Sondazhi i KLSH/Cilësia e munguar në Universitete, studentët vlerësojnë pedagogët me notën “dobët”

Sondazhi i KLSH/Cilësia e munguar në Universitete, studentët vlerësojnë pedagogët me notën “dobët”
Lidhur me protestën e studentëve, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka kryer një studim, për të kuptuar se përveç anës ekonomike, në kërkesat e tyre mbi Cilësinë, se cilat janë pretendimet e vërteta të studentëve, ndryshe nga shumë interpretime që janë bërë më vonë.

Një ndër ta ishte edhe pretendimi i një grupi pedagogësh, të cilët nuk u shquan për tre vite me radhë në asnjë reagim apo pretendim ndaj ish-ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, të cilët për ditë me radhë nxorën si pretendim kryesor abrogimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, si zgjidhje “e tëra problemeve të studenteve”.

Por përmes një sondazhi, studentët e shtatë universiteteve Publike në vendin tonë kanë “ngelur në klasë” pedagogët e tyre, ndonëse e kundërta duhet të ishte e vërtetë.

Ky rezultat erdhi pas një kërkimi, realizuar nga Kontrolli i  Lartë i Shtetit për praktikën mësimore, literaturën e trajtuar dhe aksesin në libra dhe revista akademike.

Përmes një ankete KLSH ka pyetur studentëve të Universitetit të Tiranës, Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Universitetit Bujqësor Tiranë, Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit “Fan S. Noli” Korçë, në lidhje me përformancën e pedagogëve të tyre bazuar në kriteret e sipërpërmendura raporton shqiptarja.com

Studentët kanë dhënë vlerësim të  dobët për stafin akademik dhe për punën kërkimore shkencore.

Shumica prej tyre kanë vlerësuar dobët literaturën e programeve universitare. Sipas raportit të KLSH-së situata paraqitet në një gjendje jo të mirë për sa i takon rëndësisë që ka literatura.

Një pjesë e madhe e studentëve të pyetur i qëndrojnë mendimit se literatura ka qenë dobët (310) apo mjaftueshëm (305) për të garantuar një mbarëvajtje mësimore optimale.

Më tej, shumica prej tyre janë përgjigjur me “dobët” kur janë pyetur për aksesin në libra dhe revista akademike. “Aksesi në libra dhe revista akademike është i domosdoshëm për zgjerimin njohurive cilësore. Përgjigja dobët (330) rezulton të jetë më e zgjedhura me një diferencë të madhe nga përgjigjet e tjera. Më pas, si më të zgjedhurat renditen opinionet si, të mjaftueshëm (280) dhe të mirë (230). Aksesi në revista elektronike mund të konsiderohet në nivel jo të dëshirueshëm pasi, në përgjigjet e marra, studentët janë të mendimit se ka qenë i dobët (370) dhe shumë i dobët (rreth 350). Alternativat e tjera kanë një diferencë të theksuar në krahasim me ato më të zgjedhurat”,-shkruhet në raportin e KLSH.

Përfitimi i dijeve

Të pyetur sa i takon përfitimit të dijeve dhe aftësive që marrin nga lëndët e trajtuara në universitet e tyre, shumica e studentëve janë përgjigjur me ‘mjaftueshëm’. “Përfitimi i dijeve dhe aftësive që marrin nga këto lëndë rezulton të jetë i mjaftueshëm (që ka marrë 310 përgjigje) në pjesën më të madhe të përgjigjeve. Më pas renditen opinione të cilat e vlerësojnë si të mirë (280) efektivitetin e këtyre lëndëve dhe në të njëjtin raport me to janë dhe ata që mendojnë se përfitimi nga këto lëndë ka qenë i dobët (280). Një pjesë e këndvështrimit kritik vjen dhe si pasojë e ndihmës që studentët kanë marrë në nxjerrjen rezultateve të tyre kryesore dhe nga të rejat që kanë pasur te kërkimi shkencor (pa përjashtuar dhe elementë të tjerë subjektiv apo objektiv të një reflektimi kritik). Rezultatet na tregojnë se, pjesa më e madhe e të anketuarve përgjigjen se kanë pasur, dobët (300) apo mjaftueshëm (280) referenca apo të reja në kërkimin shkencor”, thuhet në raport.

