UDHËZIMI/ Universitetet çdo datë 15 duhet të deklarojnë shpenzimet

UDHËZIMI/ Universitetet çdo datë 15 duhet të deklarojnë shpenzimet
Pas protestës së studentëve në muajin dhjetor, ku dolën edhe një sërë skandalesh në lidhje me shpenzimet e bëra nga dekanët dhe rektorët me të ardhurat e universiteteve, Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave u kanë kërkuar të gjitha institucioneve të arsimit të lartë të raportojnë çdo muaj të ardhurat dhe shpenzimet që kryejnë

Protesta e studentëve duket se ka sjellë impaktet e para.  Pas protestës së studentëve në muajin dhjetor, ku dolën edhe një sërë skandalesh në lidhje me shpenzimet e bëra nga dekanët dhe rektorët me të ardhurat e universiteteve, Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave u kanë kërkuar të gjitha institucioneve të arsimit të lartë të raportojnë çdo muaj të ardhurat dhe shpenzimet që kryejnë. Me anë të një udhëzimi të  përbashkët të firmosur nga të dy institucionet e larta, u kërkohet fakulteteve të raportojnë çdo qindarkë që shpenzojnë, apo kanë si të ardhura.

Udhëzimi

Udhëzimi i përbashkët i firmosur nga Ministrja e Arsimit, Besa Shahinaj dhe ajo e Financës Anila Anila Denaj me nr. 54 i datës 30.01.2019 detyron të gjitha institucionet e arsimit të lartë publike të bëjnë transparencë për publikimin e të dhënave të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të institucioneve, mbi një bazë mujore. “Brenda datës 15 të çdo muaji, të kryhet raportimi financiar nga institucionet publike të arsimit të lartë sipas një tabele të miratuar nga të dy ministritë, si dhe për të gjitha këto shpenzime të rakordohet me degën e thesarit përkatëse, dhe të publikohet në faqen zyrtare të IAL-së” thuhet në udhëzim. Po kështu, brenda datës 20 të çdo muaji, institucionet publike të arsimit të lartë kanë detyrimin të përcjellin raportimin në  Qendrën Ndërinstitucionale të Rrjetit akademik shqiptar.

Shpenzimet dhe të ardhurat

Por çfarë do të deklarojnë universitetet çdo muaj? Udhëzimi duket se i ka përcaktuar më së miri tre fushat kryesore të pagesave. Ato janë të ndara në 3 pjesë të ndryshme që kanë të bëjnë me të ardhurat, shpenzimet nga buxheti i shtetit si dhe shpenzimet nga të ardhurat e veta. Tek të ardhurat universitetet duhet të raportojnë mbi ato para që hyjnë nga tarifat e shkollimit, tarifat e regjistrimit, tarifat e pranimit, të dhënat nga qiratë, të ardhurat nga shërbimet e ndryshmen IAL, donacione, projekte apo edhe veprimtari kërkimore shkencore.

Sa i takon shpenzimeve që janë nga buxheti i shtetit, universitetet  duhet të deklarojnë për ndërtime, rikonstruksione, biblioteka, aparate apo pajisje kompjuterike, blerje programesh, shpenzime për paga sigurime, shërbime ditore dhe kancelari, shpenzime për proceset gjyqësore, bursat e studentëve, honorarëve etj.

Ndërkohë për të ardhurat e veta, universitetet duhet të deklarojnë për të njëjtat zëra sikundër edhe tek të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Skandali me shpenzimet

Në mes të dhjetorit kur studentët ishin në kulmin protestës së tyre, ka qenë vetë kreu i qeverisë i cili ka bërë me dije se universitetet i kanë shpenzuar paratë në funksion të luksit të drejtuesve dhe jo të studentëve. Gjatë një komunikimi me studentët Rama ka pohuar se shpenzimet kanë shkuar për blerje makinash, siguri dhe ruajtje godinash, mobilime dhe aspak për infrastrukturë apo sa i takon pjesës akademike. Po kështu Rama ka pohuar se nuk është bërë asnjë gjë sa i takon infrastrukturës apo lehtësirave që duhet të kenë personat me aftësi të kufizuara. “Nuk e kam kuptuar se si universiteti i Tiranës harxhon 6 mln euro për roje sigurie. Zëri kryesor në buxhete janë automjete dhe orendi. Kam parë specifikim nga një universitet ku dekani kërkon veturë 76 mijë euro. Nuk ka problem, ta ketë. Por këto gjëra t’i dinë të tjerët. Po të shohësh shpenzimet e universitetit ka disbalanca ekstreme. Më falni po ku hyn qeveria këtu? Jo për të hequr përgjegjësinë e saj, sepse unë jam i gatshëm ta pranoj atë pjesë të shuplakës që studentët i kanë dhënë qeverisë.” ka pohuar Rama gjatë ditëve të protestave në takimet me studentët.

 

Rektorët:Nuk janë rimbursuar ende tarifat e studentëve

Më shumë fonde për universitetin, ka qenë kryefjala e kërkesës së disa rektorëve në vend përballë deputetëve të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Rektorët kanë mbështetur protestën e studentëve, ndërsa kanë nxjerrë në pah një sërë problematikash, si mosrimbursimin e tarifave të përgjysmuara të përcaktuara me VKM si dhe problematikën që sjell ligji i arsimit të lartë duke krijuar dy titullarë.

Lidhur me ligjin e arsimit të lartë, rektorët evidentuan se ai nuk është i harmonizuar me legjislacionin e përgjithshëm. Deputetët kanë adresuar një sërë pyetjesh ndaj rektorëve, të cilave do tu jepet përgjigje me shkrim. Ndërsa, ish Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla nuk është bërë pjesë e asnjë diskutimi.