Tirana rrit shpresat për Europën, jashtë Flamurtari!  

Tirana rrit shpresat për Europën, jashtë Flamurtari!  
Kupa e Shqipërisë përcaktoi tetë më të mirat e këtij sezoni/ Valdet Rama debuton në Pezë-Helmes, Kukësi përmbys Apoloninë. Edhe Laçi kalon pavarësisht humbjes së parë 2-0

Nga Aranit Muraçi

Kupa e Shqipërisë përcakton tetë më të mirë e këtij edicioni, me tetë ekipet të Superiores, ku mungojnë Flamurtari e Kastrioti. Kamza, Skënderbeu,Partizani, Luftëtari, Teuta, Kukësi, Tirana dhe Laçi janë tetë ekipet çerek-finaliste të Kupës së Shqipërisë, së këtij edicioni. Është eliminuar Flamurtari, ndonëse fitoi në Vlorë përballë Tiranës, me gol të Kale në fillim të pjesës së dytë.

Bardheblutë, edhe pse luajtën për më shumë se 75 minuta me një lojtar më pak, pasi Grent Halili u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje ndaj Elton Calesë, e mbyllin ndeshjen me humbje minimale 1-0, por falë suksesit 2-0 në “Selman Stërmasi” fituan të drejtën për të qëndruar në kupë, çka kjo ka entuziazmoi jo pak pas ndeshjes trajnerin Ardian Mema dhe presidentin Refik Halili.  Goli i brazilianit Cale në fillim të pjesës së dytë nuk mjaftoi për Flamurtarin. Flamurtari në kohën shtesë pretendoi me forcë për një 11-metërsh, por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari Alla.

Si Tirana dhe Flamurtari, e shihnin kupën si objektiv kryesor, për një vend në Kupat e Europës. Mund të quhet gati i dështuar sezoni që tani për vlonjatët, nisur nga rivaliteti mes tre ekipeve të para të kampionatit. Vllaznia, pavarësisht fitores ndaj Kamzës në ndeshjen e parë, largohet pas humbjes 1-0 në një ndeshje dramatike. Në Pezë-Helmes, ku u zhvillua ndeshja, Bitri realizoi golin e fitores në mesin e pjesës së dytë të këtij takimi. Laçi pavarësisht se e humbi ndeshjen e parë 2-0 me ballshiotët, e zgjidhi kualifikimi shumë shpejt, që në pjesën e parë, me fitoren 3-0. Nga ana tjetër Kukësi vetëm 10 minuta para se të mbyllej ndeshja ndaj Apolonisë, gjeti golin e kualifikimit me autor Et’hemi. Blerja e janarit, Vasil Shkurtaj shënoi golin e parë të ndeshjes për verilindorët. Për të besuarit e Armando Cungut debutoi në këtë takim gjatë pjesës së dytë edhe ish-sulmuesi i Kombëtares, Valdet Rama, i ardhur gjatë merkatos së dimrit. Barazimi pa gola nuk penalizoi  Luftëtarin, që e kishte zgjidhur kualifikimin me Engatian që në ndeshjen e parë, falë fitores 3-0. Ishte thuajse formalitet kualifikimi për Teutën në Durrës, për Partizanin ndaj Kastriotit, apo edhe për Skënderbeun që priti Besëlidhjen, duke i fituar edhe takimet e kthimit. Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, nuk aktivizoi në këtë takim sulmuesin e Kombëtares, Armando Vajushi, i ardhur në fund të merkatos së dimrit. Debutimi i Vajushit, pritet ndaj Kamzës.

Pasi prenë një biletë në çerekfinale të kupës, ekipet pretendente apo edhe ato me amicje për një vend në Kupat e Europës kanë nisur të bëjnë llogaritë për ndeshjet e javës së 21-të të Superiores. Të shtunën (17:00) java e 21-të hapet sërish me takimin Partizani-Kastrioti, ndërsa të dielën luhen tre takimet të tjera: (14:00) Kukësi-Tirana, (14:00) Luftëtari-Flamurtari, (17:00) Teuta –Kamza. Më 11 shkurt mbyll javën ndeshja: (14:00) Skënderbeu- Laçi.

