Partizani-Flamurtari, sherri përfundon në prokurori

Partizani-Flamurtari, sherri përfundon në prokurori
FSHF dhe klubi vlonjat denoncuan ngjarjen në polici e prokurori, pas rrahjes së fotografit, por deri dje nuk ka pasur asnjë të arrestuar, ndërkohë që tifozët dhe klubi Partizani reagojnë mbi ngjarjen 

Nga Aranit Muraçi

Dopieta e Rubin Hebaj në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Flamurtarit i dha fitoren 3-1 Partizanit, në “Selman Stërmasi”, fitore që mban të kuqtë në krye të renditjes, por u shoqërua me incidente dhe me një reagim të ashpër nga FSHF.  Tifozët ultras të Partizanit, “Ultras Guerrils” reaguan pas incidentit të regjistruar në “Selman Stërmasi”, ku një grup prej tyre sulmuan fotografin e klubit “Flamurtari”. Ata janë distancuar nga akti i dhunës, duke pretenduar se sjellja nuk pasqyron aspak vlerat e tifozëve të Partizanit.

Reagimi i FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit dënoi me ashpërsi dhunën e ushtruar ndaj zyrtarit të klubit Flamurtari gjatë ndeshjes Partizani-Flamurtari, duke paralajmëruar se do të ketë masa disiplinore, çka mund të penalizojë të kuqtë në betejë për titull. –“Një ngjarje e tillë nuk ka aspak lidhje me lojën e futbollit dhe frymën “Fair Play” që duhet të përcjellin të gjithë. I bëjmë thirrje klubeve që të punojnë sa më shumë me tifozeritë dhe stafet e tyre që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, - ishte reagimi i FSHF-së, që vijoi më tej me një tjetër thirrje. “Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të vendosin përpara ligjit agresorët të cilët janë evidentuar nga pamjet filmike.” FSHF dhe zyrtari i Flamurtarit ndërkohë dorëzuan kallzimin penal, ndërsa i është kërkuar Policisë që të veprojë.

Përgjigja e Partizanit

Në reagim, Partizani bëri thirrje se “Dëshirojmë të saktësojmë se autorë të këtij incidenti ishin disa individë të cilët kurrsesi nuk mund të përgjithësojnë tifozerinë e madhe të Partizanit, e cila u distancua menjëherë dhe në stadium nga këta individë që nuk dimë se interesat e cilës palë përfaqësojnë. Gjithsesi nëpërmjet pamjeve filmike të pasqyruara shihet qartë se “personi me aparat fotografik” ka luajtur një rol aktiv duke provokuar individët që ju afruan, në mungesë totale të forcave të sigurisë të cilët janë përgjegjësit e vetëm për mbarëvajtjen e garës dhe mos lejimin e këtyre provokimeve dhe incidenteve.” Duke shprehur edhe pakënaqësi mbi interpretimin “Klubi i Partizanit është distancuar historikisht e dënuar çdo lloj dhune të shfaqur në stadiumet tona, pavarësisht se ku ndodhin, në Tiranë, Korçë, Kukës, Laç, apo gjetiu. Ne jemi dhe do vazhdojmë të mbetemi partizanë të vërtetë të “Fair Play”-it për një futboll të bukur e gjithëpërfshirës.”

 

Incidenti, në prag-derbi me Tiranën

Ndeshjet e javës së 24 të Kategorisë Superiore do të nisin me përballjen e madhe, derbin e kryeqytetit, Tirana-Partizani, në “Selman Stërmasi”. Një sfidë e ndezur për të cilën FSHF ka menduar orarin e së premtes në darkë, për t’i dhënë mundësinë të gjithë tifozëve të shijojnë emocionet e kësaj sfide. Tirana ka vite pa fituar, kurse për Partizanin fitorja vlen për titull.