Përdhunimi i të miturës në Kavajë, Spiropali akuzon opozitën për “përdorim politik”

Përdhunimi i të miturës në Kavajë, Spiropali akuzon opozitën për “përdorim politik”
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka akuzuar Partinë Demokratike se po përdor politikisht rastin e përdhunimit të një vajze të mitur në Kavajë për të sulmuar Qeverinë.

“Nuk u besoja syve kur lexova deklaratën e PD-së, është dëshmi e qartë e dëshpërimit opozitar që nuk ngurron të përdorë edhe raste të tilla për ushqimin politik të ditës”, tha Spiropali, që njëkohësisht mbulon edhe detyrën e zëdhënëses së Qeverisë.

Duke folur për ngjarjen e Kavajës, ministrja tha se për këtë rast prokuroria po kryen hetimet, ndërsa vajza është marrë nën kujdes psiko-social dhe shëndetësor.

“Ka raste në Amerikë, Finlandë apo kudo tjetër bëhen filma, por kurrë asnjë parti politike në këto vende nuk del për ta përdorur rastin për politikë për të gjetur fajtorin, shkaqet e pasojat te qeveria e një vendi”, tha Spiropali.

Për ngjarjen e Kavajës kanë reaguar dje deputetet e Partisë Demokratike Oriola Pampuri dhe Dhurata Çupi, të cilat akuzuan instancat shtetërore për heshtje, mosreagim dhe fshehje të krimit.

Denoncimi për ngjarjen e rëndë erdhi fillimisht nga ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili publikoi një mesazh të “qytetarit dixhital” ku tregohej çfarë po ndodhte prej disa muajsh me një nxënëse të një shkolle 9-vjeçare. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google