Sëmundjet psikiatrike, si t’i njohim nga simptomat fillestare

Sëmundjet psikiatrike, si t’i njohim nga simptomat fillestare
Shenjat dhe simptomat më të zakonshme të sëmundjeve mendore zakonisht kategorizohen sipas faktit, nëse përmbajnë anomali të sjelljes, humorit, të të folurit ose të të menduarit, perceptimit dhe proceseve konjitive. Mjekja psikiatre, Fatime Elezi tregon se cilat janë shenjat kryesore të këtyre sëmundje dhe si duhet  ti dallojmë ato

Sonila Isaku

Si çrregullimet psikologjike ashtu edhe ato psikiatrike karakterizohen nga disa grupime simptomash karakteristike, të cilat zgjasin për një periudhë të caktuar kohe. Këto çrregullime nuk shfaqen si pasojë e ndonjë sëmundjeje mjekësore dhe dëmtojnë dukshëm funksionimin individual, familjar, në profesion dhe shoqëri. Disa nga çrregullimet më të shpeshta të cilat hasen në praktikën klinike të mjekëve psikiatër janë:

Anomalitë e sjelljes: Shumica e gjendjeve psikiatrike përfshijnë disa ndryshime “pervasive”  të përhapura në sjelljen normale të individit. Shoqëri të ndryshme tolerojnë lloje të ndryshme sjelljesh. Kur vlerësohet sjellja sociale është më e rëndësishme të përcaktohet nëse sjellja e individit është jashtë normave të tij të sjelljes normale dhe/ose jashtë normave të ambientit të tij social.

Ritmi i sjelljes: Sjellja mund të ngadalësohet në sëmundjet depresive (frenim) ose të shpejtohet në hipomani (hiperaktivitet).

Paqëndrueshmëria e vëmendjes: Një individ mund të mos jetë në gjendje të përqendrohet dhe të luajë apo lëvizë përreth dhomës.

Papërshtatshmëria sociale: Një individ mund të thyejë normat e traditës sociale. Një individ mund të masturbojë në ambiente publike, apo të sillet në një mënyrë seksualisht provokuese, ose të hipë mbi tavolinë, të zërë hapësirën personale etj.

Veshja: Një individ mund të vishet në mënyrë të çuditshme dhe të pazakontë (p.sh., mund të zhvishet apo të mbulojë veten me qese plastike).

Përgjigjja ndaj eksperiencave të brendshme: Një individ mund të flasë me objekte për shkak të përgjigjes së tij ndaj eksperiencave deluzionale apo halucinatore.

Lëvizjet spontane: Tremori (dridhja) është i zakonshëm në ankth. Lëvizjet koreiforme karakterizohen nga lëvizje të papritura dhe të shkujdesura, të cilat ndonjëherë janë përdredhëse. Në sëmundjen e Huntingtonit, fytyra, trungu i sipërm dhe krahët janë më të prekura nga lëvizjet hedhëse. Tërheqja e hundëve dhe gërhitja shpesh janë të pranishme. Tiku është lëvizje motore (ose vokalizuese) e shpejtë, e pavullnetshme, e rikthyeshme, jo ritmike, që të kujton lëvizjet ekspresive siç janë shkelja e syrit, shkundja e supeve, apo përdredhja e qafës. Tiket vokale përfshijnë pastrimin e fytit, thithjen e hundëve, fërshëllimën.

Tiket mund të jenë të thjeshta ose komplekse. Stereotipia është një veprim përsëritës i paqëllimshëm, që kryhet në të njëjtën mënyrë. Manjerizma është një veprim motor përsëritës, i paqëllimshëm, siç është një lëvizje e pazakontë e duarve kur takon dikë, apo forma të tjera përshëndetjesh të pazakonta.

Ekopraksia është kopjimi i një lëvizjeje të kryer nga dikush tjetër. Refleksi i kapjes është kapja e pavullnetshme e gishtit të një personi ose një objekti, kur ky i vendoset individit në pëllëmbën e dorës. Është e pranishme te infantil i porsalindur, por konsiderohet shenjë e shqetësimit organik trunor tek adulti.

Posturat e pazakonshme. Individët me skizofreni ndonjëherë marrin pozicione të çuditshme dhe të pazakonshme, të cilat ata mund t’i ruajnë për orë të tëra madje me ditë (katatonia). Pacientët mund të shtrihen e ta vendosin kokën disa centimetra larg jastëkut (simptoma e jastëkut) ose të marrin pozicionin e kryqëzimit.

Te disa pacientë është ndjesia e një rezistence plastike, sikur trupi i tyre është lëvizur dhe ata mund të vendosen në një pozicion tipik të cilin ata e ruajnë edhe më pas. Ky quhet fleksibilitet i dylltë. Të tilla gjendje janë thuajse të rralla në ditët e sotme, falë trajtimeve farmakologjike mjaft efektive.

Ritualet obsesive: Ritualet obsesive janë sjellje përsëritëse, të qëllimshme që individi i kryen në përputhje me mendimet obsesive, impulset dhe ruminacionet. Sjelljet kryhen për të ulur ankthin i cili shkaktohet nga shqetësimi obsesiv. Ritualet shpesh përbëhen nga sjellje kontrolluese, pastrimi, numërues ose që kanë të bëjnë me veshjen.