Pas skandalit në Kavajë/Të dënuarit “e vegjël”, në Shqipëri mungojnë shkollat e riedukimit

Pas skandalit në Kavajë/Të dënuarit “e vegjël”, në Shqipëri mungojnë shkollat e riedukimit
Skandali i përdhunimit të një nxënëseje 23-vjeçare në Kavajë, kryesisht nga nxënës të shkollës ku ajo mësonte,  çoi në pranga shtatë adoleshentë, kryesisht të moshës 14-15 vjeç, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim.

Por dënimi për një kategori të tillë, nën moshë, sikurse parandalimi apo trajtimi i duhur, duket se është një tjetër problematikë me të cilën po ballafaqohen strukturat e shtetit.

Në institucionet e vuajtjes së dënimit, ka edhe adoleshentë të tjerë, që janë ndaluar kryesisht për vjedhje, apo vepra të tjera penale.

Të mitur të moshave 14 deri 18 vjeç vuajnë aktualisht dënimin në institucionin e vetëm të posaçëm në Kavajë, i hapur që në vitin 2009 vetëm për këtë kategori. Në këtë qeli ndodhen të izoluar 31 persona të kësaj kategorie, por për moshën nën 14 vjeç ligjet shqiptare nuk parashikojnë asnjë trajtim.

Megjithëse prej më shumë se 1 viti ka hyrë në fuqi Kodi  Penal për të miturit dhe janë ngritur edhe seksionet e veçanta në gjykata, ekspertët thonë se nevojiten ndërhyrje të tjera.

Eksperti i fushës Jordan Daci thotë se “më përpara ne kemi pasur institucione të riedukimit, sot nuk i kemi, dhe ndaj është urgjente të hapen për të trajtuar të miturit që janë në konflikt me ligjin por nuk mbajnë përgjegjësi penale dhe nga ana tjetër i kanë sjellë dhe i rrezikojnë dëme serioze shoqërinë ”.

Lidhur me fenomenin psikologja klinike Besarda Taçi ka trajtuar disa raste ku është vënë re “imitimi” i modeleve të gabuara. “Janë vënë re se në familjet ku prindërit janë me precedentë penalë, ka probleme me alkoolin ose drogën, por ka dhe një mos respektim të rregullave të sjelljes dhe mungon vëzhgimi apo kujdesi, adoleshentët janë më të predispozuar të bëhen pjesë e krimit apo të përdoren nga më të rriturit për interesa kriminale”, shprehet Taçi.

Vlerësohet se rol të rëndësishëm ka edhe shkolla, ku të miturit shfaqin shenjat e para të agresivitetit dhe prirjes kriminale ndaj duhen programe të posaçme për evidentimin e këtyre rasteve.

Si vajza, ashtu edhe djemtë e përfshirë në skandalin e Kavajës, besohet se nuk kanë i ditur pasojat ligjore, çka bën me përgjegjësi sistemim arsimor, institucionet ligjzbatuese, si dhe tërë shoqërinë që nuk po e edukon brezin e saj të ardhshëm.