Ëndrra “përgjysmë” e të atit, Strakosha e bën realitet  

Ëndrra “përgjysmë” e të atit, Strakosha e bën realitet  
Thomas Strakosha nuk iu bashkua kuqezinjve në kualifikueset Euro 2020. Mësohet se Totenhem po kërkon të mbyllë që tani marrëveshjen për 40 mln euro me Lazio, por e kundërta ndodh me mbrojtësin Elseid Hysaj, që pas një viti diskutimesh me Chelsea pret të rinovojë me Napolin     

Nga Aranit Muraçi

Ishte ëndërr dikur për çdo lojtar shqiptar, që të bëhej pjesë e ligave dhe e klubeve më të mëdha në Europë. Me këtë ëndërr u rritën të gjithë, por e kishin të pamundur ta realizonin gjatë periudhës së izolimit komunist. Brezi i parë i lojtarëve më të talentuar shqiptar që pati këtë fat i përkiste viteve të ndryshimeve të mëdha politike. Mes tyre, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares, Foto Strakosha, i cili spikati me Dinamon në kampionatit shqiptar. Foto si shumë të tjerë lojtarë të atyre viteve provoi një eksperiencë tjetër, duke u bërë pjesë e klubeve më të njohura greke pas viteve ’90. Në Athinë lindi Thomas, i cili vendosi të ndiqte karrierën e të atit dhe përveç dëshirës që ta zëvendësonte po aq denjësisht në portë, dëshirë që e realizoi shpejt, ndryshe nga i ati, pati edhe fatin që ëndrrën për të luajtur me një klub të madh ta bënte po ashtu realitet. Strakosha vlerësohet sot si një ndër portierët më të spikatur te Lazio në Itali dhe në Europë. Vlera prej 40 mln euro që Totenhem është gati të paguajë për kartonin e tij konsiderohet ndër 3-4 më të lartat në historinë e merkatos së portierëve në botë. Karriera e tij e nisur në Romë me Lazio dhe pavarësisht kalimit ose jo të tij në Londër, është ëndërr e bërë realitet për shumë lojtarë shqiptar, që nuk e patën dikur këtë mundësi.

Thomas Strakosha

Totenhem po interesohet për të blerë kartonin e portierit të Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha. Trajneri Mauricio Pochettino është në kërkim të një portieri të perspektivës, për të zëvendësuar Hugo Lloris. Strakosha, 24-vjeç, ka shkëlqyer gjatë këtij sezoni me Lazio. Në 122 ndeshje që ka zhvilluar me ekipin e njohura të Seria A, ai nuk ka pësuar gol në 33 prej tyre, shifra këto që e bëjnë një emër të lakmueshëm për çdo ekip tjetër, e më konkretisht për të ardhmen e portës së skuadrës së njohur londineze. Bazuar në bisedimet e para, Totenhem është gati të paguajë që tani 40 milionë euro, për të siguruar firmën e tij, para se të mbyllet sezoni. Strakosha ka një pagë prej 2 milion euro në sezon me Lazio, por Totenhem është gati t’i afrojë 1 milion euro më tepër, që të joshë portierin shqiptar, për të nisur pas këtij sezoni karrierën në Londër. Edhe pse ka tre vite të tjera kontratë, Lloris nuk ka qenë në formë gjatë këtij sezoni. Për këtë arsye lidhur me objektivat e lartë në Premier League, apo edhe në Champions, Totenhem është gati të sakrifikojë duke vënë në dispozicion shuma marramendëse, për të siguruar portën.  Klubi i Premier League po mendon edhe për shitjen e Michel Vorm, i cili nuk ka bindur, ndërsa Pochettino dëshiron sa më shpejt që të gjejë zëvendësuesin e Lloris. Strakosha ndonëse ka edhe ai kontratë dhe është në formë të shkëlqyer me ekipin italian mund të lihet i lirë nga Lazio, për shumën që afron Totenhem.

Elseid Hysaj

Interesi i vazhdueshëm prej një viti i klubit të Chelsea për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare thuajse ka rënë. Napoli nuk pranoi të pranonte ofertën e Bluve të Londrës për Elseid Hysajn, që shkoi deri në 35 ml euro, pavarësisht  insistimit të ish-trajnerit të tij, Maurizio Sarri, që drejton aktualisht Chelsea. Për të mundësuar blerjen e qendërmbrojtësit në “Stamford Bridge” nuk po interesohet më askush, pasi pozitat e trajnerit Sarri janë dobësuar, aq sa bëhet i sigurt shkarkimi i tij. Ndërkohë pas dy ndeshjeve me Kombëtaren në kualifikueset Euro 2020, Hysaj me t’u kthyer në Napoli, ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratës. Agjenti i tij pritet të takohet me drejtuesit e Napolit, për të zgjatur kontratën ekzistuese që skadon në vitin 2021. Napoli po bën përpjekje për të mbajtur lojtarët më të mirë, pasi disa nga yjet e kësaj skuadre si Kalidou Koulibaly dhe Dries Mertens nuk kanë rinovuar deri tani, me synimin për t’u larguar në verë.