Thaçi në SHBA: Korrigjimi i kufirit, një çmim që duhet paguar. Zbardhet drafti i marrëveshjes me Vuçiç

Thaçi në SHBA: Korrigjimi i kufirit, një çmim që duhet paguar. Zbardhet drafti i marrëveshjes me Vuçiç
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku para një audience të ekspertëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka pranuar edhe hapur se Kosova duhet të jap një copë territori si çmim për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Këto pohimi ai i bëri dje gjatë një debati të zhvilluar në “Council of Foreign Relations” në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”.

“Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, vijoi z. Thaçi, duke shtuar se ky korrigjim duhet të jetë i pranueshëm për Kosovën. Megjithatë ai shtoi se Liqeni i Ujmanit, Mitrovica dhe Trepça janë çështje të panegociueshme.

Thaçi tha se Kosova ka fituar sa herë që ka qenë bashkë me SHBA-në, duke theksuar se sadoqë kompromiset duken të dhimbshme në fillim, më vonë koha ka treguar se kanë qenë të mira.

“Sa herë Kosova ka qenë bashkë me SHBA, ka dalë fitimtare. Edhe nëse kompromiset e bëra janë dukur të rënda në fillim, më vonë është treguar se kanë qenë vendimet më të mira strategjike”, u shpreh presidenti Thaçi.

Më tej ai pohoi se “nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, por është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte”. Ai shtoi se qëllim kryesor i marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Duke shpjeguar pse rrethanat janë të favorshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi u shpreh se këtë herë duket se edhe Serbia është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, ndërsa edhe Rusia duket e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të arrihej mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Marrëveshja që aktualisht është draft, parashikon që Kosova të marrë nga Republika e Serbisë, tërësisht Preshevën dhe Medvegjën me disa fshatra të saj. Nga ana tjetër, Serbia sipas marrëveshjes, mund të marrë zona në Kosovë që janë të populluara nga serbët, e konkretisht, Zubin Potok, Leposavic dhe Zvecan. Sipas draftit, Bujanoci do të marrë statusin e një lokaliteti neutral ose “special distrikt”, ku shembull i njohur është Livigno, krahinë neutrale mes Italisë dhe Zvicrës, e zhvilluar, pa taksa dhe me nivel të lartë mirëqenieje

 

Zbardhet marrëveshja Kosovë-Serbi, ja si ndryshojnë kufijtë në draft

Atë që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte thënë në Tiranë, e gjejmë në draft-marrëveshjen që duket se ka pranuar ai dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç.

Serbia dhe Kosova do të ndryshojnë kufijtë, sipas draftit të kësaj marrëveshjeje, e cila është parë dhe analizuar nga BE, diplomatë dhe drejtues qeverish e shtetesh të disa vendeve të BE dhe SHBA.

Marrëveshja që aktualisht është draft, parashikon që Kosova të marrë nga Republika e Serbisë, tërësisht Preshevën dhe Medvegjën me disa fshatra të saj.

Sipas draftit, Bujanoci do të marrë statusin e një lokaliteti neutral ose “special distrikt”, ku shembull i njohur është Livigno, krahinë neutrale mes Italisë dhe Zvicrës, e zhvilluar, pa taksa dhe me nivel të lartë mirëqenieje.

Nga ana tjetër, Serbia sipas marrëveshjes, mund të marrë zona në Kosovë që janë të populluara nga serbët, e konkretisht, Zubin Potok, Leposavic dhe Zvecan.

Pikërisht dhënia Serbisë e këtyre zonave, ishte paralajmëruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kur ai disa muaj më parë ishte në Tiranë dhe dha një në intervistë emisionin në Real Story të gazetarit Sokol Balla dhe disa analistëve, duke deklaruar troç se cilat zona do të mund t’i jepeshin Serbisë, deklaratë e cila në fakt mbeti në hije edhe pse u tha fare shkoqur nga z.Thaçi.

“Ideja ime është vetëm korrigjimi, bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit asnjë aset i Kosovës, as Ujmani as Veriu i Kosovës as Trepça nuk vijnë në konsideratë që të jenë pjesë e Serbisë”, – deklaroi Presidenti i Kosovës, duke shtuar menjëherë më pas:

“Është e vërtetë dhe tjetra që Tito dhe Rankoviç, në kohën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova në vitet 1956-1959 për të bërë një balancë demografik ia ka bashkangjitur Kosovës një pjesë të Leposaviçit, Leshakut dhe Zubin Potokut. Tani a duhet të mbesim ne viktimë e Titos?  Është e drejtë historike e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkëngjiten Kosovës”, - deklaroi z.Thaçi, duke qartësuar kështu se plani i korrigjimit të kufijve mes dy vendeve konsiston në atë që Kosova të rimarrë në territoret e republikës së saj, Medvegjën, Preshevën dhe Bujanovcin, kurse Serbia të marrë Leposaviçin, Leshakun dhe Zubin Potokun.

 

 

Tarifat krijojnë sfida për marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Kosovë

Ende nuk dihet cila do të jetë rrugëdalja nga situata e krijuar me tarifat

Shtetet e Bashkuara i kërkuan sërish Kosovës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha dje se “Shtetet e Bashkuara vazhdimisht e kanë ngritur çështjen e tarifave dhe nevojën e pezullimit të tyre. Udhëheqësit e Kosovës e kanë të qartë seriozitetin e qëndrimit tonë dhe sfidat që paraqesin tarifat për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kosova dhe Serbia, thekson më tej zyrtari i lartë, duhet të ndërmarrin veprime dhe vendime të vështira, por të nevojshme, t’u japin përparësi bisedimeve dhe të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre”.

Në muajin nëntor Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.