DUKURIA/ Pse talenti nuk gjen dot vend, në vendin e vet!

DUKURIA/ Pse talenti nuk gjen dot vend, në vendin e vet!
Shaqir Tafa i lindur në Itali dhe produkt i Palermos si dhe Armando Broja i lindur në Angli dhe pjesë e Akademisë së Çelsit, ishin dy lojtarët që shkëlqyen ditët e fundit me kuqezinjtë   

Nga Aranit Muraçi

Për një përfaqësim sa më dinjitoz në arenën ndërkombëtare, pse jo për të pasur edhe sukses, Shqipëria po bazohet gjithnjë e më shumë te fëmijët e emigrantëve. Pas viteve ’90 emigruan me mijëra shqiptarë, kryesisht në vendet fqinje, Greqi dhe Itali. Më herët drejt perëndimit kishin emigruan edhe familjet shqiptare nga Kosova. Por ndryshe nga Shqipëria, që në vend të zhvillonte sportin, e shkatërroi atë gjatë tranzicionit, fëmijët e familjeve që emigruan patën fatin të zhvillonin talentin e tyre, disa prej të cilëve duke ruajtur origjinën. Dhe sot Kombëtaren A, U-21, U-19 dhe me radhë, e dominojnë lojtarë të talentuar, që vijnë nga jashtë kufijve, madje kanë lindur në emigrim. Shembujt e fundit të dy lojtarëve të talentuar, që spikatën me golat e realizuar për ekipet U-21 dhe U-19, tregojnë se cilësia dhe talenti nuk gjejnë dot vendin e duhur brenda kufijve.

Shaqir Tafa

Tek klubi italian Palermo, ka festë. Mes lojtarëve të kësaj skuadre, që janë bërë pjesë e ekipeve kombëtare, si Nestorovski, Trajkovski, Aleesami, Puscas, ka shkëlqyer shqiptari Shaqir Tafa. Klubi i Palermos njofton tifozët se mbrojtësi, produkt i tyre, shënoi golin e vetëm për Kombëtaren U-21 të Shqipërisë në ndeshje kualifikuese me Turqinë. Ndonëse kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi e humbën ndeshjen 2-1, për Palermon fakti që mbrojtësi i tyre ka gjetur rrugën e rrjetës, tregon nivelin e lartë që ka paraqitur në një ndeshje ndërkombëtare Tafa. Dhe në fakt, në dy ndeshjet e kombëtareve tona kundër Turqisë, goli i tij ishte i vetmi për Shqipërinë, që dhuroi ato emocione për tifozët kuqezi. Kombëtarja A humbi 2-0 me Turqinë, ndërkohë që Tafa me paraqitjet dhe golin e shënuar, ka hedhur një hap të sigurt, për të qenë më tej pjesë e përfaqësueses së parë.  Për të luajtur, ai është huazuar te Cuneo në Seria C nga ekipi i Palermos. Mbrojtësi i lindur më 14 nëntor 1998, në Fondi, është një fakt tjetër i trishtueshëm, që provon se shpresat e Shqipërisë që të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare mbeten të mëdha tek emigrantët dhe fëmijët e tyre.

Armando Broja

Kombëtarja Shqiptare U-19 barazoi 1-1 në një miqësore të fundit me Maqedoninë e Veriut, ndeshje që u zhvillua në Korçë. Shqipëria e gjeti golin në minutën e 60-të me anë të Armando Broja, sulmuesit të talentuar që aktivizohet në Angli tek Chelsea. Broja ka lindur në Angli, më 10 shtator 2001. Ai karrierën e nisi me klubin e famshëm londinez që kur ishte 9-vjeç dhe është pasi është zbuluar si talent i së ardhmes, është bërë pjesë e ekipeve tona kombëtare.  Qendërsulmues, shtatlartë, Borja ka të dhëna për të një ardhme te sigurt, çka bën optimist stafin kuqezi, e sidomos trajnerin Nevil Dede, ndërkohë që paraqitjet dhe shkëlqimi i tij, përbën edhe një alarm mbi mungesën e talentit nga klubet shqiptare.  Shqipëria U-19 do të luajë një miqësore tjetër sot, kundër  Maqedonisë, në Ohër.

 

Dede e Bushi, përballë një “realiteti të hidhur”!

Trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, Alban Bushi, apo Nevil Dede, janë më pranë këtij  realiteti. Si ish-lojtarë të Kombëtares, ata ndryshe nga të grumbulluarit e viteve të fundit, dolën nga klubet shqiptare, që dikur funksiononin dhe nxirrnin talentë. Por edhe ish-lojtarë të tjerë të Kombëtares, që kanë dalë nga klubet shqiptare, kanë ngritur shqetësimin, se futbollit shqiptar vit pas viti po i humbet talenti, çka reflektohet edhe në krizën financiare që shoqëron klubet, apo në audiencën e publikut.