PD pyet Gjonajn: Kë shantazhoi Dritan Dajti për të mos u dënuar përjetësisht

PD pyet Gjonajn: Kë shantazhoi Dritan Dajti për të mos u dënuar përjetësisht
Selia blu hedh akuza të forta ndaj kryeministrit dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Partia Demokratike përmes një reagimi të shpërndarë për mediat, i kërkon ministres të shpjegojë dhe t’u përgjigjet disa pyetjeve, të cilat siç shton ajo, po mbahen të fshehta për opinionin publik.

Në pyetjet e drejtuara ministres së Drejtësisë kërkohet shpjegim se më kë ka komunikuar nga burgu Dritan Dajti si dhe kush dha garancinë për lirimin e tij.

“Qeveria vazhdoi talljen e pacipë dhe të pamëshirshme me 4 Dëshmorët e Atdheut, të vrarë në krye të detyrës nga krimineli Dritan Dajti, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, se vendimi në favor të Dritan Dajtit është prodhim i Edi Ramës.

Është në detyrën e Partisë Demokratike të informojë opinionin publik se parashikimet ligjore për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që citoi sot Ministrja e Drejtësisë, nuk ekzistojnë.

Etilda Gjonaj e di shumë mirë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet nga 101 deri në 104 të ligjit për statusin e gjyqtarit, nene të cilat parashikonin shkeljet disiplinore. Etilda Gjonaj e di shumë mirë se prej më shumë se dy vjetësh, Edi Rama ka urdhëruar bllokimin e çdo akti që plotëson boshllëkun e krijuar”, thuhet mes të tjerave në reagimin e PD-së. /l.k./

Foto Google