TIRANË/ 45-vjeçari dhunon mjekun e urgjencës dhe “zhduket”, apeli i QSUT: Rast i përsëritur, të dënohet

TIRANË/ 45-vjeçari dhunon mjekun e urgjencës dhe “zhduket”, apeli i QSUT: Rast i përsëritur, të dënohet
Një 45-vjeçar ka dhunuar mjekun e urgjencës në Spitalin Infektiv, pjesë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Sipas policisë, ndaj 45-vjeçarir me iniciale A.M. ka nisur procedimi për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4, pasi kanë marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në ambientet e urgjencës ku dhe kanë kryer të gjitha veprimet procedurale”, thotë policia, e cila ka zbardhur edhe ngjarjen e një dite më parë.

“Ky shtetas rreth orës 13:30, të datës 10.02.2019, pasi ka shkuar për të vizituar një të afërmin e tij që ndodhej  i shtruar në  spital, në ambientet e urgjencës së Spitalit Infektiv, ka goditur me grusht për shkak të detyrës, mjekun e urgjencës”.

Pas goditjes së mjekut, 45-vjeçari ka marrë arratinë dhe policia tha se po punon për kapjen e tij.

Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

"Çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në tërësi përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre është i papranueshëm, bazuar në normat ligjore, etike, morale. Çdo akt dhune ndaj bluzave të bardha është i papranueshëm duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente", thuhet në njoftimin e QSUT.

Sipas Qendrës Spitalore, nuk bëhet fjalë për një episod të izoluar, por për një ngjarje të përsëritur, kur mjekë dhe infermierë janë përballur me dhunë në krye të detyrës.

"Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore", thuhet në njoftimin e shpërndarë nga institucioni.

QSUT ka kërkuar kapjen e autorit dhe dënimin e tij. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google