Qeveria e Kosovës “nuk e njeh më UNMIK-un”

Qeveria e Kosovës “nuk e njeh më UNMIK-un”
“Ne nuk shohim asnjë interes që Kombet e Bashkuara t’i përfaqësojë një strukturë që quhet UNMIK”

Qeveria e Kosovës e ka ndërprerë komunikimin dhe nuk e njeh më Misionin e Kombeve të Bashkuara-UNMIK, si strukturë përfaqësuese në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha dje se “Kosova ka shkëputur komunikimin me UNMIK-un (Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë)” dhe se më nuk komunikon me të.

Për të sqaruar kohën dhe arsyet e shkëputjes së komunikimit me UNMIK-un nga ana e Qeverisë së Kosovës, foli dje Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj. Ai tha se në parim, shkëputja e komunikimit me UNMIK-un ka ndodhur “më 17 shkurt 2008, kur Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur, si dhe ka marrë njohje ndërkombëtare, duke u bërë entitet juridiko-politik i pranuar ndërkombëtarisht”. Por, sipas tij, qeveria e Haradinajt tashmë edhe praktikisht ka shkëputur komunikimin me UNMIK-un.

“Së fundi, në qeverinë Haradinaj, praktikisht edhe komunikimi i kortezisë është shkëputur, për arsye se objektivisht, synimet e Kosovës janë rrugëtimi euroatlantik dhe anëtarësimi në BE dhe NATO dhe ne nuk shohim asnjë interes që Kombet e Bashkuara t’i përfaqësojë një strukturë që quhet UNMIK. Praktikisht, Qeveria e Kosovës më nuk e njeh një strukturë të tillë në vendin tonë”, ka thënë Matoshi.

Zyra e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë funksionon edhe si zyrë komunikimi ndërmjet institucioneve të Kosovës me Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë- Interpol.

Matoshi ka shtuar se Misioni i Kombeve të Bashkuara është mision “mysafir”, i instaluar në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, para shpalljes së pavarësisë së saj, në shkurt të vitit 2008.

Misioni i UNMIK-ut është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

Qëllimi i këtij misioni është të kujdeset për paqen, sigurinë, sundimin e ligjit në Kosovë. Ky mision dikur ka numëruar 15 mijë të punësuar dhe sot janë rreth 380. Buxheti i këtij misioni prej qershorit të vitit 2017 deri qershor të 2018 ka qenë rreth 38 milion euro.

Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, 2008, institucionet e Kosovës zyrtarisht disa herë kanë thënë se rezoluta 1244 është e tejkaluar dhe nuk e përfaqëson realitetin e ri dhe se misioni i UNMIK-ut nuk ka më funksion në Kosovë.

Prishtina zyrtare ka kërkuar që misioni I UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë.

 

 

Ambasadori Scott: SHBA po kërkon heqjen e tarifës ndaj serbëve

Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, tha dje se SHBA-ja po vazhdon t’i bëjë thirrje autoriteteve të Kosovës të heqin tarifën ndaj mallrave serbe pasi ajo është pengesë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ambasadori amerikan i bëri deklaratat gjatë një takimi me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Në njoftimin e kabinetit të kryeministres serbe thuhet se ambasadori amerikan shprehu gatishmërinë e SHBA-së të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit “e cila do të mundësonte stabilitetin dhe përparimin e gjithë rajonit”.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe Bërnabiq, shprehu domosdoshmërinë e heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Prishtinës, në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i dialogut në Bruksel.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur tarifë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo tarifë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.

Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë tarifë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi po i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës të tërheqë vendimin për tarifën mirëpo kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po kundërshton duke thënë se tërheqja mund të ndodhë vetëm nëse Serbia dhe Bosnja e njohin Kosovën.

 

 

Kosova kundërshton raportin e kreut të OKB-së, Antonio Guteres

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha dje se vlerësimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres, se problemi më i madh në raportet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk është reflektim i të së vërtetës.

Vlerësimi i kreut të OKB-së, buron nga raportet që i dërgon misioni i UNMIK-ut, me të cilin, sipas Haradinajt, Kosova e ka shkëputur komunikimin.

“Kosova ka shkëputur komunikimin me UNMIK-un (Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë) dhe nuk po komunikojmë më me ta. Njerëzit e UNMIK-ut i shkruajnë këto letra dhe i dërgojnë atje. Nuk mendoj që është reflektim i të vërtetës”, ka thënë Haradinaj.

Një ditë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi në New York se korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve, Haradinaj, përsëriti qëndrimin e tij kundër korrigjimit të kufirit.

“Jo, nuk do të ndodhë ashtu. Kosova është e gatshme për një marrëveshje obliguese ligjore dhe gjithëpërfshirëse, që i rregullon krejt temat, por jo një marrëveshje që objekt e ka territorin dhe kufijtë. Nuk duhet shkuar asaj rruge”, theksoi Haradinaj.

Ai ka ritheksuar që Kosova është e gatshme për dialog, por pa kushte dhe e ka cilësuar të pakuptimtë pozicionin e Serbisë, e cila kusht për vazhdimin e dialogut me Kosovën e ka vënë heqjen e tarifës së vendosur për produktet e Serbisë.