PD konteston Vetingun e Donika Prelës: Dështim i Reformës në Drejtësi, poshtërim i ndërkombëtarëve

PD konteston Vetingun e Donika Prelës: Dështim i Reformës në Drejtësi, poshtërim i ndërkombëtarëve
Partia Demokratike ka reaguar përmes një deklarate, ku konteston konfirmimin nga Komisioni i Vetingut të drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela.

“Vendimi për mbajtjen në sistemin e drejtësisë të Donika Prelës është konfirmimi se reforma në drejtësi ka dështuar dhe se për të mbrojtur Edi Ramën nga drejtësia e vërtetë përbuzet dhe poshtërohet edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”, tha deputeti Enkelejd Al;ibeaj nga selia blu.

Sipas deputetit demokrat, vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën se Donika Prela, brenda një kohe të shkurtër, ka shitur prona me çmim 4 herë më të lartë sesa i ka blerë, duke vënë në dukje se me të ardhurat e deklaruara nuk justifikohej as blerja lirë e disa apartamenteve.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën se bashkëshorti i Donika Prelës ka fshehur të ardhurat, ka punuar në të zezë, duke mos paguar taksat për shumë vjet, duke mashtruar shtetin shqiptar, me dyshimin e fortë të pastrimit të parave nga korrupsioni”.

Sipas opozitës, konfirmimi i Prelës është një vendim politik, pasi KPK nuk i mori në konsideratë këto fakte.

“Komisioni i vetingut, ndryshe nga rastet e tjera identike me të Donika Prelës, nuk i hetoi këto fakte, por mbajti në sistemin e drejtësisë një prokurore shërbëtore të Edi Ramës, me pasuri te pajustifikuara dhe qe i ka shërbyer krimit, nga Emiljano Shullazi tek banda e Avdylajve dhe deri tek shkatërrimi i dosjes së Saimir Tahirit”, tha ish-ministri i Drejtësisë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google