RASTI “BUJAR SHESHI” DHE PUBLIKIMI I BASHKËPUNËTORËVE TË SIGURIMIT – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

RASTI “BUJAR SHESHI” DHE PUBLIKIMI I BASHKËPUNËTORËVE TË SIGURIMIT – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Disa muaj pasi ishte zgjedhur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i propozuar nga Kryeprokurorja Marku, Bujar Sheshi morri pjesë në një votim shumë të rëndësishëm në këtë këshill. Ai votoi pro kthimit të prokurorit Hajdarmata në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, nga e cila e kishte larguar Kryeprokurorja Marku. (Për kujtesë, Hajdarmata ishte prokurori që kishte mbrojtur në Kuvend kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit.)

Fill pas votimit të Sheshit në kundërshtim me vendimin e Kryeprokurores Marku, në media qarkulloi një dokument i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas të cilit një njeri me gjeneralitete të ngjashme me të Sheshit (por jo të njëjta) kishte qenë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit të Shtetit në vitin 1974 (në moshë të mitur). Kryetarja e Autoritetit (që ka qenë më parë një zv.ministre e Ramës) deklaroi se pavarësisht mospërputhjes së gjeneraliteteve, personi që ka qenë bashkëpunëtor i mitur i Sigurimit është në fakt Bujar Sheshi. Dhe Sheshi e ka paditur kryetaren dhe të gjithë Autoritetin për këtë gjë.

Se si do të përfundojë gjyqi mes tyre duhet t’ia lëmë kohës të na e tregojë, por një gjyq në opinionin publik ka ditë që zien.

Në mënyrë të ngjashme, para disa muajsh u bë një gjyq i tillë publik për një kandidat tjetër për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Një prokuror nga Durrësi, Autoriteti i Dosjeve e certifikoi si të pastër në lidhje me të kaluarën e tij para vitit 1990, dhe ai ishte gati të votohej si anëtar i KLP-së. Por opozita publikoi një faksimile të një dokumenti të firmosur nga prokurori, që tregonte se ai kishte qenë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit, kur kishte punuar në Portin e Durrësit.

Autoriteti i Dosjeve kërkoi falje publike për atë rast, duke u justifikuar se dokumentet ishin të shpërndara në shumë arshiva, dhe i kishte shpëtuar ky rast. Ndërsa në rastin e Bujar Sheshit kishte rrëmuar në të gjitha arshivat, dhe prandaj ishte vonuar disa muaj deri sa e verifikoi plotësisht atë. Por për rastësi, publikimi ndodhi pasi Sheshi kishte votuar kundër Kryeprokurores Marku…

Dy standardet e ndryshme të përdorura në këto raste të bëjnë të dyshosh se Autoriteti i Dosjeve nuk vepron jashtë ndikimit të korrenteve e përplasjeve politike të ditës. Dhe ky përbën një problem afatgjatë për politikën, administratën dhe median shqiptare. Në fakt, gjithkush mund të jetë i shantazhueshëm me dosjet që ka në barkun e tij ky autoritet, si ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, edhe ata që mund të kenë emra të ngjashëm me ish-bashkëpunëtorë.

Kanë kaluar pothuaj tri dekada qysh nga shpërbërja e Sigurimit të Shtetit, dhe është mëkat i madh që dosjet e tij të përdoren edhe sot si mjet shantazhi dhe kontrolli ndaj politikanëve, zyrtarëve dhe njerëzve të medias. Për këtë arsye, do të ishte e udhës që të publikohen të gjithë emrat e ish-bashkëpunëtorëve dhe ish-punonjësve të sigurimit, që sot janë politikanë, zyrtarë apo gazetarë, analistë ose opinionistë. Në këtë mënyrë dosjet e Sigurimit nuk mund të jenë më një mjet shantazhi.

Po sa besim mund të ketë publiku tek një listë e përpiluar nga Autoriteti i Dosjeve? Aktualisht ndoshta nuk ka, por në qoftë se atij i atashohet një ekspert gjerman, që është marrë me dosjet e Stasit, besimi mund të rritet (Për kujtesë, ekspertë gjermanë ishin ata që dhanë konsulencë për ligjin e dosjeve të Sigurimit).

Po a nuk do të shkelej e drejta e privatësisë së njerëzve që do t’u dilte emri në listën e bashkëpunëtorëve apo punonjësve të sigurimit? Në fakt ky ishte edhe shqetësimi i ekspertëve gjermanë, të cilët ishin kundër publikimit të emrave. Por besimi te Autoriteti i Dosjeve në Gjermani ishte i lartë, ndërsa në Shqipëri… Dhe në rastin kur ky besim nuk është i plotë, shoqëria duhet të vërë në peshë privatësinë e politikanëve, zyrtarëve e njerëzve të medias, nga njëra anë, dhe dëmin shoqëror që mund të bëjë shantazhimi i tyre me dosje të qena e të paqena, nga ana tjetër.

Dikush që ka qenë vërtetë bashkëpunëtor i Sigurimit mund të bëjë gjëra të dëmshme për shoqërinë, përderisa e urdhëron bosi që mund t’ia hapë petat lakrorit. Dikush tjetër që mund të mos ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, mund të sulmohet si i tillë në publik, kur bosave s’u pëlqen një qëndrim i tij. Dhe sa të sqarohet e vërteta nëpër gjyqe të stërgjatura ndër vite, dëmi është bërë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press