Deputeti Xhemal Qefalia: Zgjedhjet e parakohshme, precedent që mund të keqpërdoret nga çdo opozitë

Deputeti Xhemal Qefalia: Zgjedhjet e parakohshme, precedent që mund të keqpërdoret nga çdo opozitë
Intervistë për gazetën “Albanian Free Press”, me deputetin e Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia

***

Intervistoi: Albert Zholi

Ditët e fundit opozita me në krye PD dogji mandatet e deputetëve. Si e shihni këtë vendim?

Unë do të thosha se kolegët e mi deputetë hodhën një hap të gabuar, një hap të nxituar dhe të pa menduar mirë. Ky hap mbase ishte dhe emocional pas protestës, por dua të them se nuk ndodh në një vend demokratik të bëhet një hap i tillë. Në një shoqëri demokratike vendi ku përcillen hallet, shqetësimet e popullit dhe të elektoratit tënd është në parlament. Ai është tempulli i duhur për të bërë prezent gjithçka. Populli të ka dhënë votën që të ketë zërin e tij në Parlament. Kjo mënyrë veprimi besoj se nuk ka ndodhur dhe në asnjë vend qoftë ish-socialist pa diskutuar në një vend perëndimor me një demokraci të konsoliduar. Veprimi i kolegëve të mi në radhë të parë nuk është në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Nuk është bërë në momentin e duhur. Nuk është arsyetuar si duhet. Pastaj vijnë me radhë...

 Po pse nuk është në interes të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve?

Pasi ne jemi në prag të hapjes së negociatave për të aderuar në BE në qershor dhe një veprim i tillë sjell një imazh të keq në sytë e ndërkombëtarëve për këto negociata. Vjet kur u prezantua strategjia e BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, ajo që ra në sy ishte fakti se eurodeputetët u shprehen të kënaqur me reformat e kryera nga vendi ynë, duke theksuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e vendosura. Në dokumentin që doli atë kohë afërisht në të njëjtën periudhë thuhet se për vendin tonë hapja e negociatave është gati dhe u ndalën tek përmbushja e reformave në çdo fushë, sidomos në atë të drejtësisë. Reforma në drejtësi është prioritet për evropianët, të cilët kërkojnë goditje të krimit dhe korrupsionit në nivele të larta. Por duke qenë se Shqipëria po bën hapa para në këtë drejtim me procesin e vetingut dhe me organet e reja të drejtësisë, deri në qershor do të jenë dhënë edhe rezultatet e para të reformës në drejtësi që besoj do jetë hapi i madh për hapjen e negociatave. Duke pasur parasysh këtë fakt Komisioni Evropian pritet t’i japë lajmin e mirë vendit tonë për hapjen e negociatave me BE, duke u futur kështu në një proces historik.

 Po ky veprim i opozitës, a do ndikojë realisht shumë për mos hapjen e negociatave?

Besoj se do të ketë ndonjë ndikim, por nga ana tjetër besoj se deri në atë kohë do gjendet një rrugë për këtë veprim. Ndikim do të ketë por jo determinues. Kjo pasi puna e qeverisë flet vetë dhe ndërkombëtarët e kanë mbështetur dhe e mbështesin këtë qeveri të ligjshme të dalë nga vota popullore. Ju e shikoni se si ndërkombëtarët po reagojnë...

Ju thatë se qeveria Rama ka bërë disa reforma që janë përkrahur nga BE, cilat janë këto?

Së pari më e rëndësishmja, Reforma në Drejtësi. Të gjithë ne po i shohim rezultatet, po shohim rrugën që po ecën kjo Reformë. Ngritja e SPAK dhe e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë hapat më të rëndësishëm që janë kërkuar për qeverinë tonë nga ndërkombëtarët. Kjo strukturë e specializuar, e kërkuar fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe qeveria i ka dhënë mbështetje të plotë. Reforma e dytë është Reforma Administrative dhe të tjera reforma kaq shumë të domosdoshme. Për këto vite të qeverisjes mendoj se është bërë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mund të them se është qeveria më rezultateve në vitet e demokracisë.

Si i cilësoni ndryshimet e reja në qeveri?

Së pari dua të them se këto lëvizje ishin vetë iniciativë e kryeministrit, e qeverisë dhe jo e presionit apo kërkesave të opozitës. Ishte një lëvizje që vetë kryeministri e pa të drejtë ta bënte për ti dhënë një impuls të ri punës së qeverisë, për ti dhënë një frymëmarrje të re asaj. Për mua ishte një lëvizje e duhur në kohën e duhur që kryeministri e pa të arsyeshme për vetë vizionin që ai ka problemet e shtetit dhe për realizimin e objektivave që i ka vënë vetes. Këto ndryshime janë mirëpritur dhe po shihen rezultatet.

Mendoni se në këto kushte kur opozita ka hedhur idenë se do të vazhdojë protestat, do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Nuk besoj pasi dhe vetë ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se vendi i opozitës është në parlament. Pra kjo qeveri është e legjitimuar dhe ka ardhur në pushtet me votat e popullit, madje ka ardhur bindshëm. Një qeveri që ka mandat popullor duhet ta çojë deri në fund mandatin dhe s’ka asnjë arsye që të ketë zgjedhje të parakohshme. Një mbështetje e tillë për zgjedhje të parakohshme do të përbënte një precedent, pasi do t’i hapte rrugë jo të ligjshme çdo opozite në vitet në vazhdim, që sa herë të dëshirojë të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Madje, po të përkrahet kjo dëshirë nga ndërkombëtarët, do bëhet si një rrugë e padrejtë edhe në vendet e tjera me demokraci të brishtë që, të kërkohet pa arsye bindëse kërkesa për zgjedhjet të parakohshme që janë kundër një demokracie të vërtetë. Në vendet demokratike theksohet se zgjedhjet e fituara me votë duhet të çohen deri në fund të mandatit. Pra nuk ka përse të bëhen zgjedhje të parakohshme kur qeveria është brenda mandatit, ka mbështetje popullore dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Por opozita deklaron se do të vazhdojë protestat?

Vazhdimi i protestave është një veprim i ligjshëm në demokraci. Kushdo ka të drejtë të protestojë për diçka që e sheh të padrejtë por kjo s’ka lidhje me zgjedhjet e parakohshme. Protesta ka kudo në Francë, Itali, Greqi, Serbi... Një vend demokratik nuk mund të imagjinohet pa protesta. Së fundi, ambasadori i Novergjisë, Strand Sjaastand u shpreh se protestat janë një e drejtë e opozitës, por gjithashtu sipas diplomatit, betejën politike duhet ta zhvillojë edhe në Parlament.