Tirana-Partizani, “spektakli” i tifozëve i garantuar

Tirana-Partizani, “spektakli” i  tifozëve i garantuar
Pas incidentit në ndeshjen ndaj Flamurtarit, pavarësisht reagimit të ashpër të FSHF-së, Disiplina pas vendimit vendosi që derbi i madh i kryeqytetit të zhvillohet me praninë e dy tifozerive 

Tifozët konsiderohen bukuria dhe e veçanta e duelit më të ashpër dhe më të bukur të kampionatit tonë, në tërë historinë e futbollit shqiptar.  Tirana-Partizani, derbi i madh i kryeqytetit do të zhvillohet me pranitë e dy tifozerive, siç edhe i ka hije. Kjo pasi Komisioni i Disiplinës ka dënuar me dy ndeshje pa tifozë Partizanin për mospërmbushjen e përgjegjësive në ndeshjen e kaluar ndaj Flamurtarit. Ishte në rrezik prania e tifozëve të Partizanit pas incidentit në ndeshjen e kryesuesve të kampionatit me Flamurtarin, pas paralajmërimit të FSHF-së. Por edhe pse luan në kryeqytet, Partizani konsiderohet ekipi mysafir ndaj Tiranës, çka do të thotë se nuk penalizohet në këtë takim. Dënimi do të jetë i vlefshëm për dy takimet e ardhshme, të cilat Partizani do t’i luajë si skuadër pritëse. Të premten në stadiumin “Selman Stërmasi” do të jenë edhe tifozët e kuq, si fansa të skuadrës mike, krah atyre bardheblu, në krye-ndeshjen e javës së 24-ët të Kategorisë Superiore. Një grup fansash të Partizanit shënuan incidente ndaj fotografit zyrtar të Flamurtarit në momentin e shënimit të golit nga ana e vlonjateve, duke ndezur polemika të shumta pas takimit. Në vendimet e disiplinës, Partizani dhe Tirana para debit, janë ndëshkuar me gjobat më të majme, pas javës së fundit.  Në vendimet e Disiplinës ka pasur masa ekstreme ndaj ekipit të Kategorisë së Parë, Shënkolli, ku një lojtar i është dënuar përgjithmonë, si dhe zyrtari i saj, për një vit e gjysmë, pas incidenteve të ndeshjes së fundit. /a.m/

Vendimet e Disiplinës

Luftëtari, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dënohet me 100.000 lekë gjobë.

Lojtari i Luftëtarit, Albano Aleksi, për sjellje jo sportive dënohet me 4 ndeshje pezullim.

Skëndërbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dënohet me 100.000 lekë gjobë.

Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve , dënohet me 400.000 lekë gjobë.

Partizani, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjes kundër Flamurtarit, duke mos garantuar sigurinë e zyrtarit të ekipit kundërshtar, dënohet me zhvillimin e 2 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe gjobë në masën 200.000 lekë.

Kastrioti, paralajmërohet për mos përsëritje të shkeljeve disiplinore.

Zyrtari i Shënkollit, Armando Loka, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 18 muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik dhe lojtari i të njëjtit ekip, Rinev Danaj, për të njëjtën arsye, dënohet me përjashtim të përhershëm nga çdo aktivitet futbollistik.