Dhuna në stadiume, FSHF-Polici në krizë institucionale

Dhuna në stadiume, FSHF-Polici në krizë institucionale
Armand Duka: Policia me forca të shumta mbron deputetët në Kuvend, vetëm se pse ata nuk duan të komunikojnë me njëri-tjetrin, por neglizhon njerëzit e thjeshtë. Kërkohet rikthimi i Policisë në stadiume si edhe forcimi i shtetit  për parandalimin e episodeve të tilla    

Nga Aranit Muraçi

Presidenti i Federatës Shqiptare Armando Duka dënoi dhunën ndaj arbitrit në takimin Kamza-Laçi dhe kërkoi nga policia që të garantojë rendin dhe sigurinë gjatë ndeshjeve, duke sjellë në vëmendje praninë e shtuar të tyre dje para Kuvendit kur opozita protestonte, ndërsa zhvillohej seanca plenare.

Armand Duka reagoi dje nga Elbasani, ku inauguroi mjediset e reja sportive të një shkolle 9-vjeçare, përmes një projekti që drejtohet nga ish-kapiteni kuqezi, Lorik Cana. - “Jam i lumtur që jam në këto punë të mira, siç është edhe kjo fushë sportive në bashkëpunim me Lorik Canën. Ajo që ka ndodhur në Kamëz është ngjarje e shëmtuar. Futbolli për nga emocionet pozitive ka edhe këto anë negative, të cilat kërkojnë edhe masa. Duhet të kuptojmë edhe nivelin e shoqërisë shqiptare. Forcat e rendit duhet të ruajnë rendin. U mor vendimi që nuk duhet të jetë policia në fushë. Punonjës policie kishte sot në parlament, për moskomunikim të deputetëve. Drejtësia dhe prokuroria duhet të marrë masa. Federata ka marrë masa aq sa i takon. Masat e Komitetit të Disiplinës kanë qenë normale dhe brenda kuadrit të lojës. Pres reagim ndryshe,” – theksoi Duka. Pritet që ndaj Kamzës te ketë masa të ashpra, deri në përjashtimin e saj.

Incidenti

Gjyqtari i ndeshjes Kamza-Laçi, Eldorian Hamiti, i cili ra pre e dhunës dhe u shfaq me plagë në fytyrë, pavarësisht ngjarjes, u shpreh se është gati të kthehet në detyrë javën tjetër. Pasioni dhe vendosmëria, pavarësisht problemeve dhe rrezikut, e bëjnë atë të mos dorëzohet, madje edhe jashtë vullnetit të familjes. Gjyqtari i FIFA-s, ndër më të mirët që ka Shqipëria, pas ndeshjes për shkak një 11-metërshi që akordoi në favor të miqve, ra pre e një dhune së të patolerueshme të vendasve. Ndeshjen po e ndiqnin nga ekrani përveç mijëra sportdashësve, të afërm, familjar të tij: bashkëshortja e tij shtatzënë, e djali 5-vjeçar, të cilët përjetuan momente tmerri pas ndeshjes, janë drama tjetër që përjeton futbolli shqiptar, si të mos mjaftonin probleme të tjera pa fund. Pavarësisht se bashkëshortja publikisht i është drejtuar pas ngjarjes gjyqtarit Hamiti që ta lërë këtë zanat, sepse nuk mund t’i rrezikohet jeta me një zanat të tillë, kur “me një profesion tjetër çfarëdo mund të sigurojë të ardhura familjes”, ai publikisht u përgjigj se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Dhe besohet gjerësisht se falë pasionit që kanë të tillë njerëz mbahet gjallë sporti dhe futbolli. Autoritetet që do të parandalonin me kohë fenomenin, janë përballur me akuza të ndërsjella pas ngjarjes, duke krijuar përshtypjen se ato mund të përsëriten sërish.

Përplasjet   

FSHF dhe Policia e Shtetit janë futur në një krizë institucionale mes tyre, pas trazirave dhe incidenteve në Kamëz. Sipas FSHF-së, “policia kërkon që në çdo stadium të Shqipërisë të ketë kamera sigurie, sikur të mos mjaftonin pamjet ku agresorët janë filmuar në çdo ndeshje nga kamerat e transmetuesve zyrtar të ndeshjeve dhe reagimi ka qenë zero.” Madje FSHF pretendoi, nëse kjo është një betejë juridike “jemi gati ta sfidojmë.” “Nëse është një betejë burokratike”, - FSHF shtoi se “jemi gati ta injorojmë.” Institucioni i futbollit thotë se, “nëse është një betejë për të ndihmuar futbollin jemi gati të bashkëpunojmë, siç kemi kërkuar gjithmonë, në mënyrë që loja më e dashur e sportdashësve shqiptar të mbetet më e mira.” Këtë sezon sipas rregullores së re policia nuk garanton mbarëvajtjen e ndeshjeve brenda stadiumit, por qëndron jashtë, duke ia lënë atë forcave private të sigurisë, të cilat dështuan në përballjen Kamza-Laçi. Pas ndeshjes, zyrtarët thanë se një rregull burokratik, sipas së cilës kur ka incidente, duhej njoftuar 112 dhe më tej policia ndërhynte, ndonëse gjyqtari Hamiti u dhunua dhe forcat e rendit u futën me shumë vonesë për të normalizuar gjendjen.  FSHF, lidhur me pretendimet e Policisë së Shtetit, u shpreh se “ajo jeton në një planet tjetër kur deklaron se futboll në Shqipëri duhet të lejohet të luhet vetëm në dy stadiume, në Shkodër dhe Elbasan, pikërisht në ato stadiume që menaxhon FSHF.” Për fat të keq, sipas FSHF-së, “ky është realiteti shqiptar, ku organi që ka për detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë publike na mëson se si mund ta bllokojmë lojën më të bukur në botë.”

Të ndaluarit sot para gjykatës

Naim Qarri, President i Klubit Kamëz, Andi Matraxhiu, Drejtor Sportiv i Klubit Kamëz; Albert Bana, Shefi i Klubit Sportiv Kamëz si dhe E.Gj., një tifoz, si dhe gjashtë të tjerë të shpallur në kërkim janë identifikuar si përgjegjës të dhunës.  Të arrestuarit pas ngjarjeve do të dalin sot para gjykatës, për të mësuar fatin e tyre.