Veteranët dhe të rinjtë, Solari zbulon sekretin e Real Madrid

Veteranët dhe të rinjtë, Solari zbulon sekretin e Real Madrid
Ramos, Modric dhe Benzema po udhëheqin në fushë të rinjtë si Reguilon e Vinicius, duke kombinuar një skuadër kompakte, në rritje dhe që premton të ndjekë sukseset e së kaluarës  

Rezultatet e fundit të Real Madrid janë më në fund shpresëdhënëse.

Trajneri Santiago Solari ka bindur më në fund tifozët, se gërshetimi mes veteranëve dhe të rinjve të perspektivës është modeli më i mirë që duhet ndjekur, për të siguruar trofe të tjerë.

Fitorja e fundit e Real Madrid në fushën e Espanjol, 4-2, me dy gola të Ramos e dy të Benzema, si dhe paraqitja e disa prej të rinjve, kanë rikthyer sërish optimizmin.

Megjithëse diferenca me 10 pikë karshi vendit të parë që mban Barcelona, pas 21 javëve të para, mbetet e konsiderueshme mbi ambiciet që Reali të fitojë titullin kampion, tifozët kanë mbetur të kënaqur, sidomos me lojën bindëse të javëve të fundit.

Veteranët si Sergio Ramos, Luka Modric e Karim Benzema, boshti i “Los Blancos”, po ndërthuren mjaft mirë me të rinjtë, ndeshje pas ndeshje.

Sergio Reguilon e Vinicius Junior janë kthyer nga lojtarë të skuadrës B në dy prej emrave më të spikatur të Real Madrid gjatë javëve të fundit.

“Veteranët dhe të rinjtë tregojnë të njëjtin respekt për të mbrojtur krenarinë e klubit tonë.” Ky është himni i klubit që Solari po e ndjek fjalë për fjalë.

Efekti i largimit të trajnerit Zinedine Zidane dhe i lojtarit kyç, Cristiano Ronaldo, do të provohet në ecurinë që Reali do të ketë në Champions League, pas tre trofeve radhazi që ngriti.

Por Reali ka ditur të mbyllë boshllëqet gati në mënyrë perfekte deri tani, pa qenë nevoja të futet në merkato.

Performanca e dobët e Marcelo i ka dhënë hapësirë Reguilon, i cili po kuptohet mjaft mirë me Vinicius në të majtë.

Ramos është kthyer në një golashënues, duke mbuluar mungesën e Gareth Bale.

Objektivi i radhës i Real përveç Champions, është parakalimi i vendit të dytë që mban Atletico Madrid, me 44 pikë.