VOA: Tenderët te Drejtësia, nën hetim dhe ish-ministrat Manjani e Vasili

VOA: Tenderët te Drejtësia, nën hetim dhe ish-ministrat Manjani e Vasili
Tenderët çojnë në pranga 4 zyrtarë. Shkeljet rezulton të jenë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë

Ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, Drejtori i Shërbimeve mbështetëse Aurel Lamçe, shefi i IT, Lysie Ali dhe specialisti i IT, Arlind Alikaj janë vënë në pranga pasi dyshohen të jenë përfshirë në shkelje dhe abuzime me disa tenderë të zhvilluar nga kjo ministri në periudhën 2016-2017.

Nën hetim janë dhe 8 zyrtarë të tjerë të ministrisë, ndërkohë që Zëri i Amerikës raportoi mbrëmë se “po verifikohen dhe veprimet e kryera dhe përgjegjësia konkrete që mund të kenë dhe dy ish ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ylli Manjani dhe Petrit Vasili”. Tenderët janë zhvilluar në kohën kur Ministrinë e Drejtësisë e drejtuan Petrit Vasili dhe Ylli Manjani.

Hetimet që besohet se kanë nisur prej afro një viti, janë shtrirë në të paktën 5 tenderë: Mirëmbajtja dhe mbikëqyrja e sistemit ICMIS, në 7 Gjykatat Administrative; Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale; Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar; Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës si dhe tenderi për Përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit.

Shkeljet rezulton të jenë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave. Sipas prokurorisë, “hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit”.

Disa nga sistemet të cilat janë blerë në bazë të këtyre tenderëve, në një pjesë të madhe, sipas prokurorisë, nuk janë funksionale.