Testimi i mësuesve për punësim, ndryshojnë shumë procedura

Testimi i mësuesve për punësim, ndryshojnë shumë procedura
Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë me dije se këtë vit kanë ndryshuar një sërë procedurash dhe testimi pritet të zhvillohet rreth muajit maj, pas përfundimi të Provimit të Shtetit i cili është caktuar të mbahet gjatë muajve mars-prill. Menjëherë pas marrjeve të rezultateve të tij, do të jetë edhe testimi për punësimin e mësuesve

Nga Sonila Isaku

Shtyhet procesi i aplikimeve për punësimin e mësuesve përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Shtyrja e aplikimeve është bërë për arsye të testimit dhe licencimit të studenteve të diplomuar një vit më parë në mënyrë që qe ti jepet mundësia për punësim, duke mos lënë asnjë afat kohor.

Provimet dhe testimet

Mësuesit në pritje të testimit do të duhet të presin edhe pak muaj që t’i nënshtrohen garës që i çon drejt punësimit. Pas kohës që iu desh ministrisë për të bërë ndryshimet në portal, tashmë pengesë për hapjen e portalit janë mësuesit, që presin të licencohen në sezonin e dytë të provimeve të shtetit.

Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë me dije se ky testim pritet të zhvillohet rreth muajit maj, pas përfundimi të Provimit të Shtetit i cili është caktuar të mbahet gjatë muajve mars-prill. Menjëherë pas marrjeve të rezultateve të tij, do të jetë edhe testimi për punësimin e mësuesve.

“Ajo që mund t’ju them tani është se duhet të kryejmë së pari testimin për licencat e studentëve që kanë mbaruar vjet për të hapur portalin, me qëllim që t’u japim mundësi edhe atyre të garojnë te portali i vitit 2019. Kështu që, për disa muaj do të hapim portalin”.

Deri më tani, mësohet se drejtoritë arsimore kanë mbledhur dokumentacionin e kandidatëve për mësues. Me përfundimin e testimit të një tjetër profesioni të rregulluar, siç janë mjekët, shumë shpejt është radha e mësuesve për t’iu nënshtruar testimit informatik në ambientet e reja të QSHA-së. Kjo më pas i hap rrugë zhvillimit të testimit për punësim” pohojnë burimet zyrtare nga Ministria e Arsimit.

Ndryshimet e reja

Punësimi i mësuesve përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” hyn në vitin e tij të pestë. Në katër vitet e shkuara, ky provim është zhvilluar në muajt dhjetor-janar, ndërsa këtë vit po zgjatet përtej parashikimeve.

Ndryshimet në kabinet dhe vëmendja e projektuar më tepër ndaj universitetit duket se ka bërë që arsimtarët të lihen pas dore. Përpara disa javësh, ministrja Shahini deklaroi se portali do të pësojë ndryshime në tri drejtime, të cilat do të pasqyrohen në udhëzimin nr.38, që rregullon punësimin e tyre.

Më konkretisht, do të rritet pesha e mesatares së studimeve dhe njohja e një gjuhe të huaj, tregues që reflektohen në dosjen personale të mësuesit, të cilën e dorëzon në fazën e parë të konkurrimit. Udhëzimi i ri do të rregullojë edhe punësimin e mësuesve të përgjithshëm në shkollat profesionale, si dhe për mësuesit ndihmës do të ketë kritere më vete.

Kush testohet

Personat të cilët kanë përfunduar studimet e larta në një degë të mësuesisë por që ende nuk kanë nisur të punojnë, çdo vit duhet ti nënshtrohen provimit për të siguruar një vend pune. Por jo çdo vit mund të ofrohen aq vende punesa kërkesa ka, prandaj kandidatët duhet të testohen çdo vit për të parë mundësitë e punësimit.  Sipas kësaj procedure, jo të gjithë mësuesit të cilët do të rezultojnë fitues në portalin “Mësues për Shqipërinë” do të mund të sigurojnë një vend pune.

Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit pohojnë se shpërndarja e mësuesve sipas profileve do të bëhet në bazë të vendeve vakante të shpallura. Shanset më të mëdha për tu punësuar kuptohet që do ti kenë ata kandidatë që janë vlerësuar më me shumë pikë. “

Të gjithë mësuesit që i janë nënshtruar kësaj gare tani kanë marrë “garancinë” për të qenë pjesë e rekrutimit në sistem por nuk do të thotë që sa mësues ka aq dhe vende pune ka për arsye të ndryshme pasi dalja e mësuesve në pension ku është një nga pikat ku bëhet furnizimi me kapital human është i limituar” nënvizojnë këto burime.