Transporti ajror, tashmë po preferohet gjithmonë e më shumë nga shqiptarët

Transporti ajror, tashmë po preferohet gjithmonë e më shumë nga shqiptarët
Të fluturosh përmes ajrit, duket se po kthehet në një metodë mjaft të preferuar për qytetarët shqiptarë. Këtë e tregojnë edhe të dhënat më të fundit të Statistikave, mbi transportin përmes ajrit si të tillë, realizuar gjatë vitit të kaluar. Konkretisht, sipas tyre në muajt e tij kanë fluturuar përmes ajrit rreth 3 milionë shqiptarë. Ose e thënë më thjesht, 1 shqiptar ka realizuar të paktën një udhëtim me avion në vitin e kaluar.

“Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në vitin 2018 është 2.947.172 duke u rritur me 12%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, pohojnë ekspertët e statistikave, mbi dukurinë në fjalë. Teksa shtojnë se ajo ka qenë në rritje edhe vetëm për muajin dhjetor, i cili në fakt i përket edhe periudhës së festave të fundvitit.

“Në muajin dhjetor 2018, transporti ajror i pasagjerëve zë 73,9 % të transportit gjithsej”, thuhet në raportin e INSTAT-it rreth kësaj, Duke shtuar nga ana tjetër, se transporti detar gjithashtu shënon një rritje të tij, por jo edhe aq të lartë në krahasim me atë ajror.

“Në vitin 2018, kanë udhëtuar me linjë detare 1.522.896 pasagjerë, duke u rritur me 1%, krahasuar me një vit më parë”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it. Dhe nëse bëjmë një krahasim shifrash mes këtyre dy kategorive, i bie që personat që zgjedhin tragetin për të shkuar në vendet e tjera, janë sa gjysma e atyre që tashmë zgjedhin avionin. Dhe aq më pak ata që zgjedhin hekurudhën, për të cilët Instituti i Statistikave pohon se kanë ardhur në rënie e sipër. Ku mesa duket, metoda e hekurudhave përdoret tani kryesisht për të transportuar mallra.