U dhunuan në Fushë-Krujë, Skënderbeu: Ishte vandalizëm i mirë organizuar

U dhunuan në Fushë-Krujë, Skënderbeu: Ishte vandalizëm i mirë organizuar
Klubi i Skënderbeut, ka reaguar zyrtarisht nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social për ngjarjet e dhunës në Fushë-Krujë sot ndaj disa lojtarëve të tij.

Klubi korçar e quan si një vandalizëm të mirë organizuar, atë që ndodhi ditën e sotme në fushën e stadiumit “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, dhe shprehet se do të rishikojë vazhdimin e garës pas këtyre akteve.

“Duke marrë shkas nga ngjarjet e pragndeshjes së sotme, KF Skënderbeu dënon fuqishëm aktet e ndodhura në Fushë-Krujë dhe vendosjen para drejtësisë të personave përgjegjës.

Kemi vënë në dijeni sot të gjithë opinionin futbolldashës me reagimin e përpara fillimit të takimit, ku janë goditur qysh në hyrje tre lojtarë të Skënderbeut. E themi me bindje se ky vandalizëm ndaj nesh ka qenë i mirëogranizuar deri në detaje, aq më tepër në hyrje të stadiumit kur njerëz të paautorizuar janë vërsulur ndaj lojtarëve tanë duke përfituar edhe nga kushtet e papërshtatshme që ka stadiumi ku u luajt edhe ndeshja por edhe nga mungesa e forcave policore apo sigurisë private.

Sigurisht që kjo ngjarje ndikoi edhe në mbarëvajtjen e ndeshjes, por me këtë nuk duam të justifikojmë aspak humbjen që pësuam në këtë takim të javës së 20-të.

Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit sa më parë që të merren masa për incidentin e ndodhur sot në Fushë Krujë dhe parandalimin e këtyre fenomeneve në vijim të sezonit për një mbarëvajtje sa më të mirë të garës.

KF Skënderbeu kërkon me ngulm nga organet kompetente nisjen e hetimeve, zbardhjen e plotë të çështjes dhe evidentimin e autorëve të këtij incidenti të mirëorganizuar paraprakisht, ndryshe Klubi i Futbollit “Skënderbeu” do të rishikojë vazhdimin e garës deri në fund.

Edhe njëherë nuk duam të justifikojmë humbjen, por atë që pa me sytë e vet sot ekipi në takimin ndaj Kastriotit vetëm për futboll nuk mund të flitet më pas.

Në pritje të reagimit të organeve kompetente”, shkruhet në njoftimin e klubit. /l.k./

Foto Google