Konkluzioni

Për sa më lart, Kontrollit i Lartë i Shtetit ka arritur në konkluzionin se përfshirja e studenteve në veprimtari kërkimore shkencore është e ulët, stafet akademike vazhdojnë në mënyrë tradicionale dhe për shkak të mbingarkesës së lartë të jenë të fokusuar më shumë tek procesi i mësimdhënies dhe jo nga kërkimi shkencor. KLSH kërkon që institucionet e arsimit të lartë të aplikojnë/konkurrojnë me projekte cilësore dhe impakt në fushën e studimit për të përfituar financim nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Në raportin e KLSH jepen 9 rekomandime, të cilat duhet të zbatohen në vazhdimësi nga universitet kryesore në Shqipëri, për të dalë nga kjo gjendje.

Vlerësimi i shumicës së studentëve për pedagogët sipas çështjeve

Literatura e programeve universitare, (dobët)

Aksesi në libra dhe revista akademike, (dobët)

Aksesi në revista elektronike, (dobët)

Kërkimi shkencor dhe praktika, (midis dobët dhe mjaftueshëm)

Referenca apo të reja në kërkimin shkencor, (dobët)

Mësimdhënia e lëndëve me interes të veçantë (mjaftueshëm)

Përfitimi i dijeve dhe aftësive që marrin nga lëndët (mjaftueshëm)

Universitetet e testuar

Universiteti i Tiranës

Universiteti i Mjekisë Tiranë

Universiteti Bujqësor Tiranë

Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë

Universiteti “Fan S. Noli” Korçë

9 rekomandimet e KLSH për universitetet

Universiteti Fan S. Noli duhet të përfshijë dhe të promovoj punimet shkencore të studentëve në botimet shkencore të institucionit.

IAL-të publike subjekte të auditimit të përfshijnë studentë të ciklit të dytë të studimeve në projekte kërkimore, si pjesë e vlerësimit të tyre vjetor apo në tezat e diplomës.

IAL-të publike subjekte të auditimit të hartojnë plane të veprimit për zbatimin e Strategjisë së Kërkimit Shkencor në IAL-të publike

IAL-të publike subjekte të auditimit duhet të përzgjedhin punime të doktoraturës në përputhje me prioritetet e kërkimit shkencor të njësive bazë dhe kërkesave të tregut të punës ne përputhje me programin e studimit.

IAL-të publike subjekte të auditimit, të financojnë punimet e doktoraturës nga granti për kërkim shkencor të akorduar nga AKKSHI sipas përcaktimeve ligjore.

IAL-të publike subjekte të auditimit duhet të risin financimin dhe mbështetjen për kërkim shkencor nga burimet e veta financiare.

NJSBC-të, pranë IAL-ve publike subjekte të auditimit duhet të vlerësojnë në mënyrë periodike efektivitetin e veprimtarisë kërkimore në njësitë kryesore të tyre, në përputhje me standardet e kërkuara të Kodit të Cilësisë së Arsimit të Lartë.

Senatet akademike në bashkëpunim me bordet e administrimit të IAL-ve publike subjekte të auditimit të mundësojnë vendosjen e një sistemi “pikëzimi” për vlerësimin e performancës së stafit akademik në punën kërkimore shkencore dhe konvertimin e saj në shpërblim financiar.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë; Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë të hartojnë raportin vjetor për vitin 2017-2018, në zbatim nenin 32 të LAL dhe udhëzimit nr. 5 datë 19.02.2018, të ministrit përgjegjës për arsimin