Turqisë sulmuesit që është huazuar pas rikthimit nga dëmtimi, me shpresë se do të gjejë golat e munguar.  Dy ndeshjet e para do të jetë test i madh mbi ecurinë  e mëtejshme, ku ndaj Turqisë Shqipëria luan për të mos humbur, me një mbrojtje solide të cilën trajneri e ka gati. Por a do ta bëj mrekullinë me 6 pikë të plota, për të rritur shanset e ndonjë kualifikimi të mundshëm në finalet e Euro 2020?!

 

Risitë dhe konfirmimet e Panucci-t

Trajneri italian ka bërë edhe plane për të ardhmen. Fiorin Durmishaj ishte zhgënjimi i madh i tij, pasi mori ftesë dhe e refuzoi atë për të vijuar karrierën me Greqinë. Kristi Qose i cili po shkëlqen me Ruzomberok pritet të jetë një ndër risitë e Panucci, sikurse shpresojnë rikthimin Azdren Llullaku e ish-lojtarë të tjerë, të cilët po spikasin në këto vite.