  

Trajneri pas eliminimit të Flamurtarit nga Kupa

Daja: Jam unë më “tirons” por Tirana vonoi lojën, gjykimi i turpshëm

Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, nuk e shprehu zhgënjimin pas eliminimit nga kupa. Flamurtari kishte synime të larta në kampionat, por pas situatës së fundit financiare dhe largimeve të disa futbollistëve, u fokusua te kupa. Shorti i vuri përballë kundërshtarin më të vështirë, Tiranën, që falë fitores 2-0 në ndeshjen e kaluar, arriti të kualifikohej. Daja lidhur me tensionin në fushë tha se kundërshtari vonoi lojën. “U luajtën vetëm 12 minuta efektive dhe kishte shumë ndërprerje. Nuk jam i zhgënjyer nga rezultati pasi është pjesë e futbollit. U munduam të hyjmë në ritëm, por kishte shumë ndërprerje. U bën 6 ndërrime dhe 35 ndërprerje të ndeshjes, ndërsa minuta shtesë u dhanë shumë pak.” Ai nuk la pa akuzuar gjykimin, duke shtuar se nuk ka asgjë me kundërshtarin. “Nuk jam kundër Tiranës, pasi unë jam më “tirons”. Jam në të mirë të futbollit, por me këtë menaxhim nga ana e arbitrave po shkojmë mbrapa. Kemi luajtur 2 ndeshje në 3 ditë dhe shikojeni çfarë kanë bërë gjyqtarët. Tani na mbetet të vazhdojmë rrugën dhe të shikojmë para.”

 

Trajneri i Partizanit elozhe të rinjve

Skënder Gega: Për trofeun na ndihmojnë të talentuarit: Ferati e Kote 

Trajneri i Partizanit Skënder Gega në ndeshjen e kthimit ndaj Kastriotit testoi disa nga të rinjtë, për të cilët ai mbeti i kënaqur. – “Ferati bashkë me Koten janë tepër të talentuar dhe sot vrapuan shumë dhe dhanë gjithçka,’ - theksoi Gega. Pas kualifikimit, Partizani kryesues i kampionatit pesë pikë para Kukësit, pret sërish Kastriotin: “Të shtunën luajmë përballjen në kampionat me Kastriotin. Do të bëjmë më të mirën, jemi në vend të parë dhe do të kemi edhe tifozët. E dimë që Kastrioti po kalon një moment të mirë, por duhet të fitojmë çdo ndeshje, qoftë edhe miqësoret, sepse profesionalizmi është në radhë të parë.”

 

Kupa e Shqipërisë (dje)

Grupi A:

Partizani-Kastrioti 3-0 (4-2)

Shënues: 34’ Hebaj, 60’ Mensah, 64’ Çinari

Skënderbeu-Besëlidhja 3-0 (2-1)

Shënues: 57′ Vangjeli, 72’Abazi, 84’Krasniqi

Luftëtari-Egnatia 0-0 (3-0)

Kamza-Vllaznia 1-0 (1-2)

Shënues: 63’Bitri

Grupi B

Flamurtari-Tirana 1-0 (0-2)

Shënues: 49’Kale

Kukësi-Apoloni 2-0 (1-2)

Shënues: 29’ Shkurtaj, 79’ Et’hemi

Laçi-Bylis 3-0 (0-2)

Shënues: 9’ Shtubina (11-m), 26’ Toro, 44’ Gjoni

Teuta-Lushnja 4-0 (3-1)

Shënues: 30′, 31’ Vecaj, 50’ Vila, 60’ Latif

Ndeshjet çerekfinale, 13-27 mars:

Kamza-Skënderbeu

Partizani-Luftëtari

Teuta-Kukësi

Tirana-Laçi