SHTETI NË PROVË - OPINION NGA FRROK ÇUPI

SHTETI NË PROVË - OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të gjitha mund të vihen në provë: Makina, këpucët, fabrika, tjegullat, farërat e agrikulturës, butet e verës..., të gjitha. Kur vjen puna për të vënë në provë shtetin..., këtë e bëjnë vetëm dy kategori: O ata që kanë marrë vesh se po shuhet jeta, ose të çmendurit!

Shteti është si Zoti, apo është ‘zoti i vdekshëm’ për të gjithë.

Tani po guxojnë disa që të venë në prove shtetin. Disa banorë në periferi të Tiranës që kanë zënë toka të huaja po bëjnë luftë që të mos i hapin rrugë shtetit për të zgjeruar rrugën. Disa militantë partish dhe huliganë po shtiren si ‘studentë’ dhe iu venë llozet dyerve të Universiteteve e nuk lejojnë studentët të hyjnë në shkollë. Disa shkrues që thonë se janë gazetarë përdorin fjalë të ndyra kundër kujtdo dhe thurin lajme të rreme- me të drejtën e injorantit. Disa politikanë  kanë ngrehur militantë kokë- trashë dhe iu kanë thënë ‘ejani në Tiranë për protestë se iu kthejmë në shtëpi me nga një llokme pushteti secili’. Presidenti i Republikës mbledh në zyrë banorët që kanë shkelur ligjin e nuk i hapin rrugë projekteve të shtetit për modernizim, dhe i inkurajon.... Marrëzi totale... Por të gjitha kanë vënë në provë shtetin...

Shtetit i kërkohet ligji, rregulli, kujdestaria, përparimi, projekti..., por nuk mund të vihet në provë.

Pse nuk vihet në provë shteti? Sepse nuk i dihet si del prova; individi nuk është më në gjendje të përballojë pasojat.

Pasoja e parë: Ku ta dish ti që provokon, se shteti- kur shikon se ka të bëjë me të çmendur, hap rrugën dhe të thotë ‘atëherë vazhdo!’. Dhe ti që e bëre provën çfarë do të bësh?... Do të vrasësh apo djegësh nja pesë a gjashtë, pastaj pushka të ngec. Do të djegësh ca dyqane ose do të zësh disa rrugë... Ke bllokuar jetën e njerëzve... Do të thërrasësh në kupë të qiellit se ‘fitova!’ Po kush të dëgjon. Bota është më e mençur se të marrët dhe nuk të pranon... Fatkeqësisht, të marrët nuk kanë as anije kozmike që të fluturojnë për një jetë tjetër në planetë...

Pasoja e dytë: Shteti nuk do të hapë rrugë. Prej shumë e shumë vitesh është përkthyer në shqip një ‘saying’ botëror që thotë se këshilla ‘hapi rrugë gomarit’ nuk është gjë e mirë. Nëse shteti nuk hap rrugë, atëherë përdor mjetet e tij. Një shtet i mençur punon pa pushim me ‘frikën’ se një ditë individi ( edhe pse mund të jetë  i marrë)  mund t’i dalë përpara dhe të bëhet më i fuqishëm se shteti. Teknikat dhe teknologjitë e reja e mundësojnë këtë. Mirëpo deri më sot, shteti është konsideruar krijesa më e mirë e njerëzimit mes krijesave të tjera që edhe mund të rrëshqasin në ‘përrua psikik’.

Pasoja e tretë: Ta zëmë se edhe shtetin nuk e mbajnë dot nervat, megjithëse ka për detyrë që ta mbajnë. Pjesa politike e shtetit është e votuar dhe ka maksimumin e votuesve në vendin tonë. Ndërsa partitë e opozitës, inkludë edhe presidentin, janë të pa votuar. Atëherë, larg qoftë, pjesa e votuar e shtetit- ta zëmë- doli para popullit dhe iu bëri thirrje votuesve të vet... Ku do të futen këta dhjetë, njëzet a njëqind vetë përballë dy milionëve?... Mos e dhëntë zoti që të çmendet shteti, por edhe për këtë arsye, nuk duhet vënë në provë.

Marrëzia e provës ndaj shtetit ka përfshirë vendin tonë, më së fundi dhe në mënyrë të shëmtuar. Më parë kjo marrëzi është konstatuar në vende shumë të zhvilluara. Por sa më të zhvilluara shoqëritë, aq edhe më shumë e venë nën kontroll marrëzinë e nuk bëjnë si këtu...

A u vu në provë shteti francez nga ‘jelekët e verdhë’?  Në  fillim shumica absolute e qytetarëve francez u pajtuan me kërkesat e jelekverdhëve. Para dy javësh mbështetja zbriti në 8 për qind. Tani mund të jetë afër zeros. Por ‘in between’ ndodhi që një shumicë njerëzish që u vetëquajtën ‘shamikuqtë’ dolën në rrugë dhe iu drejtuan gishtin ‘të verdhëve’ që kishin vënë në provë Francën: “A po shkoni në shtëpi?!”...  Ja kështu mbaroi.

A u vu në provë shteti Amerikan? Për shkak të qëllimit të Demokratëve ‘domosdo kundër presidentit Trump’, Demokratët bllokuan qeverinë për 35 ditë. 800 mijë punonjës federalë mbetën pa paga, disa institucione të shërbimit u paralizuan. Presidenti Trump kërkon që Demokratët të firmosin 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e murit kufitar me Meksikën, me qëllim sigurinë kombëtare. Demokratët prapë nuk e bëjnë. Prapë do të bllokohet qeveria... Por presidenti Trump, i vënë para provës, do të thërrasë emergjencën kombëtare, do të shkëpusë financimin nga buxheti ushtarak, dhe shteti do të triumfojë...

Puna është që të mos vihet në provë shteti... Mund të provohen këpucët, tjegullat dhe makina... Por shteti është makina me shpirt- e të gjithëve.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press