Shënohet viktima i katërt i gripit, sërish nga Elbasani

Shënohet viktima i katërt i gripit, sërish nga Elbasani
H.E., 38 vjeç, banor i qytetit të Elbasanit, ndërroi jetë në Sanatorium. Mjekët: Komplikacione pas prekjes nga virusi AH1N1. ISHP dhe MSH: Pneumoni e rëndë

Gripi i shoqëruar me probleme në rrugët e frymëmarrjes, po shkakton të tjera viktima në Shqipëri dhe vetëm në pak ditë, dje pasdite u shënua rasti i katërt. Shqetësues është edhe fakti se të katër të ndjerët vinin nga qarku Elbasan, tre nga qytet Elbasan dhe tjetri nga qyteti Gramsh.

H.E., 38 vjeç, banor i qytetit të Elbasanit, ndërroi jetë pasditen e djeshme në Sanatorium ku ishte shtruar pas prekjes nga virusi gripal.

Burime nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” bëjnë me dije se 38-vjeçari i shtruar në reanimacion ka ndërruar jetë për shkak të komplikacineve të gripit, por duke pasur edhe problematika të tjera me mushkëritë.

H.E., ishte shtruar pak ditë më parë në spital për shkak të komplikacioneve të rënda që shfaqi, ndërsa rezultoi se ishte prekur nga virusi AH1N1. Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ditët e fundit. 38-vjeçari vuante edhe nga probleme me mushkëritë çka ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.

Në këtë spital gjatë kësaj jave kanë humbur jetën edhe 3 persona të tjerë, ndërkohë që ka dhe të tjerë të shtruar për shkak të komplikacioneve që ka shfaqur gripi. Në të gjitha rastet me vdekje, pacientët kishin dhe probleme në rrugët e frymëmarrjes.

ISHP dhe MSH në një njoftim të shkurtër mbrëmë, thanë se i ndjeri H.E., nuk vdiq nga gripi i derrit sikurse u sugjerua nga disa media, por kaloi një pneumoni të rëndë.

Pneumologët e Sanatoriumit pohojnë se gripi nuk duhet neglizhuar pasi mund të marrë jetë kryesisht te ata që kanë edhe sëmundje të tjera si diabet, probleme kardiake, veshkat apo probleme me mushkëritë.

Po kështu edhe ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë paralajmëruar se vendi është në situatë gripale sezonale, por kjo nuk përjashton edhe përhapjen e gripit të derrit përmes rrugëve të frymëmarrjes.

Të moshuarit dhe fëmijët rezultojnë se janë dy kategoritë më të prekura nga gripi në vendin tonë. Mjekët pohojnë se gjatë ditëve të fundit janë shtuar rastet e pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore sa i takon gripit dhe virozëve të stinës. Intensiteti i qarkullimi të virusit është i lartë, afro 20 mijë të prekur në javë.

Mjekët bëjnë apel për vaksinim edhe në këtë periudhë, veçanërisht për kategoritë në risk. Nëse kalohet harku kohor i 5 ditëve me temperaturë të lartë, është mirë të bëhet një kontroll mjekësor, jo domosdoshmërisht në urgjencat spitalore.