Akuzat si në Shqipëri? Demokratët vënë në pikëpyetje zgjedhjet, ndikoi Rusia dhe 81 “oligarkë” pranë Trump

Akuzat si në Shqipëri? Demokratët vënë në pikëpyetje zgjedhjet, ndikoi Rusia dhe 81 “oligarkë” pranë Trump
A ka dallim politika në SHBA me Shqipërinë, përmes akuzave? Institucionet duken se bëjnë ndryshimin  

Pretendimet e Partisë Demokratike në SHBA janë të ngjashme me ato të opozitës në Shqipëri, mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit, me ndryshimin se në vendin tonë pretendohet se kanë ndikuar bandat e krimit. Por në vendin me demokracinë më të zhvilluar në botë nga opozita pas pretendimeve se ka influencuar një vend tjetër si Rusia, janë shtuar akuza të tjera.

Ndryshimi tjetër është se kongresmenët demokratë nuk e kanë braktisur Kongresin, por para zgjedhjeve të ardhshme kërkojnë të provojnë me fakte manipulimin e fushatës së 2016-ës  nga njerëz të Trump, si dhe ndikimin rus në favorin e tij, si mundësi për të rrëzuar presidentin para 2020.

Ashtu si Rama në Shqipëri, edhe Trump i ka quajtur qesharake pretendimet për ndikim në zgjedhje dhe është shprehur madje se kundërshtarët janë të frikësuar ngaqë pretendimet e tyre nuk po faktohen dhe kjo i ka vënë përgjegjësisë kundrejt popullit. Retorika politike është e ngjashme, por janë institucionet në SHBA ato që bëjnë ndryshimin.  Edhe pse Demokratët në SHBA akuzojnë Trump se ka shkelur kushtetutën dhe është vënë mbi ligjin. Në SHBA edhe protestat pavarësisht akuzave organizohen kryesisht kur njerëzit kuptojnë se atyre u shkelen të drejtat bazë, apo mohohen të drejtat e njeriut, ndryshe nga vendi ynë ku e ngjashme me vendet e zhvilluara ishte protesta e studentëve, por papritur edhe "ajo është harruar" nga klasa politike.

Partia Demokratike në SHBA është parti e majtë, por pas zgjedhjeve të 2016-ës doli në opozitë dhe pas fushatës presidenciale kanë ngritur vazhdimisht pretendime mbi zgjedhjet. Shqipëria lidhur me krizën e fundit politike, duket se nuk ka institucionet e duhura, sidomos ato të drejtësisë, që të gjejë zgjidhje për pretendimet. SHBA-ja, edhe pse i ka ato, madje shumë të forta, ende nuk i ka dhënë zgjidhje përfundimtare debateve, çka kjo e bën edhe më të vështirë që situata politike në vendin tonë të ketë një zgjidhje që mund të kënaqë palët, në favor të popullit.         

Sipas “Associated Press”, Demokratët nisën një hetim të ri kundër presidentit Donald Trump, madje pretendohet se ka nisur një hetim i fortë që kërcënon presidentin para sezonit zgjedhor 2020, ku pretendohet se në Shtëpinë e Bardhë, ai fitoi përmes një fushate të pandershme e antiligjore, përfshirë edhe bizneset familjare.

Kryetari i Dhomës së Komitetit Gjyqësor, Jerrold Nadler tha të hënën se paneli i tij po fillon hetimin për pengimin e mundshëm të drejtësisë, korrupsionit dhe abuzimit të pushtetit, si dhe ka bërë një kërkesë për të hetuar dokumentet  e 81 njerëzve të lidhur me presidentin, apo edhe bashkëpunëtorë të tij.

Hetimi i gjerë shihet si një përpjekje për shkarkimin e parakohshëm të tij, megjithëse udhëheqësit demokratë kanë premtuar se do të hetojnë të gjitha rrugët dhe do të shqyrtojnë raportin e ardhshëm të Robert Mueller, përpara se të marrin ndonjë veprim drastik. Nadler tha se pas kërkesës që u ka bërë autoriteteve ligjzbatuese për të dokumentet e rëndësishme, pret përgjigje deri më 18 mars.

