Vllaznia mbushi “100-vjeç”, dekorohen legjendat dhe klubi historik i Shqipërisë

Vllaznia mbushi “100-vjeç”, dekorohen legjendat dhe klubi historik i Shqipërisë
Kjo fundjavë ishte festë për Vllaznisë, klubin më të vjetër sportiv të vendit tonë. Klubi shkodran që i ka dhënë tonin sportit shqiptar festoi 100-vjetorin e themelimit të tij.

Zyrtarisht Vllaznia u themelua më 16 shkurt 1919.

Presidenti i vendit Ilir Meta mori pjesë në festimet për këtë ngjarje jubilare të klubit të njohur shqiptar Vllaznia, teksa në një mbrëmje gala ai vlerësoi emrat më të mëdhenj të sportit shkodran.

Presidenti Meta bashkë me kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi i dha klubit shumë-sportësh Vllaznia titullin “Nderi i Kombit’, ndërkohë që u përurua edhe një memorial për këtë.

Në ceremoni, kreu i vendit i dha titullin Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ish lojtarëve legjendarë ndër vite, si  Sabah Bizi.

Tjetër futbollist legjendar Hysen Zmijani, ishte një nga të dekoruarit nga Presidenti i Republikës nga futbolli, në 100 vjetorin e Vllaznisë. Po ashtu u dekoruan edhe ish-futbollistët Astrit Hafizi e Ramadan Rragami, të cilët vijuan më tej edhe karrierën si trajnerë.

Presidenti Meta dekoroi  me Titullin e “Mjeshtër i Madh”, edhe sportistë të tjerë të klubit, që kanë shkruar historinë e sportit tonë, si çiklistin Agim Tafili, atleten Arbana Xhani, peshëngritësin Belinovi.

Gjatë ceremonisë, u nderuan edhe shumë sportistë të tjerë për kontributin e tyre në sportin shkodran e shqiptar.

Në futboll, sporti më popullor, Vllaznia ka fituar plot 9 herë titullin kampion, si asnjë ekip tjetër nga rrethet, si dhe 6 herë Kupën e Shqipërisë.

Por ky përvjetor jubilar e ka gjetur klubin shkodran në një moment të vështirë, pasi ndodhet në një kategori më poshtë. Gjithsesi Vllaznia kryeson grupin e Kategorisë së Parë dhe shihet në rrugë të mbarë për t’u rikthyer në elitën e futbollit shqiptar.