Test i ri në 6 prill për mësuesit, përfitojnë rritje page

Test i ri në 6 prill për mësuesit, përfitojnë rritje page
Kualifikimi i mësuesve sjell edhe rritjen e pagës nga 5 deri në 20 për qind për të gjithë ata arsimtarë të cilët do të rezultojnë kalues në këtë testim. Të drejtën për të hyrë në provimin e kualifikimit e kanë të gjithë ata mësues të cilët deri në 31 dhjetor të vitit paraardhës plotësojnë kushtin e vjetërsisë në punë me përkatësisht 5 vite për “mësues i kualifikuar”, 10 vite për “mësues specialist” dhe 20 vite për “mësues mjeshtër”. Shtesa e pagës që do të përfitojnë mësuesit është mbi pagën bazë dhe jo mbi pagën bruto, pra varion nga 700 deri në 2. 800 lekë shtesë në bazë të kategorisë

Sonila Isaku

Ministria e Arsimit ka vendosur datën 6 prill për të testuar mësuesit të cilët janë aktualisht në sistemin arsimor dhe duhet të japin provimet e kualifikimit. Në bazë të një shkrese zyrtare ë firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit me datë 18 janar 2019 njoftohen të gjitha Drejtoritë Arsimore që provimi i kualifikimit do të zhvillohet në datën 4 prill nga ora 10 deri në orën 12.30. “Provimi me shkrim për kategoritë e kualifikimit të mësuesve të sistemit parauniversitar për vitin shkollor 2017-2018 do të zhvillohet në Tiranë në date 06.04.2019, ora 10.00 – 12.30, në mjedise të planifikuara nga IZHA”, - thuhet në shkresën e Ministrisë së Arsimit që iu është shpërndarë të gjitha Drejtorive Arsimore.

Rritja e pagës

Por përveç testimit të kualifikimit të gjithë ata mësues të cilët do të rezultojnë kalues do të përfitojnë edhe rritje page prej 5-20%. Shtesa e pagës që do të përfitojnë mësuesit është mbi pagën bazë dhe jo mbi pagën bruto, pra varion nga 700 deri në 2. 800 lekë shtesë në bazë të kategorisë. Ndërsa ata mësues të cilët futen në këtë garë dhe dalin me një vlerësim negativ, nuk e humbasin vendin e punës por vetëm nuk përfitojnë rritjen e pagesës. Të drejtën për të hyrë në provimin e kualifikimit e kanë të gjithë ata mësues të cilët deri në 31 dhjetor të vitit paraardhës plotësojnë kushtin e vjetërsisë në punë me përkatësisht 5 vite për “mësues i kualifikuar”, 10 vite për “mësues specialist” dhe 20 vite për “mësues mjeshtër”.

Procedura

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit të gjithë ata mësues të cilët plotësojnë kushtet e kualifikimit, duhet të bëjnë kërkesën për kualifikim, pranë Drejtorive Arsimore. “Mësuesit kandidatë për provimin e kualifikimit duhet të dorëzojnë portofolët e tyre, sipas profileve në SKC, pranë DAR. Lista e mësuesve kandidatë për provimet e kualifikimit hartohet nga ZA brenda datë 12 shkurt. Lista qëndron e afishuar në mjediset e ZA nga data 12 deri në datën 14 shkurt, në mënyrë që kandidatët të kontrollojnë të dhënat dhe vlerësimet e portofolëve të tyre. Brenda tre ditëve nga shpallja kandidati ka të drejtë të ankohet me shkrim për vlerësimin. Në datën 25 shkurt do të shpallen listat përfundimtare të kandidatëve që marrin pjesë në testim.

Rregullorja

Por udhëzimi i Ministrisë së Arsimit ka parashikuar edhe penalitete për të gjithë ata mësues të cilët shkelin rregullat e përcaktuara. Kështu në rastet kur një mësues kryen veprime me laps apo bën komente mbi pyetjet ka ulje të 10 pikëve, nga 100 që është totali i tyre. Kurse në rastet e tjera ku mësuesit shkëmbejnë kopje, mbajnë celular, komunikojnë me kolegët apo kur administratorët e provimeve i vlerësojnë ata si problematikë, mësuesit përjashtohen dhe skualifikohen nga provimi i kualifikimit.

Testet e kualifikimit janë të përbëra nga dy pjesë, e para përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjia e mësimdhënies etj, dhe pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit përkatës.

 

PËRMBAJTJA E PORTOFOLIT

1-Portofoli personal përmban këto dokumente:

Curriculum Vitae (me fotografi)

Vlerësimin e fundit të performancës që kandidati ka marrë nga drejtuesi I institucionit arsimor

Fotokopje e noterizuar e certifikatave me kredite

Fotokopje e noterizuar e dëshmive të titujve/gradave shkencore (nëse ka)

Fotokopje e noterizuar e dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja (nëse ka)

2- Portofoli profesional përbëhet nga këta elemente:

Një plan të një aktiviteti me nxënësit e një klase të caktuar, në kuadër të shkollës si qendër komunitare.

Një test përmbledhës, sipas profilit përkatës

Objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull ose rezultatet e të nxënit (në një lëndë dhe klasë të caktuar)

Një planifikim të një mësimi model (ditar),duke u bazuar në mësimdhënien me në qendër nxënësin.

Një plan të një projekti kurrikular së bashku me përshkrimin e realizimit të tij.