PARLAMENTI/ Opozita, as brenda e as jashtë, socialistët, mes monologjeve dhe heshtjes

PARLAMENTI/ Opozita, as brenda e as jashtë, socialistët, mes monologjeve dhe heshtjes
Cilët deputetë folën më shumë në seancat plenare të fundvitit? Cilët u ndëshkuan me përjashtim? Meshkujt apo femrat deputete janë me efikase? Zbulohen rezultatet e monitorimit

Mes deputetëve të munguar të opozitës dhe atyre të mazhorancës që bënin monologë. Kështu e ka cilësuar një monitorim i fundit, sesionin parlamentar të fundvitit të kaluar, shtator-dhjetor 2018. I kryer nga Instituti i Studimeve, ai ka dalë me përfundimin se bojkoti i opozitës dhe raportet e tensionuara politike, nuk e lejuan Kuvendin që të përmbushë aspak detyrimet e tij. “Gjatë sesionit të vjeshtës 2018 u miratuan vetëm 3 ligje të reja, në krahasim me 7 në të njëjtën periudhë të vitit 2017 dhe 27 në 2016-tën”, cilëson monitorimi. Duke shtuar më tej se nuk u arrit as që të krijoheshin institucionet e reja në kuadrin e reformës në drejtësi, të tilla si Këshilli Koordinues, apo Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED). “Në katër muaj nuk pati asnjë mocion për debat, nuk pati nisma për komisione hetimore nga opozita dhe u shënua vetëm një interpelancë”, është një tjetër konstatim interesant mbi ecurinë e punimeve parlamentare në fundvitin e kaluar. Për të vijuar edhe me listimin e deputetëve që kanë “punuar” më shumë se të tjerët. Por edhe me citimin se “deputetët Erion Braçe dhe Vasilika Hysi (PS), Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashki (PD), si edhe Kejti Mehmetaj e Luan Rama (LSI) ishin deputetët më aktivë në tri grupet më të mëdha parlamentare”. Thuhet gjithashtu se në tërësi, gratë deputete ishin 10% më shumë efektive sesa deputetët meshkuj, ato arritën të ishin dominuese edhe në angazhimin në seancat plenare. “Deputetët politikanë të karrierës patën angazhim dhe efektivitet më të lartë sesa prurjet e reja. Kurse niveli i angazhimit të deputetëve që vijnë nga biznesi ishte në kuotat më të ulëta. Deputetët më aktivë ishin ata të qarkut Fier dhe Elbasan, deputetët më pak efikas ishin ata të qarqeve Shkodër e Lezhë”, shton më tej monitorimi. Nga ana tjetër, përmenden edhe tre emrat e deputetëve që janë penalizuar me përjashtim 10-ditor nga Kuvendi: Endri Hasa, Gend Strazimiri dhe Flamur Noka; të Partisë Demokratike.

Gjatë sesionit shtator-dhjetor 2018, mazhoranca ka pasur më shumë se 85% të fjalimeve dhe debateve të zhvilluara në Kuvend, mbi 90% e tyre pa praninë e opozitës. Opozita mori pjesë vetëm në seanca të veçanta në fundin e sesionit, ku ka realizuar vetëm 15% diskutime, më shumë replika sesa çështje thelbësore

6

Deputetë nuk kanë pasur asnjë angazhim në sesionin parlamentar janar-dhjetor 2018, ku mes tyre, sipas monitorimit dominojnë kryesisht ata me prurje nga biznesi

 

