DHUNA NË STADIUME/ FSHF: Policia të ruajë rendin në vende publike ose ndërpresim kampionatin

DHUNA NË STADIUME/ FSHF: Policia të ruajë rendin në vende publike ose ndërpresim kampionatin
Federata Shqiptare e Futbollit ka kërcënuar me ndërprerje të kampionatit nëse nuk merren masa për të frenuar dhunën në stadiume dhe fushat e blerta.

“Jemi në mes të kampionatit dhe imagjino çfarë mund të bëhet në fund. Mund të shkohet në ndërprerje të kampionatit dhe shpresojmë që situata të mos agravohet... Do të shikohet në mënyrë serioze nëse do të ketë reagim. E them që të shoh reagimin e policisë dhe të marrë përgjegjësitë e tyre. Ruajtja e rendit në vende publike është detyrë e policisë së rendit thuhet në ligj por nëse ka interpretime të tjera nuk kemi faj”, tha në një dalje për mediat Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

Reagimi ka ardhur pas sulmit mbi arbitrin e ndeshjes Kamza-Laçi, Eldorian Hamiti, në stadiumin e Kamzës.

Pas ndeshjes, policia arrestoi presidentin e klubit të Kamzës, Naim Qarrin, drejtorin sportiv të klubit A.M., shefi i klubit A.B. dhe një tifoz, ndërsa janë shpallur në kërkim disa tifozē të skuadrës së Kamzës që çanë rrethimin dhe sulmuan arbitrin pas një penalltie të kontestuar prej tyre në favor të Laçit, në minutën e fundit të ndeshjes.

Policia e Shtetit është tërhequr nga sigurimi i rendit në stadiume, pasi i konsideron ambiente private të cilat duhet të sigurohen me roje private, të quajtura “stjuardë”, një mënyrë që aplikohet edhe në vende të tjera.

/a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google