Do që të kesh një super-pagë? Puno në bankë, ose kompani sigurimesh

Do që të kesh një super-pagë? Puno në bankë, ose kompani sigurimesh
Do që të kesh një super-pagë? Puno në bankë, ose në kompani sigurimesh. Sepse vetëm në këta dy sektorë, aktualisht në Shqipëri përfitohen rrogat më të larta. Kështu pohojnë të paktën shifrat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, sipas të cilave paga mesatare mujore në “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” në fund të vitit të kaluar arriti deri në 111.626 lekë. Shifër kjo, që përveçse e lartë për standardin shqiptar të jetesës rezulton se është rritur jo vetëm në krahasim me vjet, por edhe me një tremujor më parë. Nga ana tjetër, duhet thënë se këtë nivel pagese nuk e arrijnë dot as ata që cilësohen si “ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, paga mesatare mujore e të cilëve vjet ka qenë 101.886 lekë.

Gjithsesi, duhet thënë se këto dy kategori njerëzish në Shqipëri, paguhen gati me 2-fishin e pagës bazë mesatare, e cila është 52.312 lekë në muaj. Duke i bërë ata më të privilegjuarit në këtë aspekt, ndryshe nga njerëzit që punojnë për shembull në bujqësi, të cilët vazhdojnë të jenë më të diskriminuarit sa u përket pagesave. Me një pagë që vërtitet në vetëm 37.364 lekësh në muaj, ata renditen kështu edhe më poshtë pagës mesatare që merr një i punësuar. Pak a shumë, njësoj si ata që bëjnë tregti, merren me transport, apo punojnë dhe nëpër bare-restorante, pagat mesatare të të cilëve nuk i kalojnë 38.292 lekë në muaj. Apo edhe ata që ndërtojnë, apo nxjerrin minerale, të cilët nuk marrin në muaj më shumë se 43 apo 44 mijë lekë.

Ndërkaq, të gjitha kategoritë e të punësuarve rezulton se marrin një pagë më të lartë se ajo mesatarja prej 52.312 lekësh në muaj. Duke nisur që nga punonjësit të cilët merren me arte, argëtim apo çlodhje, të cilat marrin 56.560 lekë. Duke vijuar më tej me ata që punojnë në administratë publike, mbrojtje, shëndetësi, aktivitete të punës sociale, të pasurive të paluajtshme, etj, që përfitojnë rreth 60-62 mijë lejë pagë mesatare në muaj. Ndërsa të vlerësuara mbeten edhe punët në sektorin e informacionit dhe të komunikacionit, të cilat paguhen mesatarisht me 77.719 lekë në muaj.