Pjesëmarrja e copëzuar e opozitës, as brenda edhe as jashtë Kuvendit

Gjatë periudhës shtator- dhjetor 2018 opozita nuk pati aktivitet normal parlamentar. Ajo vendosi që në javën e dytë të shtatorit të krijojë marrëdhënie të kushtëzuara me parlamentin, raport ky që vijoi deri në javën e fundit të muajit dhjetor. Por sipas të dhënave të grupit monitorues ka ndodhur që deputetë të ndryshëm të opozitës të marrin pjesë në aktivitete parlamentare. Për shembull, Oerd Bylykbashi dhe Enkelejd Alibeaj morën pjesë në seancat mbi nismën e opozitës për ndryshime kushtetuese (vetingu në politikë). Po ashtu, disa deputetë të opozitës, patën angazhim parlamentar në kuadër të shkëmbimeve me Komisionin e Venecias. Kurse disa deputetë të tjerë, pjesë të Komisionit të Përbashkët Ndër-parlamentar Shqipëri-BE morën pjesë në vizita zyrtare dhe në bisedimet e zhvilluara në Bruksel. Nga ana tjetër, dy deputetë të LSI-së, Vangjel Tavo dhe Lefter Koka hynë në parlament në shtator për të mos rrezikuar kalimin e afatit 6-mujor të mos-prezencës. Kurse se në javën e dytë të dhjetorit hynë në parlament edhe 10 deputetë të tjerë të opozitës (Luçiano Boçi, Valentina Duka, Izmira Ulqinaku, Ervin Salianji dhe Rudina Hajdari nga PD si dhe Floida Kërpaçi, Luan Rama, Petrit Vasili, Kejdi Mehmetaj dhe Agron Çela nga LSI), në kuadër të dy nismave mbi ligjin e Arsimit të Lartë dhe Buxhetin e Shtetit 2019. Në total, rreth 18 deputetë opozitarë patën angazhime parlamentare gjatë periudhës së marrëdhënieve të kushtëzuara me Kuvendin, por me hyrjen e opozitës në Kuvend në seancën e datës 20 dhjetor u realizua edhe detyrimi ligjor i prezencës brenda periudhës 6-mujore në Kuvend.

 

DEPUTETËT E HESHTUR

“Në listën e deputetëve të heshtur, bëjnë pjesë një numër i madh deputetësh nga opozita. Në total, në këtë listë bëjnë pjesë 16 deputetë të PD-së dhe 6 të LSI-së. Në listën e deputetëve të PD-së bëjnë edhe pjesë deputetë me nivel të lartë angazhimi në periudhat e mëparshme, si Albana Vokshi e Grida Duma, ndërkohë që në listë bëjnë pjesë edhe disa deputetë që tradicionalisht qëndrojnë pasiv në aktivitetin dhe debatet parlamentare e publike”

 

Ish-ministri Ahmetaj, “rekordmen” i fjalimeve me 206 minuta, 30 më shumë se Rama

“Ndryshe nga PD-ja, deputetët e LSI-së kanë qenë më aktiv në parlament. E megjithatë, 18 deputetët e saj numëruan vetëm 19 fjalime në 4 muaj”

“Në renditjen e deputetëve me më shumë minuta angazhim në debatin parlamentar shtator-dhjetor 2018, rekord mbetet ish-inistri i Financave Ahmetaj me 206 minuta, rreth 30 minuta më shumë se kryeministri Rama. Ai ka 11 fjalime, 4 më shumë se kryeministri”. Ky është një tjetër konstatm i raportit në fjalë. Duke shtuar se ka patur edhe raste gati absurde, si ai në 6 nëntor kur ishte vetëm një folës në seancë, kryeministri me 26 minuta fjalim. Po ashtu, i tillë mund të quhet edhe debati i 22 nëntorit mbi çështjet e buxhetit, ku kryeministri flet plot 46 minuta, ministri i Financave flet mbi 30 minuta dhe në tërësi 47 deputetë të PS flasin nga 5-12 minuta secili. “Praktikat e debatit si monolog u shfaqën edhe në seanca të tjera parlamentare”, thuhet më tej në raport. “Në listën kryesuese bëjnë edhe deputetët Balla e Braçe me numër të njëjtë minutash, pavarësisht se i pari ka numër shumë më të madh fjalimesh në parlament. Gjithashtu, në listën kryesore bëjnë pjesë edhe deputetët Bushati, Dhima, Spiropali, Bushka, Gjylameti, Kushi, apo ministrja Manastirliu, ish-zv/kryemi-nistrja Mesi, deputetja Hysi, etj, secili nga rreth 50 deri në 82 minuta diskutime në parlament gjatë katër muajve të fundit. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është edhe dukuria se ministrat më me shumë fjalime, kanë qenë edhe më të sulmuarit.