PEJË/ Pezullohet pedagogu që shkoi në motel me studenten “për një kafe”: Skenar për të më eliminuar

PEJË/ Pezullohet pedagogu që shkoi në motel me studenten “për një kafe”: Skenar për të më eliminuar
Një pedagog i Ekonomisë në Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës është pezulluar nga detyra, pas akuzës se ka shkuar në motel me një studente.

Ngjarja i përket tetorit të vitit të kaluar, ndërsa vendimi është marrë nga Komisioni i Etikës në Universitetin e Pejës.

“Këshilli i Etikës i këtij universiteti ia ka dhënë këtë masë ndëshkuese  profesorit I.K.  pasi vitin e kaluar kishte shkuar në motel me një studente, ku pastaj ishte legjitimuar nga policia e Kosovës”, raporton Express, duke cituar edhe rektorin e Universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës, Fadil Millaku.

Për këtë rast kanë nisur hetimet edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës.

“Rasti po trajtohet në Prokurorinë Themelore të Pejës; prokurori i rastit ka lëshuar autorizimin për intervistim të së dëmtuarës, dëshmitarëve, nëse ka, dhe të dyshuarit. Tani jemi në fazën e grumbullimit të informatave dhe pasi t'i pranojmë të gjitha deklaratat, atëherë do të vendoset për procedim të mëtejmë të këtij rasti. Autorizimi është për intervistim”, ka bërë të ditur prokurori përgjegjës për komunikimin me mediat në Prokurorinë e Pejës, Ersan Qavolli.

Pedagogu I.K., në një deklarim të mëparshëm, e ka konsideruar këtë ngjarje “një skenar të dikujt për ta eliminuar”.

Ai ka thënë se ka shkuar në motel vetëm për të pirë një kafe dhe, porsa ishin ulur, ka mbërritur policia.

Ai ka shtuar se nuk kishte dijeni se vajza ishte studente ne universitetin ku ai jepte mësim, pasi i kishte kërkuar ndihmë për të studiuar jashtë vendit.

Më herët, pedagogu dhe studentja kishin komunikuar me Viber, duke fiksuar orën dhe vendin e takimit. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google