Berisha denoncon “postblloqet policore”, Lleshaj garanton “sigurinë e deputetëve”. Rama: S’do ketë skena si javën e kaluar

Berisha denoncon “postblloqet policore”, Lleshaj garanton “sigurinë e deputetëve”. Rama: S’do ketë skena si javën e kaluar
Seanca plenare e lajmëruar për nesër në orën 10.00 dhe njëkohësisht protesta e thirrur nga opozita, kanë qenë në qendër të debateve politike edhe gjatë ditës së sotme.

Teksa politikanë të opozitës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë, ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Sipas Berishës, një oficer policie i ka njoftuar urdhrin e fundit të firmosur dje nga Veliu, sipas të cilit “nga ora 12 e datës 4 mars e në vazhdim, nga të gjitha Komisariatet e Policisë do të ngrihen postoblloqe për të penguar ardhjen e protestuesve në Tiranë.

Berisha komenton mesazhin e “oficerit dixhital” duke shkruar se “Kakistokracia po ngordh nga frika”.

Përplasjet verbale mes policisë dhe opozitës janë regjistruar që një ditë më parë, teksa Policia e Shtetit nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike të zhvillojë protestë e para parlamentit. Argumenti ishte cenimi i sigurisë kombëtare.

PD ka akuzuar policinë se po shkel Kushtetutën dhe se protesta do të zhvillohet edhe pa leje nga policia.

Duket se situata e paralajmëruar si problematike ka sjellë shqetësim edhe në radhët e deputetëve të mazhorancës, të cilët javën e kaluar u shndërruan në objekt të sulmeve verbale nga turma e irrituar.

Gjatë mbledhjes së grupit të PS, kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk do ketë skena si të javës së shkuar para parlamentit.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha gjithashtu në mbledhjen e grupit parlamentar se policia ka marrë masat dhe do të garantojë sigurinë e deputetëve gjatë seancës së nesërme plenare. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google