Tarifat, sa do paguajnë studentët e “Bachelorit” dhe “Masterit”

Tarifat, sa do paguajnë studentët e “Bachelorit” dhe “Masterit”
Derdhja e tarifave vjetore të studimit do të vijojë deri në mbyllje të vitit akademik në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Burime nga ky fakultet bëjnë me dije se afati i kryerjes së këtij procesi do të jetë deri në përfundim të vitit akademik 2018-2019, sipas strukturës së përcaktuar nga MASR.

Studentët duhet të pajisen paraprakisht me faturën e arkëtimit, e cila pasi nënshkruhet nga institucioni një kopje i dorëzohet studentit nga Punonjësja e Informacionit për të kryer veprimet në bankën e nivelit të dytë të përcaktuar. Paraqitja e faturës tatimore është kusht i domosdoshëm për veprimet në bankat e nivelit të dytë. Pas pagesës studentët e dorëzojnë kopjen e mandatit tek Punonjësja e Informacionit, e cila kryen më tej veprimet e dorëzimit në Degën e Financës”, bëjnë me dije drejtuesit e këtij fakulteti.

Ndërkohë, janë konfirmuar edhe pagesat që duhet të shlyejnë për këtë vit studimesh të gjithë studentët e ciklit të parë “Bachelor”, si dhe ata të ciklit të dytë “Master”, një pjesë e konsiderueshme të cilëve përfitojnë nga përjashtimi dhe reduktimi i kostos së studimeve, sipas kushteve të përcaktuara në vendimet përkatëse të qeverisë.

Tarifat për të dy ciklet e studimit

Për kandidatët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, një program të integruar të studimeve, ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë do të paguajnë 50 për qind të tarifës së studimit, që është 15,000 lekë.  Sipas vendimit të marrë, edhe për studentët e ciklit të parë (Bachelor) të cilët i përkasin kategorive përjashtimore dhe janë me mesatare 9-10, bëhet e ditur se nuk do të kryejnë asnjë pagesë për tarifën e shkollimit të këtij viti akademik. Ndërsa studentët e ciklit të dytë të studimeve “Master profesional” dhe “Master shkencor” që i përkasin kategorive sociale në nevojë dhe janë me mesatare 9-10, që përfitojnë 50 për qind ulje të tarifës së shkollimit do të paguajnë 30,000 lekë për nivelin profesional, si dhe 37,500 lekë për nivelin shkencor.

Studentët e ciklit të dytë të studimeve të cilët nuk bëjnë pjesë në kategoritë e studentëve që përfitojnë ulje të tarifës sipas vendimit përkatës të qeverisë, do të paguajnë tarifën e plotë të shkollimit për vitin akademik që është 60,000 lekë për studentët e “Masterit profesional” dhe 75,000 lekë për studentët e “Masterit shkencor”.

Lehtësirat

Në vendimin e miratuar më herët nga qeveria 10 janë kategoritë e studentëve në nevojë që kanë të drejtë të përfitojnë nga reduktimi i tarifave. Konkretisht, studentë në nevojë konsiderohen: studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike, bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.

Si kategori në nevojë do të trajtohen edhe studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar. Pjesë e kësaj kategorie janë edhe të gjithë studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton, studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë.

Nga reduktimi i tarifave do të përfitojnë edhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç, studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, deri në moshën 25 vjeç, studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç, si dhe studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës”.

Nga detyrimi për shlyerjen e tarifës vjetore të studimit përjashtohen edhe studentët romë dhe egjiptianë, të cilët do të identifikohen nëpërmjet vetëdeklarimit përkatës, si dhe studentët, fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.

Tarifat për secilën kategori studimesh

Studentët që ndjekin ciklin e parë të studimeve do të shlyejnë 50 për qind të tarifës vjetore, që është 15,000 lekë.

Studentët e ciklit të parë (Bachelor) të cilët i përkasin kategorive përjashtimore dhe janë me mesatare 9-10, nuk do të kryejnë asnjë pagesë për tarifën e shkollimit të vitit akademik 2018-2019.

Studentët e ciklit të dytë të studimeve “Master profesional” dhe “Master shkencor” që i përkasin kategorive sociale në nevojë dhe janë me mesatare 9-10, përfitojnë 50 për qind ulje të tarifës së shkollimit. Kështu, studentët e “Master profesional” do të paguajnë 30,000 lekë, ndërsa ata të nivelit shkencor 37,500 lekë.

Ndërsa studentët që nuk bëjnë pjesë në kategoritë e studentëve që përfitojnë ulje të tarifës sipas vendimit përkatës të qeverisë do të paguajnë tarifën e plotë të shkollimit për vitin akademik 2018-2019 që është 60,000 lekë për studentët e “Masterit profesional dhe 75,000 lekë për studentët e “Masterit shkencor”.