PUNËTORËT E DHUNËS- OPINION NGA FRROK ÇUPI

PUNËTORËT E DHUNËS- OPINION  NGA FRROK ÇUPI
PUNËTORËT E DHUNËS

Nga FRROK ÇUPI

Këtu, në hyrje të protestës, ndodhet një rrugë me emrin “Punëtorët e Rilindjes’... Që në jetën time shkollore aty kam kaluar të paktën dy herë në ditë, jam çuditur njëmijë herë se si Komunistët- njerëz pa liri e pa fantazi- kishin mundur të gjejnë këtë emër të bukur “Punëtorët e Rilindjes’ ... Por Rilindësit as i do më njeri. Sot rruga mu duk se ishte ‘e Punëtorëve të Dhunës’.

Rilindësit dhe Dhunuesit!?...

Me këta të mjerë, gjithë jetës, ka ndodhur procesi i dhunuesit dhe i viktimës brenda të të njëjtit kurm. Këta të shkretë, edhe sot ishin dyndur nga rrëzat më të thella për të ushtruar dhunë dhe për t’u dhunuar para selisë së Kuvendit të Shqipërisë. Kur nuk gjetën përpara xham a njeri, atëherë dhunuan pemët në bulevard. Por gjatë gjithë kohës vetë ata dhunohen nga liderët e tyre që i kanë marrë si parzmore për të mos u burgosur për krimet e kryera..

Jam mrekulluar sot, në sensin e destinisë, se si ndodh kështu: Brenda përbrenda njeriut ndodhet edhe dhunuesi edhe viktima; por brenda përbrenda qytetit ndodhen simbolet e historisë së dhunës dhe të viktimës; dhe, më në fund- brenda klikës që i thonë ‘parti’ ndodhet monstruoziteti që i përdor të gjitha: Edhe dhunën edhe viktimën, edhe qytetin edhe simbolin- për përbindëshin brenda saj....

E patë ku u zhvillua sot protesta?

Përballë folësit të protestës, që herë është Monë e herë Lul, ndodhet monumenti i ‘Vuajtjes’ dhe ‘shtëpia e Vuajtjes’. Monumenti është një krijesë si ‘monstër’ që iu dedikohet të burgosurve në periudhën e diktaturës. Sa herë e shikoj, sigurisht që nuk më pëlqen, por e kapërcej e them: “Haj, se kushedi, ndoshta ashtu i ka ardhur autorit’.  Autori i skulpturës ndoshta ka qenë i burgosur i diktaturës, dhe tamam si monstër e ka perceptuar vuajtjen. Folësit e protestës janë dy njerëz që kanë provuar vetëm ‘burgun’ e pushtetit dhe të vjedhjeve. Mona thotë se faturat I ka firmosur Iliri; prijësi i protestës Sali Berisha i thotë Ilirit ‘Ilir Florini’ sepse duke qenë kryeministër e kapi duke vjedhur thesarin. Luli është kapur po kështu në abuzime pa fund- deri në vrasje... Një varg ‘vuajtjesh’ në pisllëk demokratik- përballë monumentit të Vuajtjes së Diktaturës. Sot ndoshta duhen larë të gjitha e prandaj kanë thërritur ‘punëtorët’ që të mbrohen nën dhunën e tyre.

Ja kështu i paska krijuar Zoti ‘destinitë’ që aty ku rri vuajtja e vërtetë, aty vjen për miting dhunuesi. Ku ishte dhe ku është rruga ‘Punëtorët e Rilindjes’, aty ndodhej edhe ‘Biblioteka e Vjetër’ Kombëtare. Një ditë ‘po’ dhe një ditë ‘jo’- aty nga vitet ’70, më ka qëlluar që te porta e vjetër të shoh një burrë të vuajtur tek dilte, e kërruste më shumë trupin për të mos u vënë re. Dilte nga Biblioteka sa mbaronte orari i punës. Herë flisnim dy fjalë, herë shkëmbenim veç shikime që sikur psherëtinin ’eh, mor mik!’. Ishte Zef Mala, intelektual perëndimor, themelues i partisë Komuniste, që diktatori e vrau, por la gjallë për të parë vuajtjet e veta. Zefi punonte në Bibliotekën Kombëtare, ndërsa të gjithë njerëzit e dinin se e ‘kanë pushkatuar’.

Kjo është rruga, që edhe sot dhunuesit e rinj e përdorin për t’i hedhur baltë cilitdo që nuk është aq idiot. E kanë gjetur- kjo më mrekullon!- se si e kanë gjetur kaq mirë ku t’i mbledhin punëtorët e dhunës. Kaq shumë ‘shula’, vandalë dhe injorantë protestojnë si të jenë duke ndjekur Zef Malën që para tyre e kishte dhunuar diktatori gjithë jetën. Udhëheqësit e këtyre ‘punëtorëve të dhunës’ janë kaq barbarë saqë kur po ndjejnë se do të burgosen për krimet që kanë bërë- thërrasin në protestë punëtorët që për ta përkthehet ‘budallenjtë’.

Në Gjirokastër ndodhet një rrugë me emrin ‘Sokaku i të Marrëve’, por këtu është e ‘Rilindjes dhe e Dhunës’. Partia që po bën sot protestën, është partia që kishte marrë misionin  e demokracisë në vitin 1990, por në fakt, ka ushtruar më shumë dhunë se diktatura- në publik. Edhe kjo është një mrekulli tjetër, se si brenda të të njëjtës klikë që quhet ‘parti’ ndodhet edhe dhuna fizike, edhe mashtrimi, edhe padrejtësia, edhe vrasja...

Rrugës ‘Punëtorët e Rilindjes’ kemi kaluar me protestuesit e Qytetit Studenti kundër diktaturës, drejt sheshit ku ndodhej monumenti i diktatorit. Aty është shitur numri i parë i gazetës ‘Rilindja Demokratike’, që u kthye në shpresën më të madhe kundër diktaturës... Gazeta ‘Rilindja’ dhe rruga ‘Rilindja’. Këtu ka qenë një nga libraritë më të mira të Tiranës, fare pranë portës së Zef Malës. Kur u mor vesh se po dilte ‘Rilindja’, njerëzit mblidheshin te libraria, me shpresë... se sot ka dalë. Por ditën që doli gazeta, numrin e parë e dërgova te ajo librari, fillimisht...

Nuk di nëse ekziston më ajo librari. Po kush e ka mendjen te libraritë; sot në protestë prinin disa njerëz që u kishin dhunuar pronat të tjerëve dhe quhen ‘Astir’, si dhe Mona e Luli. Mona e Luli edhe librarinë do ta donin si vend dhune...