3-0 ndaj Andorrës! Shqipëria feston pa Panucci-n 

3-0 ndaj Andorrës! Shqipëria feston pa Panucci-n 
Ndaj Andorrës, golat e Sadikut, Balajt dhe Abrashit siguruan fitoren e shumëpritur 3-0 për kuqezinjtë, që mbajnë shpresat gjallë për një kualifikim tjetër të mundshëm në finalet Euro 2020

Nga Aranit Muraçi

Armando Sadiku rigjen golin dhe dy të aktivizuarit në pjesën e dytë, Balaj e Abrashi vulosin fitoren ndaj Andorrës. Fitorja rikthen qetësinë në kampin kuqezi. Fitorja ndaj Andorrës, ndonëse ndaj kundërshtarit më modest të Grupit H, ku bënte pjesë Shqipëria, ka thyer “akullin”pas një sërë rezultatesh dhe paraqitjes të dobëta. Sadiku i cili mungoi për një periudhë të gjatë, për shkak dëmtimi, rikthehet titullar dhe me gol, duke treguar rëndësinë e një sulmuesi që i mungonte Kombëtares prej kaq ndeshjesh.  Kombëtarja e dominoi ndeshjen, duke e zotëruar topin mbi 70 për qind të kohës, por ndonëse pati edhe momente paqartësie, e meritoi fitoren në fund. Sadiku e gjeti golin e munguar të Shqipërisë dhe çliron kuqezinjtë pas vetëm 21 minutave lojë ndaj Andorrës.  Sulmuesi kuqezi përfitoi nga një dalje plotësisht e gabuar e portierit për të dërguar topin në rrjetë e për t’i dhënë avantazhin kuqezinjve.  Në pjesën e dytë, ndërrimet e Bulkut rezultuan efikase. Bekim Balaj përfitoi nga një gabim i mbrojtjes dhe shënoi golin e sigurisë tre minuta para mbylljes, kurse Abrashi vulosi fitoren 3-0.

Kombëtarja kuqezi e nisi me humbje fushatën kualifikuese Euro 2020, ndaj Turqisë, humbje që u shoqërua me një tjetër paraqitje të dobët, por edhe pse ndërroi trajnerin, sfidoi anën psikologjike duke rikthyer besimin e humbur falë fitore ndaj Andorrës, në ndeshjen e dytë. Nën drejtimin e dy trajnerëve provizorë, Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, kuqezinjtë zbritën në fushë me ndryshime të shumta krahasuar me ndeshjen e 22 marsit, në “Loro Boriçi”.

Si ndryshime, krahasuar me ekipin që humbi 2-0 me Turqinë, më mbrojtje u rikthye Naser Aliji, në stol mbeti Veseli. Në mesfushë Memushaj dhe Abrashi i lanë vend Bashës dhe Kaçes, ndërsa në Sadiku e nisi ndeshjen titullar, në vend të Balajt.

Në Grupin H, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ashtu siç pritej Franca dhe Turqia shënuan fitoret e dyta radhazi. Turqia fitoi bindshëm 4-0 ndaj Moldavisë, ndërsa edhe kampionët në fuqi të Botës fituan ndaj Islandës, me të njëjtin rezultat 4-0. Umiti zhbllokoi rezultatin për “gjelat” në pjesën e parë, Girud shënoi golin e sigurisë në të dytën. Mbappe e Griezman vulosën rezultatin. Franca dhe Turqia kanë nga 6 pikë, ndërsa kuqezinjtë dhe Islanda pozicionohen pas tyre, me nga tre pikë. Mbyllin klasifikimin Moldavia dhe Andorra, pa asnjë pikë.

 

Kualifikueset Euro 2020/Andorra-Shqipëri 0-3

Shënues: Sadiku 21’, Balaj 87’, Abrashi 90’

Andorra (4-4-2): Gomes; Chus Rubio, Llovera, Ildefons Lima, San Nicolas; Rodriguez, Rebes, Vales (Pujol 84’), Clemente (Cervoz 67’); C. Martinez (Alaez 74’), Vieira. Trajner: Jesus Koldo Alvarez

Shqipëria (4-4-2): Berisha; Aliji, Djimsiti, Ismajli, Hysaj; Grezda (Balaj 70’), Kaçe, Basha (Memushaj 87’), Xhaka (Abrashi 67’); Uzuni, Sadiku. Trajner: Ervin Bulku