A ËSHTË NË RREZIK EVROPA?

A ËSHTË NË RREZIK EVROPA?
Nga Spyros Sideris

Botues i “Albanian Freee Press”, pjesë e Grupit Independent Balkan News Agency LTD Media Group

Numërimi mbrapsht për zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e Bashkimit Evropian që do të zhvillohen në maj 2019, ka filluar dhe grupimet politike po shpalosin pikëpamjet e tyre për të ardhmen e BE-së.

Problemi më i madh i këtyre zgjedhjeve për Parlamentin Evropian ka veçori mjaft “ekzistencialiste”, sepse gjatë viteve të fundit, Bashkimi Evropian është shkëputur nga vlerat që e shoqëruan gjatë themelimit të tij. Liria, demokracia dhe solidariteti i kanë lënë vendin kufizimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut, demokracive të brishta dhe introversionit që pasqyrohet në rikthimin e nacionalizmit dhe politikave nacionaliste.

Përhapja e populizmit dhe lëvizjeve nacionaliste në Bashkimin Evropian ka ndodhur me një shpejtësi mjaft të madhe dhe në shumë raste, kjo gjë ka bërë që parimet bazë të Unionit të shpërfillen.

Politikat e Bashkimit Evropian që bazohen në numra dhe në buxhete të ekuilibruara kanë dështuar. Qytetarëve ndonjëherë u është thënë se situata ekonomike është mjaft e begatë, ndërkohë që jeta për shumë prej tyre po përkeqësohej.

Në këtë kontekst, forcat social demokrate dhe të qendrës së majtë po rrisin përpjekjet e tyre për të bashkëpunuar në mënyrë progresive në mënyrë që të garojnë kundër forcave konservatore dhe Partisë Popullore Evropiane, e cila e ka dominuar Parlamentin Evropian gjatë viteve të fundit.

Ndërkohë që grupimet politike në BE vazhdojnë përpjekjet e tyre për të siguruar sa më shumë pushtet dhe për të ndryshuar politikat qeverisëse të Unionit, është e habitshme se si disa drejtues politik kanë folur në mënyrë publike për faktorët ekzogjenë që ndikojnë në zgjedhje.

Një shembull i tillë është edhe manifesti i botuar nga presidenti francez Emanuel Makron në të gjitha gazetat e 28 vendeve të BE-së, ku pohon se: “Modeli evropian bazohet në lirinë e individit, diversitetin e mendimeve dhe kreativitet. Liria e parë, që garantohet nga institucioni i demokracisë, është liria për të zgjedhur drejtuesit tanë pavarësisht  forcave të jashtme që tentojnë të ndikojnë në votën tonë. Unë propozoj krijimin e një Agjencie Evropiane për Mbrojtjen e Republikave tona, e cila do t’i ofronte vendeve anëtare ekspertë evropianë të cilët do të mbronin proceset zgjedhore nga sulmet kibernetike dhe manipulimet. Ne duhet të zhdukim nga interneti të gjitha retorikat e urrejtjes apo dhunës, sepse respekti për individin po ashtu është baza e kulturës së dinjitetit që ne përfaqësojmë”.

Në një mënyrë të ngjashme, edhe Donald Task ngriti alarmin për sulmet kibernetike dhe për tentativat e mundshme për manipulim të zgjedhjeve evropiane me anë të përhapjes së lajmeve të rreme dhe retorikës anti-evropiane të ekstremit të djathtë.

Pak kohë më parë, pati edhe zëra që flisnin për manipulim të zgjedhjeve në SHBA. Dihet po ashtu se ka pasur edhe përpjekje për të manipuluar opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që të dëmtohej Marrëveshja e Prespës. Në më pak se dhjetë ditë, në Maqedoninë e Veriut u krijuan më shumë se një mijë faqe interneti që bënin propagandë kundër marrëveshjes. Kjo nuk është habi në një kohë kur interneti dhe përhapja e pakontrolluar e lajmeve të rreme kanë një ndikim të madh te zgjedhja e drejtuesve.

Po, Evropa është në rrezik. Po, kjo botë është në rrezik për shkak të manipulimit të opinionit publik me anë të përdorimit të teknologjisë moderne dhe manipulatorëve të padukshëm. Po, është detyra jonë që ne t’i japim fund këtij rreziku dhe të rrisim ndërgjegjësimin në lidhje me vlerat e demokracisë dhe lirisë të cilat do t’ua përcjellim brezave të ardhshëm.