“Gjatë viteve të fundit, Presidenti Trump ka shmangur llogaridhënien, sidomos pas sulmeve të përditshme rreth rregullave dhe normave bazë ligjore, etike dhe kushtetuese”, tha Nadler. “Hetimi i këtyre kërcënimeve ndaj sundimit të ligjit është një detyrim i Kongresit dhe funksion thelbësor i Komisionit Gjyqësor të Shtëpisë së Bardhë.”

Por Trump hodhi poshtë hetimin e Nadler dhe pretendimet e tjera, si përpjekje të kota, madje ai i quajti ato thjesht si përpjekje “në kërkim të ndonjë krimi".

“Qesharake!” pretendoi Trump në Twitter.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders e quajti hetimin e Shtëpisë “një hetim të turpshëm dhe abuziv përmes akuzave të lodhura dhe të rreme".

Më tej Sanders tha: “Nadler dhe kolegët e tij demokratë kanë hyrë në një ekspeditë peshkimi, sepse janë të tmerruar nga historia e tyre e rreme dyvjeçare rreth “marrëveshjes me Rusinë” që po rrëzohet. Frikësimi i tyre dhe abuzimi me qytetarët amerikanë është i turpshëm”.

Tre kryetarët të tjerë Demokratë kërkojnë të marrin informacion rreth bisedimeve private midis tij dhe Presidentit rus Vladimir Putin.

Në një letër drejtuar Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, panelet e inteligjencës, të Punëve të Jashtme dhe Mbikëqyrjes dhe Reformës, dërguan kërkesën për t’u njohur me detaje rreth takimeve private të Trump dhe Putin, si me telefon, ashtu edhe personalisht. Komisionet kërkojnë të intervistojnë edhe përkthyesit, që u ulën në takime, duke përfshirë seancën kokë më kokë që u zhvillua mes tyre në Helsinki, verën e kaluar.

Departamenti i Shtetit u zotua se do të “punojë në bashkëpunim me komisionet”.

Sondazhet e reja sinjalizojnë se tani Demokratët mbajnë shumicën në Dhomë, ndërsa rreziku ligjor dhe politik i Trump nuk shihet i afërt. Ato shihen si tregues të strategjisë aktuale të demokratëve - për të përmbytur administratën me kërkesa mbikëqyrëse, duke mbajtur Trump dhe bashkëpunëtorët e tij në gjykim publik, apo duke luajtur gjithashtu një lojë të gjatë kur është fjala për fajësinë e tij të mundshme.

Trump u tha gazetarëve pasi u njoftua për hetimin se “unë dua të bashkëpunoj gjithë kohën me të gjithë.” Më tej ai shtoi: “E dini, gjëja më e bukur është se nuk ka bashkëpunim. Kjo është e gjitha një mashtrim. "

Mueller po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 si dhe nëse fushata e Trump ka qenë e ndikuar nga Rusia. Trupa gjykuese e inteligjencës ka njoftuar një hetim të veçantë jo vetëm për ndërhyrjen ruse, por edhe në interesat e huaja financiare në favor të fushatës së Trump. Komisioni i Mbikëqyrjes dhe Reformës po heton në të gjitha aspektet e administratës.

Nën hetim janë 81 emra të rëndësishëm dhe subjekt në listën e Komitetit Gjyqësor që prek gjithë hallkën udhëheqëse të Trump - Shtëpisë së Bardhë, bizneset e tij, fushatën e tij dhe komitetin që mbikqyrte kalimin nga fushata drejt presidencës. Ka gjithashtu njerëz të lidhur me ndërhyrjen ruse në fushatën 2016, duke përfshirë pjesëmarrësit në një takim me një avokat rus para zgjedhjeve në “Trump Toëer”.

Komiteti i hetimit gjithashtu i kërkon FBI-së, Departamentit të Drejtësisë dhe palëve të tjera për dokumente që lidhen me faljet e mundshme për ish-avokatin personal të Trump, Michael Cohen, ish-këshilltarit të sigurimit kombëtar Michael Flynn dhe ish-kryetarit të fushatës së Trump Paul Manafort. Të tre janë akuzuar në hetimin e posaçëm të hetimit të Mueller.