Shifra alarmuese, 70% e shqiptarëve përjetojnë depresion

Shifra alarmuese, 70% e shqiptarëve përjetojnë depresion
Depresioni është një gjendje komplekse mendore dhe emocionale, e lidhur zakonisht me të qenët i trishtuar, humor të keq që ndikon për keq te produktiviteti mendor dhe lëvizjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqindja e popullsisë globale me depresion vlerësohet të jetë 4.4%. Ky proporcion ndryshon sipas gjinisë dhe moshës.

Në përgjithësi, prevalenca e depresionit ka tendencë të jetë më e lartë në mesin e grave në moshë. Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë se diagnostikimi i depresionit si një çrregullim mendor kërkon shqyrtim të përpiktë profesional. Ekspertët kanë vënë re se çrregullimi i depresionit është nënraportuar për shkak të stigmës të lidhur me këtë gjendje.

Për shkak të këtij kufizimi, rezultatet e anketës 2018 nuk përfaqësojnë matje të saktë të prevalencës së depresionit në Shqipëri, por vetëm një vlerësim të përqindjes së njerëzve që raportojnë se janë ndier në depresion në kohën e intervistës. Për të bërë një vlerësim rreth depresionit, të anketuarit u pyetën: “A jeni ndier në depresion gjatë dy javëve të fundit?

Për të siguruar një tjetër tregues më të veçantë të depresionit, të anketuarit u pyetën nëse ata janë diagnostikuar nga një mjek. Në këtë rast, prevalenca e raportuar e diagnostikuar mbi depresionin pasqyron një kombinim më të saktë të gjendjes reale të popullatës me depresion. Rreth 70 për qind anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit. Nga këto 13% e grave dhe 18 meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv dy javë para sondazhit.

Nga ana tjetër, 31% e grave dhe 43% e burrave thanë se nuk kanë përjetuar depresion dy javë para studimit, por nuk e përjashtuan të kaluarën. Kur u pyetën nëse kishin kryer vizitë te një mjek profesionist për depresion, 2% e grave dhe 4% e burrave u përgjigjën pozitivisht. Të dhënat e gjetura nga anketa në raport me diagnozat tregojnë se depresioni është një sëmundje e nëndiagnostikuar në vendin tonë.

Për të dyja gjinitë, depresioni rritet me moshën dhe është më i lartë në zonat rurale dhe më i ulët në kategorinë e personave me arsim të lartë.

Rreth 22% e grave me arsim 8-vjeçar ndiheshin shumë në depresion dhe 9% e tyre janë diagnostikuar me depresion, teksa ndër ato me arsim universitar, këto përmasa ishin shumë më të ulëta. Gjendja ekonomike është një faktor themelor që çon në depresion. 14% e grave në rangun më të ulët të pasurisë kanë përjetuar depresion për shumë kohë dhe 4% kanë raportuar se janë në depresion gjithë kohës edhe gjatë periudhës së sondazhit.

Në mesin e grave në kategorinë më të lartë të pasurisë, prevalenca e depresionit është më e ulët.

 

Mjekja psikiatre Rreli: Depresioni mungon kultura e trajtimit

Arjana Rreli, mjeke psikiatër në Tiranë, thotë se depresioni është sëmundje e nëndiagnostikuar në Shqipëri për shkak të mungesës së kulturës për trajtim që ka shoqëria jonë. Mbetet shqetësues fakti që kjo kategori personash nuk i drejtohet mjekëve specialistë dhe tentojnë mjekim amator pa recetën e mjekut. Konsumi i qetësuesve pa recetë është shumë i lartë dhe se të prekurit nga depresioni e përkeqësojnë edhe më tej situatën, duke u trajtuar në këtë mënyrë. Përveçse me depresion, ata krijojnë varësi nga medikamenti, duke e bërë më pas mjekimin protokollar edhe më të vështirë.